Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Veprat 1:8—«Ju do të merrni fuqi»

Veprat 1:8—«Ju do të merrni fuqi»

 «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»—Veprat 1:8, Përkthimi Bota e Re.

 «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.»—Veprat 1:8, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i Veprave 1:8

 Jezui u premtoi dishepujve se fryma e shenjtë e Perëndisë do t’u jepte fuqi që të kryenin shërbimin e tyre në pjesët më të largëta të tokës.

 «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi.» Jezui përsërit premtimin që u kishte bërë dishepujve se, pasi të kthehej në qiell, ata do të merrnin ndihmë nëpërmjet frymës a së Perëndisë. (Gjoni 14:16, 26) Dhjetë ditë pasi Jezui ishte ngjitur në qiell, në vitin 33 të e.s., dishepujt morën frymën e shenjtë që ai u kishte premtuar. (Veprat 2:1-4) Falë frymës së shenjtë të Perëndisë, ata jo vetëm folën në gjuhë të huaja dhe kryen mrekulli, por edhe predikuan me guxim për besimin e tyre te Jezui.—Veprat 3:1-8; 4:33; 6:8-10; 14:3, 8-10.

 «Do të jeni dëshmitarët e mi.» Fjala e përkthyer «dëshmitar» ka kuptimin «dikush që dëshmon» ose që «jep prova për diçka», bazuar në atë që ka parë ose që ka përjetuar. Si dëshmitarë okularë të jetës së Jezuit, apostujt mund të jepnin prova të ngjarjeve që ndodhën gjatë shërbimit të tij, si edhe gjatë vdekjes e ringjalljes së tij. (Veprat 2:32; 3:15; 5:32; 10:39) Dëshmia e tyre e pamohueshme bindi mjaft të tjerë se Jezui ishte Krishti, Mesia i premtuar. (Veprat 2:32-36, 41) Ata që u besuan fjalëve të apostujve u bënë dëshmitarë të Jezuit. Edhe këta nisën të predikonin për domethënien e jetës, të vdekjes e të ringjalljes së Jezuit.—Veprat 17:2, 3; 18:5.

 «Deri në skajin më të largët të tokës.» Kjo shprehje mund të përkthehet edhe «në pjesët më të largëta të tokës» ose «në vende të tjera». Fjalët e Jezuit tregojnë se sa larg do të shkonin dishepujt që të jepnin dëshmi për të. Ata do të udhëtonin përtej Judesë e Samarisë që t’u tregonin të tjerëve çfarë besonin. Në fakt do të mbulonin një territor goxha më të madh e do të flitnin me shumë më tepër njerëz nga ç’foli Jezui. (Mateu 28:19; Gjoni 14:12) S’kishin kaluar ende 30 vjet që kur Jezui kishte thënë këto fjalë, dhe apostulli Pavël shkroi se lajmi i mirë për Jezuin ‘u ishte predikuar të gjitha krijesave nën qiell’, madje edhe në vende të largëta si Roma, Parta (në juglindje të Detit Kaspik) dhe Afrika e Veriut.—Kolosianëve 1:23; Veprat 2:5, 9-11.

Konteksti i Veprave 1:8

 Libri i Veprave nis duke treguar vazhdimin e ngjarjeve për të cilat flitet te fundi i Ungjillit të Lukës. (Luka 24:44-49; Veprat 1:4, 5) Shkrimtari i këtij libri, dishepulli Lukë, e fillon tregimin duke përshkruar si iu shfaq Jezui dishepujve pasi u ringjall. (Veprat 1:1-3) Pastaj flet për formimin e kongregacionit të krishterë dhe për rritjen e tij gjatë viteve 33 të e.s. deri rreth 61 të e.s.—Veprat 11:26.

 Konteksti i Veprave 1:8 tregon se dishepujt e Jezuit po vritnin mendjen nëse Jezui do të niste të qeveriste si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë gjatë jetës së tyre. (Veprat 1:6) Ndaj, Jezui u tha të mos merakoseshin së tepërmi se kur do të ndodhte kjo. (Veprat 1:7) Përkundrazi, dishepujt duhej të përqendroheshin te dhënia e dëshmisë për Jezuin deri «në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Edhe të krishterët sot ndjekin të njëjtin model duke predikuar plot zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 24:14.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Veprave.

a Fryma e shenjtë e Perëndisë është fuqia e tij në veprim, forca e tij aktive. (Zanafilla 1:2) Për më tepër informacion, lexo artikullin «Çfarë është fryma e shenjtë?»