SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Romakëve 10:13—«Do ta thërrasë emrin e Zotit»
«Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—Romakëve 10:13, Përkthimi Bota e Re.
«Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.»—Romakëve 10:13, Diodati i Ri.
Kuptimi i Romakëve 10:13
Perëndia është i paanshëm dhe u jep mundësi të gjithëve që të shpëtojnë e të fitojnë jetën e përhershme, pavarësisht nga kombësia, raca ose pozita shoqërore. Megjithatë, që të nxjerrim dobi, duhet të thërrasim emrin e Jehovait, pra, emrin e Perëndisë së Plotfuqishëm. a—Psalmi 83:18.
Në Bibël, shprehja «thërret emrin e Jehovait» nuk do të thotë vetëm të dish emrin e Perëndisë dhe ta përdorësh në adhurim. (Psalmi 116:12-14) Do të thotë edhe të besosh te Perëndia dhe të mbështetesh tek ai për ndihmë.—Psalmi 20:7; 99:6.
Emri i Perëndisë ishte i rëndësishëm për Jezu Krishtin. Kjo duket te fjalët e para të lutjes së tij model: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt», ose u bëftë i shenjtë. (Mateu 6:9) Gjithashtu, Jezui tregoi se, nëse duam të kemi jetën e përhershme, duhet ta njohim, t’i bindemi dhe ta duam Personin që mban këtë emër, Jehovain.—Gjoni 17:3, 6, 26.
Pse mund të arrijmë në përfundimin se «Zoti» që përmendet te Romakëve 10:13 në përkthimin Diodati i Ri është Jehovai? Sepse vargu citon Joelin 2:32, që në tekstin origjinal në hebraisht përdor emrin e Perëndisë, jo titullin «Zot». b
Konteksti i Romakëve 10:13
Në kapitullin 10 të Romakëve, Bibla tregon se, që të kemi miratimin e Perëndisë, duhet të besojmë te Jezu Krishti. (Romakëve 10:9) Këtë mendim e mbështetin edhe disa citime nga ajo që njihet si Dhiata e Vjetër. Besimin e ‘shpallim publikisht’ kur u japim lajmin e mirë për shpëtimin atyre që nuk besojnë. Si pasojë, të tjerët mund të zhvillojnë atë lloj besimi që të çon në jetën e përhershme.—Romakëve 10:10, 14, 15, 17.
Lexo kapitullin 10 të Romakëve bashkë me shënimet shpjeguese dhe referimet.
a Emri i Perëndisë del rreth 7.000 herë në dorëshkrimet e lashta të Biblës. Në hebraisht, emri hyjnor përbëhet nga katër shkronja, që njihen si tetragrami. Zakonisht, në shqip përkthehet «Jehova». Sidoqoftë, disa studiues parapëlqejnë të përdorin emrin «Jahveh».
b Ka të ngjarë që shkrimtarët e Dhiatës së Re të kenë përdorur emrin e Perëndisë kur cituan fragmente nga «Dhiata e Vjetër» që përmbanin këtë emër. Një botim komenton: «Ka prova se Tetragrami, Emri Hyjnor Jahveh, ishte në disa ose në të gjitha citimet e Dhiatës së Vjetër te Dhiata e Re, kur u shkruan fillimisht dokumentet e Dhiatës së Re.» (Anchor Bible Dictionary, vëllimi 6, faqja 392) Për më shumë informacion, shih artikullin «Emri i Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke» në Shtojcën A5 te Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Shtojca C2, që për momentin disponohet në anglisht, ka një listë me përkthime të Biblës që përdorin emrin Jehova te Romakëve 10:13.