SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Numrat 6:24-26—«Zoti të të bekojë dhe të të ruajë!»
«Jehovai të bekoftë e të ruajttë! Jehovai të dhëntë buzëqeshjen e tij miratuese dhe pëlqimin e tij! Jehovai i ktheftë sytë drejt teje dhe të dhëntë paqe!»—Numrat 6:24-26, Përkthimi Bota e Re.
«Zoti të të bekojë dhe të të ruajë! Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty! Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!»—Numrat 6:24-26, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.
Kuptimi i Numrave 6:24-26
Këto fjalë njihen si bekimi priftëror ose bekimi i Aronit, i cili ishte kryeprifti i parë në Izrael. (Eksodi 28:1) Gjithsesi, Burimi i këtyre fjalëve është Perëndia. (Numrat 6:22, 23) Para se të thoshte fjalët që gjejmë te Numrat 6:24-26, Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit dhe djemve të tij: ‘Kështu duhet ta bekoni popullin e Izraelit.’» Priftërinjtë besnikë iu bindën këtij urdhërimi hyjnor. Gjithashtu, ata nderuan emrin e Perëndisë, Jehova. a Në vargun 27 lexojmë: «Dhe populli i Izraelit do të thirret me emrin tim, që unë t’i bekoj.»
«Jehovai të bekoftë e të ruajttë!» Jehovai i bekon adhuruesit e tij duke i mbrojtur, duke i drejtuar e duke u dhënë sukses. (Proverbat 10:22) Teksti që gjejmë te Numrat 6:24-26 është shkruar në numrin njëjës. Kjo mund të tregonte se Perëndia donte të bekonte jo vetëm popullin si një i tërë, por edhe çdo izraelit si individ.
«Jehovai të dhëntë buzëqeshjen e tij miratuese dhe pëlqimin e tij!» Lutja që Perëndia t’i jepte dikujt «buzëqeshjen e tij miratuese» ishte një kërkesë që Ai t’i tregonte pëlqim dhe miratim. b Jehovai e shpreh miratimin ndaj adhuruesve të tij, duke i trajtuar me zemërmirësi, dhembshuri dhe mëshirë.—Isaia 30:18.
«Jehovai c i ktheftë sytë drejt teje dhe të dhëntë paqe!» Jehovai ‘i kthen sytë’ drejt adhuruesve të tij kur u kushton vëmendje me dashuri dhe u fal paqe. Sipas një vepre referimi, «fjala hebraike për paqe (shalom) nuk i referohet thjesht mungesës së konfliktit; ajo përcjell idenë e mirëqenies dhe të plotësisë, si në aspektin fizik, por edhe kur bëhet fjalë për miqësinë e dikujt me Jehovain».
Që t’i merrnin bekimet e përshkruara në këto vargje, izraelitët duhej t’i bindeshin Jehovait. (Levitiku 26:3-6, 9) Kur ata vepronin kështu, Jehovai e mbante fjalën. Kjo u duk qartë gjatë mbretërimit të disa prej mbretërve të tyre, si Solomoni dhe Hezekia.—1 Mbretërve 4:20, 25; 2 Kronikave 31:9, 10.
Edhe pse të krishterëve nuk u kërkohet ta përsëritin këtë bekim, ata mund të shprehin ndjenja të ngjashme kur i luten Zotit për të tjerët ose kur inkurajojnë bashkëbesimtarët. (1 Selanikasve 5:11, 25) Jehovai nuk ndryshon. Atij nuk i zbehet kurrë dëshira për t’i bekuar e për t’i mbrojtur shërbëtorët besnikë. Të krishterët e vërtetë mund të përjetojnë paqe, duke e ditur se Jehovai i mban «sytë» mbi ta plot miratim.
Konteksti i Numrave 6:24-26
Në dhjetë kapitujt e parë të librit të Numrave gjenden udhëzimet që u dha Perëndia izraelitëve kur ngritën kampin pranë malit Sinai, rrugës për në Tokën e Premtuar. Gjatë asaj periudhe, që zgjati rreth 1 vit, Jehovai e organizoi popullin e tij si komb dhe u dha një sërë ligjesh, që u njohën si Besëlidhja e Ligjit.
Për më tepër, Jehovai i tha Moisiut se Aroni dhe bijtë e tij, që Ai i zgjodhi si priftërinj, duhej t’i bekonin izraelitët. (Numrat 6:22, 23) Që nga ai moment, Aroni dhe pasardhësit e tij i përdorën fjalët e Numrave 6:24-26 për të bekuar kombin. Me kohë u bë traditë që një prift ta përsëriste bekimin pasi ofrohej flijimi i fundit i çdo dite në tempull.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Numrave.
a Jehova është përkthimi i zakonshëm në shqip i emrit të Perëndisë nga gjuha hebraike. Për të kuptuar pse mjaft përkthime të Biblës e kanë zëvendësuar emrin e Perëndisë me titullin Zot, lexo artikullin «Kush është Jehovai?»
b Por, Bibla tregon edhe se Jehovai i largonte sytë nga izraelitët kur nuk i miratonte veprimet e tyre.—Isaia 59:2; Mikea 3:4.
c Sipas Biblës NIV Study Bible, emri i Perëndisë në këto vargje përsëritet «për emfazë dhe i jep forcë shprehjes në [vargun 27]». Ama, disa pretendojnë se fakti që emri i Zotit përdoret tri herë në këto vargje, mbështet idenë se Perëndia është Trinitet. Mirëpo e vërteta është ndryshe. Një botim që shpjegon Biblën dhe që mbështet trinitetin pranon se përdorimi i emrit hyjnor tri herë «nuk u jepte këtë ide as priftit që bekonte dhe as njerëzve që bekoheshin. Për ta, përsëritja tri herë vetëm sa e bënte bekimin më të plotë e më të bukur». (The Pulpit Commentary, vëllimi 2, faqja 52) Për më tepër informacion, shih artikullin «A është Perëndia Trinitet?»