Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Romakëve 12:12—«Të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje.»

Romakëve 12:12—«Të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje.»

 «Gëzoni në shpresë. Qëndroni në shtrëngime. Ngulmoni në lutje.»—Romakëve 12:12, Përkthimi Bota e Re.

 «Të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje.»—Romakëve 12:12, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Romakëve 12:12

 Në këtë varg, apostulli Pavël i nxiti të krishterët në Romë të bënin tri gjëra që do t’i ndihmonin të qëndronin besnikë, pavarësisht nga përndjekjet dhe vështirësitë e tjera.

 «Gëzoni në shpresë.» Shërbëtorët e Perëndisë kanë shpresën e mrekullueshme për të jetuar përgjithmonë—disa në qiell dhe shumica në parajsën në tokë. (Psalmi 37:29; Gjoni 3:16; Zbulesa 14:1-4; 21:3, 4) Ndër të tjera, ata shpresojnë të shohin me sytë e tyre kohën kur Mbretëria e Perëndisë a të zgjidhë të gjitha problemet që i shkaktojnë vuajtje njerëzimit. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Adhuruesit e Perëndisë mund të ndiejnë gëzim në zemër edhe mes sprovash, sepse s’kanë pikë dyshimi se shpresa e tyre do të bëhet realitet dhe se me qëndrueshmërinë e tyre do të fitojnë miratimin e Perëndisë.—Mateu 5:11, 12; Romakëve 5:3-5.

 «Qëndroni në shtrëngime.» Në Bibël, folja greke e përkthyer «qëndroni» shpesh ka kuptimin «të qëndrosh, në vend që të ikësh; të këmbëngulësh; të qëndrosh i palëkundur». Dishepujt e Krishtit ‘nuk janë pjesë e botës’, b prandaj e dinë se do t’i përndjekin dhe se kanë nevojë për qëndrueshmëri. (Gjoni 15:18-20; 2 Timoteut 3:12) Kur një i krishterë i shërben Perëndisë me besnikëri, edhe pse kjo do të thotë të përballet me sprova, i forcohet besimi se në fund Perëndia do ta shpërblejë. (Mateu 24:13) Nga ana tjetër, ky besim i fortë e ndihmon të qëndrojë përballë vështirësive me durim dhe gëzim.—Kolosianëve 1:11.

 «Ngulmoni në lutje.» Që të krishterët t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë, duhet patjetër të luten pareshtur. (Luka 11:9; 18:1) Ata kërkojnë vazhdimisht që Perëndia t’i drejtojë dhe mbështeten tek ai për çdo aspekt të jetës. (Kolosianëve 4:2; 1 Selanikasve 5:17) Janë të sigurt se Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të tyre, ngaqë u binden urdhërimeve të tij dhe bëjnë çmos t’ia kënaqin zemrën. (1 Gjonit 3:22; 5:14) Gjithashtu e dinë se, nëse ngulmojnë në lutje, Perëndia do t’u sigurojë forcën që u duhet për të qëndruar besnikë në çfarëdolloj sprove.—Filipianëve 4:13.

Konteksti i Romakëve 12:12

 Pavli ua shkroi këtë letër të krishterëve që jetonin në Romë rreth vitit 56 të e.s. Në kapitullin 12 të kësaj letre, ai u jep këshilla praktike se si të shfaqnin cilësi që i pëlqejnë Perëndisë, si t’i trajtonin bashkëbesimtarët e të tjerët dhe si të reagonin në mënyrë paqësore kur armiqtë i përndiqnin. (Romakëve 12:9-21) Këto këshilla ishin në kohën e duhur për të krishterët në Romë, sepse shpejt do të hasnin kundërshtime të ashpra.

 Disa vjet më vonë, më 64 të e.s., një zjarr i madh shkrumboi një pjesë të mirë të qytetit të Romës. Sipas disa zërave, përgjegjës për të ishte perandori Neron. Mirëpo sipas Tacitit, një historiani romak, Neroni u përpoq të mbrohej duke ua hedhur fajin të krishterëve. Me sa duket, kjo shkaktoi një valë të madhe përndjekjeje kundër të krishterëve. Prandaj këshillat e Pavlit se si të qëndronin besnikë kur të hasnin përndjekje, i ndihmuan ta përballonin atë periudhë të errët me besim dhe dinjitet. (1 Selanikasve 5:15; 1 Pjetrit 3:9) Ata lanë një shembull të denjë për t’u imituar nga adhuruesit e Perëndisë në kohën tonë.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Romakëve.

a Mbretëria e Perëndisë është qeveria që ka themeluar Perëndia në qiell për të plotësuar qëllimin e tij për tokën. Për më tepër informacion, lexo artikullin «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?»

b Në Bibël, termi «botë» mund t’i referohet shoqërisë njerëzore që është e ndarë nga Perëndia.