SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Romakëve 6:23—«Paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme»
«Paga që paguan mëkati, është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu.»—Romakëve 6:23, Përkthimi Bota e Re.
«Paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin.»—Romakëve 6:23, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Romakëve 6:23
Me anë të këtyre fjalëve, apostulli Pavël shpjegoi se njerëzit vdesin ngaqë janë mëkatarë. Megjithatë, Perëndia u ofron një perspektivë të mrekullueshme adhuruesve të tij besnikë—dhuratën e jetës së përhershme.
«Paga që paguan mëkati, është vdekja.» Të gjithë njerëzit lindin të papërsosur, prandaj kanë prirjen për të mëkatuar. a (Psalmi 51:5; Eklisiastiu 7:20) Ngaqë kanë lindur mëkatarë, njerëzit nuk i shmangin dot plakjen dhe vdekjen.—Romakëve 5:12.
Për të ilustruar këtë pikë, Pavli e krahasoi mëkatin me një pronar që u jep pagat punëtorëve. Ashtu si një punëtor që e di se do ta marrë pagën për punën, edhe njerëzit e dinë se do të vdesin për shkak të gjendjes mëkatare.
Sidoqoftë, Pavli shpjegoi edhe se «kush ka vdekur, është shfajësuar nga mëkati i vet». (Romakëve 6:7) Kur dikush vdes, ai çlirohet nga çdo mëkat që ka kryer. Prandaj nuk ka asnjë arsye për të menduar se të vdekurit po vuajnë diku për shkak të gabimeve të së kaluarës. Në fakt, Bibla e thotë qartë se të vdekurit nuk mendojnë e nuk ndiejnë asgjë.—Eklisiastiu 9:5.
«Kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu.» Ndryshe nga «paga» që paguan mëkati, Zoti ofron dhuratën e jetës së përhershme. Fjala origjinale për «dhuratë» mund të përkthehet edhe «dhuratë e pamerituar» ose «dhuratë e mirë». Ajo i referohet diçkaje që i jepet dikujt që nuk e ka merituar. Asnjë njeri mëkatar nuk mund ta fitojë vetë shpëtimin dhe jetën e përhershme. (Psalmi 49:7, 8) Megjithatë, Perëndia ua jep me bujari dhuratën e çmuar të jetës së përhershme atyre që tregojnë besim te Jezui.—Gjoni 3:16; Romakëve 5:15, 18.
Konteksti i Romakëve 6:23
Pavli ua shkroi këtë letër të krishterëve në Romë rreth vitit 56 të e.s. Me sa duket, në atë kohë, disa prej tyre kishin ide të gabuara për mëshirën e Perëndisë. Të ndikuar nga filozofia greke, ata mund të kenë arsyetuar se sa më shumë të mëkatonin, aq më shumë do të përfitonin nga falja e Perëndisë. (Romakëve 6:1) Të tjerë mbase mendonin se nuk do të ndëshkoheshin për gabimet ngaqë nuk ishin më nën Ligjin e Moisiut. (Romakëve 6:15) Në letrën e tij, Pavli theksoi se të krishterët nuk mund të përfitonin nga mëshira e Perëndisë nëse lejonin që mëkati t’u drejtonte jetën.—Romakëve 6:12-14, 16.
Fjalët e Pavlit u japin siguri adhuruesve të Perëndisë sot se, edhe pse kanë lindur mëkatarë, prapëseprapë kanë një shpresë. Nëse u përmbahen normave morale të Perëndisë dhe nuk dorëzohen para dëshirave të gabuara, Ai premton se do t’u japë jetë të përhershme.—Romakëve 6:22.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Romakëve.
a Në Bibël, fjala «mëkat» i referohet çdo veprimi ose qëndrimi që bie në kundërshtim me standardet e Perëndisë. (1 Gjonit 3:4) Shih artikullin «Çfarë është mëkati?»