SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Zbulesa 21:4—«Perëndia do të thajë çdo lot»
«Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4, Përkthimi Bota e Re.
«Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.
Kuptimi i Zbulesës 21:4
Perëndia premton të eliminojë jo vetëm dhembjet dhe vuajtjet që mundojnë njerëzit sot, por edhe shkaqet e tyre.
«Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.» Këto fjalë përforcojnë premtimin e Jehovait a të dokumentuar nga profeti Isaia se Ai «do të fshijë lotët nga çdo fytyrë». (Isaia 25:8; Zbulesa 7:17) Kjo shprehje flet për dhembshurinë që ka Perëndia për të gjithë ata që derdhin lot, ngaqë u ka vdekur një njeri i dashur ose ngaqë vuajnë për arsye të tjera.
«Nuk do të ketë më vdekje.» Kjo shprehje mund të përkthehet «vdekja nuk do të ekzistojë më» ose «vdekja nuk do të jetë më». Zoti premton se do të eliminojë vdekjen dhe vuajtjet që shkakton ajo. Përveç kësaj do të ketë ringjallje të të vdekurve. (1 Korintasve 15:21, 22) Me pak fjalë, vdekja «do të asgjësohet».—1 Korintasve 15:26.
«Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.» Premtimi i Perëndisë nuk do të thotë që njerëzit do të bëhen të pandjeshëm ndaj çdo lloj dhembjeje, përfshirë dhembjet fizike që sinjalizojnë rrezik ose një dëmtim të mundshëm. Përkundrazi, ky premtim tregon se nuk do të ketë më dhembje emocionale, mendore dhe fizike të shkaktuara nga mëkati b dhe papërsosmëria.—Romakëve 8:21, 22.
«Gjërat e mëparshme shkuan.» Kjo shprehje e fundit përmbledh ndryshimet rrënjësore që do të përjetojnë njerëzit. Një vepër referimi thotë: «Mënyra e mëparshme e të jetuarit, ku vdekja, vajtimi, lotët dhe dhembja ishin pjesë e pandashme e ekzistencës njerëzore, do të zëvendësohet me një mënyrë jetese të re.» Atëherë njerëzit do të shijojnë përgjithmonë jetën në kushte të përsosura, ashtu siç ishte qëllimi fillestar i Perëndisë.—Zanafilla 1:27, 28.
Konteksti i Zbulesës 21:4
Në fillim të kapitullit 21, apostulli Gjon përshkruan çfarë pa në një vegim: «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re.» (Zbulesa 21:1) Ai po përdor një gjuhë të figurshme për të përshkruar një ndryshim drastik që është parathënë edhe në vargje të tjera të Biblës. (Isaia 65:17; 66:22; 2 Pjetrit 3:13) Qeveria qiellore e Perëndisë ose ‘qielli i ri’, do të zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore dhe do të qeverisë mbi «një tokë të re», pra mbi një shoqëri të re njerëzore që do të jetojë në tokë.—Isaia 65:21-23.
Çfarë na tregon se vegimi i referohet jetës në tokë? Së pari, premtimi i Perëndisë paraprihet nga këto fjalë: «Tenda e Perëndisë është me njerëzit.» (Zbulesa 21:3) Pra, ky premtim nuk u është dhënë engjëjve në qiell, por njerëzve në tokë. Së dyti, vegimi përshkruan një botë ku «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:4) Vdekja nuk ka ekzistuar kurrë në qiell, ajo ka prekur vetëm njerëzit në tokë. (Romakëve 5:14) Prandaj është logjike të arrijmë në përfundimin se ky varg përshkruan si do të jenë kushtet në tokë në të ardhmen.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Zbulesës.
a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin: «Kush është Jehovai?»
b Në Bibël, fjala «mëkat» i referohet çdo veprimi ose mosveprimi, ndjenje a mendimi që nuk është sipas standardeve të Perëndisë. (1 Gjonit 3:4) Shih artikullin: «Çfarë është mëkati?»