Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Romakëve 5:8​—«Kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne»

Romakëve 5:8​—«Kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne»

 «Perëndia na e tregon dashurinë e vet në këtë mënyrë: ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.»—Romakëve 5:8, Përkthimi Bota e Re.

 «Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.»—Romakëve 5:8, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Romakëve 5:8

 Perëndia Jehova a shfaqi dashuri të jashtëzakonshme kur lejoi që Biri i tij, Jezu Krishti, të vdiste për njerëzit mëkatarë. (Gjoni 3:16) Ngaqë jemi mëkatarë, kemi prirjen të mendojmë e të veprojmë në mënyra që bien ndesh me normat e drejta të Perëndisë. (Kolosianëve 1:21, 22) Mirëpo, Zoti bëri të mundur që të pajtohemi me Të «nëpërmjet vdekjes së Birit të tij». (Romakëve 5:10) Falë kësaj kemi mundësinë të gëzojmë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë tani dhe shpresën për të jetuar përgjithmonë në të ardhmen.—Romakëve 5:11; 1 Gjonit 4:9, 10.

Konteksti i Romakëve 5:8

 Apostulli Pavël ua shkroi këto fjalë të krishterëve që jetonin në Romë. Në vargjet që tani përbëjnë kapitullin 5 të letrës së tij drejtuar romakëve, Pavli shpjegoi pse duhej të gëzonin të krishterët dhe pse duhej të ishin plotësisht të bindur për shpresën e tyre. (Romakëve 5:1, 2) Kjo shpresë «nuk të zhgënjen», sepse bazohet te dashuria e jashtëzakonshme e Perëndisë, të cilën e shprehu kur dërgoi Jezuin që të vdiste për ne. (Romakëve 5:5, 6) Jezui iu bind Perëndisë deri në fund në mënyrë të përsosur, kurse njeriu i parë, Adami, nuk e bëri këtë. (Romakëve 5:19) Mosbindja e Adamit u solli mëkatin dhe vdekjen pasardhësve të tij. (Romakëve 5:12) Kurse bindja e përsosur e Jezuit dhe vdekja e tij flijuese u dhanë mundësi njerëzve të bindur të kenë shpresën për të jetuar përgjithmonë.—Romakëve 5:21.

a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.