SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Proverbat 16:3—«Besoja Zotit veprimet e tua»
«Lërja në dorë Jehovait çdo gjë që bën, dhe planet e tua do të kenë sukses.»—Proverbat 16:3, Përkthimi Bota e Re.
«Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.»—Proverbat 16:3, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Proverbave 16:3
Ky proverb i siguron adhuruesit e Perëndisë së vërtetë se planet e tyre do të kenë sukses nëse besojnë tek Ai, dhe këtë e bëjnë duke kërkuar e duke ndjekur drejtimin e tij.
«Lërja në dorë Jehovait çdo gjë që bën.» Para se të marrin vendime, adhuruesit e Jehovait a me përulësi kërkojnë drejtim prej tij. (Jakovi 1:5) Pse? Një arsye është se njerëzit shpesh kanë pak ose aspak kontroll mbi ngjarjet që prekin jetën e tyre. (Eklisiastiu 9:11; Jakovi 4:13-15) Për më tepër mund t’u mungojë mençuria për t’i realizuar planet. Ja pse, mjaft njerëz tregohen të mençur kur ia lënë, ose ia besojnë, Perëndisë punët e tyre. E bëjnë këtë duke iu lutur për drejtim dhe duke vepruar në harmoni me vullnetin e Perëndisë që tregohet në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël.—Proverbat 3:5, 6; 2 Timoteut 3:16, 17.
Shprehja «besoja Zotit b veprimet e tua», fjalë për fjalë do të thotë «t’ia hedhësh punët e tua Zotit». Sipas një vepre referimi, kjo shprehje përshkruan «një burrë [që] e heq një ngarkesë nga supet e veta dhe e vendos mbi supet e dikujt që është më i fortë dhe më i aftë për ta mbajtur». Kush mbështetet me përulësi te Perëndia, mund të jetë i sigurt se ai do ta ndihmojë e do ta përkrahë.—Psalmi 37:5; 55:22.
Shprehja «çdo gjë që bën», nuk nënkupton se Zoti do të miratojë ose do të bekojë çdo plan që mund të kenë njerëzit. Për të pasur bekimin e Jehovait, planet e tyre duhet të jenë në harmoni si me standardet, edhe me vullnetin e tij. (Psalmi 127:1; 1 Gjonit 5:14) Zoti nuk e bekon mosbindjen. Në fakt, ‘ai ua prish planet të ligjve’. (Psalmi 146:9) Nga ana tjetër u qëndron pranë atyre që i nënshtrohen, duke respektuar standardet që Ai ka përcaktuar në Bibël.—Psalmi 37:23.
«Planet e tua do të kenë sukses.» Në disa Bibla, kjo shprehje përkthehet «planet e tua do të jenë të patundura». Në Shkrimet Hebraike, që njihen edhe si Dhiata e Vjetër, fjala që në anglisht përkthehet «e patundur» përcjell idenë e hedhjes së një themeli dhe shpesh i referohet stabilitetit të gjërave që ka krijuar Perëndia. (Proverbat 3:19; Jeremia 10:12) Po njësoj, Perëndia do t’i bëjë plotësisht të patundura planet e kujtdo që bën atë që është e drejtë në sytë e tij. Ai do t’i ndihmojë të kenë një jetë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të lumtur.—Psalmi 20:4; Proverbat 12:3.
Konteksti i Proverbave 16:3
Këtë proverb e shkroi mbreti Solomon, shkrimtari i pjesës më të madhe të librit të Proverbave. Falë mençurisë që i dha Perëndia, ai arriti të thoshte mijëra proverba.—1 Mbretërve 4:29, 32; 10:23, 24.
Solomoni e nis kapitullin 16 duke i thurur lavde mençurisë së Perëndisë dhe duke treguar sa të neveritshëm janë për të krenarët. (Proverbat 16:1-5) Më pas, ky kapitull e orienton lexuesin drejt një përfundimi të rëndësishëm që e hasim shpesh në librin e Proverbave: njerëzit mund të jenë vërtet të mençur e të suksesshëm vetëm nëse janë të përulur dhe e lejojnë Perëndinë t’u drejtojë hapat. (Proverbat 16:3, 6-8, 18-23) Kjo e vërtetë themelore përsëritet vazhdimisht në Bibël.—Psalmi 1:1-3; Isaia 26:3; Jeremia 17:7, 8; 1 Gjonit 3:22.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Proverbave.
a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Lexo artikullin «Kush është Jehovai?»
b Mjaft përkthime të Biblës përdorin titullin «Zot» në vend të emrit hyjnor. Që të kuptosh pse kjo mund t’i ngatërrojë lexuesit e Biblës, lexo artikullin e kësaj serie «Isaia 42:8—‘Unë jam Zoti’».