Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Romakëve 12:2—«Transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj»

Romakëve 12:2—«Transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj»

 «Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote, por transformohuni duke përtërirë mendjen, që të siguroheni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.»—Romakëve 12:2, Përkthimi Bota e Re.

 «Mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.»—Romakëve 12:2, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Romakëve 12:2

 Ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, jo vetëm që duhet të hedhin poshtë ndikimet negative, por edhe duhet të ndryshojnë personalitetin. Zoti nuk i detyron të ndryshojnë. Përkundrazi këtë e bëjnë ngaqë e duan dhe kuptojnë se kërkesat e tij janë të arsyeshme dhe të dobishme.—Isaia 48:17.

 «Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote.» ‘Bota’, pra shoqëria njerëzore me normat, praktikat dhe sjelljen e saj nuk pasqyron vlerat e Perëndisë dhe mënyrën si mendon Ai. (1 Gjonit 2:15-17) Ajo ushtron vazhdimisht presion mbi njerëzit, presion që mund t’u brumosë, ose modelojë, sjelljen dhe personalitetin. Që ta adhurojmë Perëndinë siç do ai, duhet t’i rezistojmë ndikimit të botës, përndryshe do të zhvillojmë tipare që na dëmtojnë ne vetë dhe që nuk i pëlqejnë Perëndisë.—Efesianëve 2:1-3; 4:17-19.

 «Transformohuni duke përtërirë mendjen.» Është e rëndësishme edhe që të punojmë me veten për të ndryshuar qëndrimet dhe ndjenjat më të thella. Fjala greke e përkthyer «transformohuni», përshkruan një ndryshim të madh si ai i një larve që bëhet flutur. Pra, ndryshimi duhet të jetë rrënjësor. Ata që adhurojnë Zotin, duhet të veshin «personalitetin e ri».—Efesianëve 4:23, 24; Kolosianëve 3:9, 10.

 ‘Sigurohuni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.’ Perëndia dëshiron që ata të cilët e adhurojnë, të jenë plotësisht të bindur për gjërat që besojnë. Këtë e bëjnë duke studiuar Fjalën e Perëndisë, duke zbatuar atë që thotë ajo dhe duke shijuar dobitë që vijnë kur jetojnë sipas normave të Perëndisë. Në këtë mënyrë sigurohen, ose i vërtetojnë vetes, se drejtimi i Perëndisë është më i miri.—Psalmi 34:8.

Konteksti i Romakëve 12:2

 Kapitulli 12 i Romakëve shpjegon çfarë përfshin ta adhurojmë Zotin siç do ai. Ky adhurim prek çdo aspekt të jetës dhe kërkon që të përdorim «fuqinë [tonë] për të arsyetuar», në vend që të veprojmë duke u bazuar te një besim i verbër a thjesht te ndjenjat. (Romakëve 12:1, 3) Në këtë kapitull gjejmë këshilla praktike se si të shfaqim cilësi që i pëlqejnë Perëndisë, si të sillemi me të tjerët dhe si të reagojmë kur na keqtrajtojnë.—Romakëve 12:9-21.