Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Psalmi 23:4—«Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes»

Psalmi 23:4—«Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes»

 «Ndonëse eci nëpër luginën e territ, nuk kam frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua, o Perëndi; shkopi e kërraba jote më japin zemër.»—Psalmi 23:4, Përkthimi Bota e Re.

 «Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.»—Psalmi 23:4, Diodati i Ri.

Kuptimi i Psalmit 23:4 a

 Ata që adhurojnë Perëndinë, gëzojnë mbrojtjen e kujdesin e tij, edhe kur kalojnë situata të vështira. Për të ilustruar si kujdeset Perëndia për ta, ky varg përdor si krahasim një bari që kujdeset për delen e vet. b Kur adhuruesit e tij janë në pikë të hallit, situatë që në këtë varg përshkruhet si vend terri a errësire dhe rrezik vdekjeje, ata e dinë se nuk janë vetëm. Ndihen të sigurt si ta kishin Perëndinë pranë.

 Në kohët e lashta, një bari përdorte shkopin ose kërbaçin për të mbrojtur delet nga grabitqarët. Ai përdorte edhe kërrabën, një shkop të gjatë me njërin skaj të kthyer si grremç, për t’i drejtuar delet ose për t’i larguar nga rreziku. Po njësoj, Perëndia Jehova është si një Bari i dashur që i mbron dhe i drejton ata që e adhurojnë. Edhe në ditët më të errëta të jetës së tyre, Ai kujdeset për ta në mënyra të ndryshme.

  •   I mëson dhe i ngushëllon nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar, Biblës.—Romakëve 15:4.

  •   I dëgjon lutjet e tyre dhe u jep paqe mendore dhe emocionale.—Filipianëve 4:6, 7.

  •   U jep zemër nëpërmjet bashkadhuruesve.—Hebrenjve 10:24, 25.

  •   U jep shpresën e sigurt për një të ardhme më të mirë, një të ardhme kur do t’i japë fund gjithçkaje që u shkakton vuajtje.—Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3-5.

Konteksti i Psalmit 23:4

 Psalmin 23 e shkroi Davidi, mbret i kombit të lashtë të Izraelit, por që kur ishte i ri, kishte qenë bari. (1 Samuelit 17:34, 35; 2 Samuelit 7:8) Vargjet e para të këtij psalmi e përshkruajnë Jehovain si një Bari që u prin, i ushqen dhe u freskon shpirtin adhuruesve të tij, njësoj siç bën një bari me delet e veta.—Psalmi 23:1-3.

 Në Psalmin 23:4, ku del në pah mbrojtja që siguron Perëndia, Davidi nuk i referohet më Perëndisë në vetën e tretë (ai), por përdor vetën e dytë (ti), duke iu drejtuar direkt. Ky ndryshim i hollë thekson sa miqësi të ngushtë kishte Davidi me Jehovain. Davidi ishte i sigurt se Perëndia merakosej për të dhe i njihte mirë vuajtjet që po kalonte. Ja pse nuk kishte frikë nga asnjë e keqe.

 Në dy vargjet vijuese të Psalmit 23, vargjet 5 dhe 6, ndryshon krahasimi: nuk flitet më për një bari me delen, por për një mikpritës dhe mysafirin e tij. Si një mikpritës bujar, Jehovai e trajton Davidin si të ftuar nderi. Madje, as armiqtë e Davidit s’e pengojnë dot Perëndinë që të kujdeset për shërbëtorin e tij. Në fund të këtij psalmi, Davidi shpreh bindjen se mirësia dhe dashuria e Perëndisë do ta shoqëronin çdo ditë të jetës.

 Gjuha poetike e Psalmit 23 përshkruan kujdesin e dashur që Perëndia tregon vazhdimisht për adhuruesit e tij.—1 Pjetrit 2:25.

a Në disa përkthime të Biblës, ky është Psalmi 22. Edhe pse janë gjithsej 150 Psalme, disa Bibla i renditin numrat në bazë të tekstit hebraik masoretik, kurse disa të tjera ndjekin numërimin e Septuagintës, një përkthim në greqisht i tekstit hebraik që përfundoi në shekullin e dytë p.e.s.

b Në Bibël, Perëndia, emri i të cilit është Jehova, portretizohet shpesh si një Bari i butë. Adhuruesit e tij, që simbolizohen nga delet, i drejtojnë sytë tek ai për mbrojtje dhe mbështetje.—Psalmi 100:3; Isaia 40:10, 11; Jeremia 31:10; Ezekieli 34:11-16.