Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Mikea 6:8—«Të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd»

Mikea 6:8—«Të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd»

 «Ai të ka thënë, o njeri, se ç’është e mirë. E çfarë kërkon Jehovai nga ti? Kërkon veçse të tregosh drejtësi, të çmosh besnikërinë dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd!»—Mikea 6:8, Përkthimi Bota e Re.

 «O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?»—Mikea 6:8, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Mikesë 6:8

 Profeti Mikea shpjegon se nuk është tepër e vështirë që njerëzit t’i pëlqejnë Perëndisë Jehova a. (1 Gjonit 5:3) Ky varg e përmbledh me tri shprehje domethënëse atë që pret Perëndia nga ne. Dy shprehjet e para lidhen me mënyrën si veprojmë me njerëzit e tjerë, kurse shprehja e tretë lidhet me miqësinë tonë me Perëndinë.

 ‘Trego drejtësi.’ Perëndia u kërkon adhuruesve të tij të bëjnë atë që është e drejtë. Kjo do të thotë të mendosh e të veprosh në përputhje me standardet e Perëndisë për atë që është e drejtë dhe e gabuar. (Ligji i përtërirë 32:4) Për shembull, ata që ndjekin standardet e Perëndisë, bëjnë çmos që t’i trajtojnë të gjithë njerëzit me ndershmëri dhe paanësi, pavarësisht nga prejardhja, kombësia ose pozita e tyre shoqërore.—Levitiku 19:15; Isaia 1:17; Hebrenjve 13:18.

 ‘Çmo besnikërinë.’ Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «duaje dashurinë besnike». (Mikea 6:8, shënimi) Në hebraishten origjinale, fjala «besnikëri» nuk përfshin vetëm të jesh besnik në një marrëdhënie, por edhe të tregosh mirësi e mëshirë për tjetrin, duke shkuar përtej ndjenjës së detyrës. Për më tepër, Perëndia kërkon nga ata që duan të kenë miratimin e tij që jo vetëm të tregojnë mirësi e mëshirë, por edhe t’i duan këto cilësi. Kjo do të thotë se adhuruesit e tij duhet të ndiejnë lumturi kur ndihmojnë të tjerët, sidomos ata që kanë nevojë. Kur japim për të tjerët, ndihemi të gëzuar.—Veprat 20:35.

 ‘Ji modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd.’ Në Bibël, folja «të ecësh» mund të ketë edhe kuptimin «të ndjekësh një drejtim të caktuar». Një njeri ecën me Perëndinë kur ndjek një drejtim që i pëlqen Atij. Noeja na la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. Ai «eci me Perëndinë e vërtetë», sepse ishte i drejtë në sytë e Perëndisë dhe «i patëmetë mes bashkëkohësve të tij». (Zanafilla 6:9) Sot, ne ‘ecim me Perëndinë’ duke jetuar në përputhje me mësimet që na ka dhënë në Fjalën e tij, Biblën. Kjo kërkon të tregohemi modestë, pra të pranojmë kufizimet tona dhe të pranojmë se varemi nga Perëndia për gjithçka.—Gjoni 17:3; Veprat 17:28; Zbulesa 4:11.

Konteksti i Mikesë 6:8

 Mikea ishte një profet në Izraelin e lashtë dhe shërbeu gjatë shekullit të tetë p.e.s. Në atë kohë, vendi ishte mbushur me idhujtari, mashtrim dhe shtypje. (Mikea 1:7; 3:1-3, 9-11; 6:10-12) Shumë izraelitë i shpërfillnin kërkesat e Perëndisë që gjendeshin në Ligjin e Moisiut, Ligji që Ai i kishte dhënë Moisiut. Gjithashtu, shumë veta gabimisht mendonin se mund ta fitonin miratimin e Perëndisë thjesht duke kryer disa rite fetare e duke ofruar flijime.—Proverbat 21:3; Hozea 6:6; Mikea 6:6, 7.

 Shekuj më vonë pas kohës së Mikesë, Jezui e sqaroi sërish se Ati i tij kënaqet me ata që tregojnë dashuri, drejtësi dhe mëshirë, ama nuk i pëlqen fare njerëzit që kryejnë disa rite fetare ose bëjnë gjëra sa për t’u dukur si të përkushtuar ndaj Perëndisë. (Mateu 9:13; 22:37-39; 23:23) Fjalët e Jezuit na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë pret Perëndia nga adhuruesit e Tij sot.

 Shiko këtë video të shkurtër për të pasur një ide rreth librit të Mikesë.

a Emri Jehova është përkthimi në shqip i emrit të Perëndisë në hebraisht, i cili përbëhet nga këto katër shkronja יהוה (YHWH), që ndryshe njihen si Tetragrami. Te Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar, në këtë varg, ky emër është përkthyer «Zoti». Për më shumë informacion për Jehovain dhe për arsyet pse disa përkthime të Biblës nuk e përdorin këtë emër, shih artikullin «Kush është Jehovai?»