Libri i parë i Mbretërve 1:1-53

  • Davidi dhe Abishaga (1-4)

  • Adonijahu kërkon të marrë fronin (5-10)

  • Natani dhe Betsheba veprojnë (11-27)

  • Davidi urdhëron që të mirosin Solomonin (28-40)

  • Adonijahu ia mbath për te altari (41-53)

1  Tani, mbreti David ishte i plakur+ dhe i shkuar në moshë. Edhe pse e mbulonin me rroba, nuk ngrohej dot.  Kështu, shërbëtorët i thanë: «Na lejo të kërkojmë një vajzë të virgjër për zotërinë tonë, mbretin, e cila do t’i shërbejë dhe do të kujdeset për të. Ajo do të shtrihet në krahët e tij, që zotëria ynë, mbreti, të ngrohet.»  Në gjithë territorin e Izraelit kërkuan një vajzë të bukur dhe gjetën shunamiten+ Abishagë+ e ia sollën mbretit.  Vajza ishte tej mase e bukur, dhe u bë kujdestarja e mbretit e i shërbeu atij, por ai nuk kreu marrëdhënie me të.  Ndërkohë Adonijahu,+ djali i Hagitës, e lartësonte veten dhe thoshte: «Unë do të bëhem mbret!» Ai kishte bërë një karrocë e kishte marrë disa kalorës dhe 50 burra që të vraponin para tij.+  Por babai i vet nuk e kishte qortuar* asnjëherë duke i thënë: «Pse e bëre këtë?» Gjithashtu Adonijahu ishte shumë i bukur, e kishte lindur pas Absalomit.  Adonijahu foli me Joabin, djalin e Zerujasë, dhe me priftin Abiatar.+ Këta i ofruan ndihmë dhe përkrahje.+  Por prifti Sadok,+ Benajahu,+ djali i Jehojadës, profeti Natan,+ Shimei,+ Rei dhe luftëtarët e fuqishëm të Davidit+ nuk e mbështetën Adonijahun.  Një ditë, Adonijahu flijoi+ dhen, gjedhë dhe kafshë të majme pranë gurit të Zoheletit, afër En-Rogelit. Ai ftoi gjithë vëllezërit e tij, djemtë e mbretit, dhe gjithë burrat e Judës që ishin në shërbim të mbretit. 10  Por nuk ftoi profetin Natan, Benajahun, luftëtarët e fuqishëm të Davidit dhe Solomonin, vëllanë e vet. 11  Atëherë Natani+ i tha Betshebës,+ nënës së Solomonit:+ «Nuk e ke dëgjuar se Adonijahu,+ djali i Hagitës, është bërë mbret dhe Davidi, zotëria ynë, nuk di gjë fare? 12  Prandaj të lutem, më lër të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe jetën e djalit tënd, Solomonit.+ 13  Shko te mbreti David dhe thuaji: “O mbret, zotëria im, a nuk iu betove ti shërbëtores sate: ‘Solomoni, djali yt, do të bëhet mbret pas meje dhe do të ulet në fronin tim.’+ Atëherë pse është bërë mbret Adonijahu?” 14  Kur ti të jesh ende duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të vërtetoj fjalët e tua.» 15  Kështu, Betsheba shkoi te mbreti, në dhomën e tij të gjumit. Mbreti ishte shumë i moshuar dhe i shërbente shunamitja Abishagë.+ 16  Atëherë Betsheba u përkul thellë me fytyrë përtokë para mbretit. Mbreti tha: «Cila është kërkesa jote?» 17  Ajo iu përgjigj: «Zotëria im, ti iu betove shërbëtores sate për Jehovain, Perëndinë tënd: ‘Solomoni, djali yt, do të bëhet mbret pas meje dhe do të ulet në fronin tim.’+ 18  Por ja, mbret është bërë Adonijahu, dhe zotëria im, mbreti, nuk di gjë fare.+ 19  Ai flijoi shumë dema, kafshë të majme e dhen dhe ftoi gjithë djemtë e mbretit, priftin Abiatar dhe Joabin, kreun e ushtrisë,+ kurse shërbëtorin tënd, Solomonin, nuk e ftoi.+ 20  Tani, o zotëria im, o mbret, sytë e gjithë Izraelit janë te ti, për t’i treguar se kush do të ulet në fronin e zotërisë tim, mbretit, pas tij. 21  Përndryshe, sapo zotëria im, mbreti, të prehet me paraardhësit e vet, unë dhe djali im, Solomoni, do të konsiderohemi tradhtarë.» 22  E ndërsa ajo po fliste ende me mbretin, hyri profeti Natan.+ 23  Menjëherë mbretin e njoftuan: «Ka ardhur profeti Natan!» Ai shkoi para mbretit dhe u përkul me fytyrë përtokë para tij. 24  Atëherë Natani tha: «O zotëria im, o mbret, a ke thënë ti: ‘Adonijahu do të bëhet mbret pas meje dhe do të ulet në fronin tim.’+ 25  Sot ai zbriti që të flijojë+ shumë dema, kafshë të majme e dhen dhe ftoi gjithë djemtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiatar.+ Ata po hanë e po pinë me të dhe thonë: ‘Rroftë mbreti Adonijah!’ 26  Kurse mua, shërbëtorin tënd, priftin Sadok, Benajahun,+ djalin e Jehojadës, dhe Solomonin, shërbëtorin tënd, nuk na ftoi. 27  A ka autorizuar zotëria im, mbreti, se kush do të ulet në fronin e zotërisë tim, mbretit, pas tij, pa ia treguar shërbëtorit tënd?» 28  Atëherë mbreti David tha: «Më thërritni Betshebën.» Kështu ajo hyri dhe qëndroi para mbretit. 29  Atëherë mbreti u betua: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ai që më shpëtoi* nga të gjitha vuajtjet,+ 30  sot kam për të bërë ashtu si t’u betova për Jehovain, Perëndinë e Izraelit, kur thashë: ‘Solomoni, djali yt, do të bëhet mbret pas meje dhe do të ulet në fron në vendin tim!’» 31  Atëherë Betsheba u përkul thellë me fytyrë përtokë para mbretit dhe tha: «Zotëria im, mbreti David, rroftë përjetë!» 32  Menjëherë mbreti David tha: «Më thërritni priftin Sadok, profetin Natan dhe Benajahun,+ djalin e Jehojadës.»+ Dhe këta u paraqitën te mbreti. 33  Mbreti u tha: «Merrni me vete shërbëtorët e mi, hipeni djalin tim Solomon në mushkën time+ dhe çojeni poshtë në Gihon.+ 34  Atje, prifti Sadok e profeti Natan do ta mirosin*+ si mbret të Izraelit. Pas kësaj bjerini bririt dhe thoni: ‘Rroftë mbreti Solomon!’+ 35  Pastaj kthehuni e ndiqeni nga pas, dhe ai do të hyjë e do të ulet në fronin tim. Ai do të jetë mbret në vendin tim, dhe unë do ta caktoj si prijës të Izraelit dhe të Judës.» 36  Menjëherë Benajahu, djali i Jehojadës, i tha mbretit: «Amin! Jehovai, Perëndia i zotërisë tim, mbretit, i bëftë të vërteta këto fjalë! 37  Ashtu siç ka qenë Jehovai me zotërinë tim, mbretin, kështu qoftë edhe me Solomonin,+ dhe e lartësoftë fronin e tij më tepër se fronin e zotërisë tim, mbretit David!»+ 38  Atëherë prifti Sadok, profeti Natan, Benajahu,+ djali i Jehojadës, keretitët e peletitët+ zbritën, e hipën Solomonin në mushkën e mbretit David+ dhe e çuan në Gihon.+ 39  Prifti Sadok mori nga tenda+ bririn e vajit+ dhe mirosi Solomonin.+ Ata filluan t’i binin bririt, dhe i gjithë populli nisi të brohoriste: «Rroftë mbreti Solomon!» 40  Pastaj gjithë populli e ndoqi dhe u ngjit, duke u rënë fyejve dhe duke gëzuar me të madhe, aq sa toka po dridhej* nga zhurma që bënin.+ 41  Adonijahu dhe gjithë të ftuarit e tij e dëgjuan zhurmën kur kishin mbaruar së ngrëni.+ Me të dëgjuar tingullin e bririt, Joabi tha: «Pse është kjo zhurmë e madhe në qytet?» 42  Ndërsa ishte ende duke folur, erdhi Jonatani,+ djali i priftit Abiatar. Atëherë Adonijahu i tha: «Hyr, sepse ti je burrë i mirë* dhe duhet të sjellësh lajme të mira.» 43  Por Jonatani iu përgjigj: «Aspak! Zotëria ynë, mbreti David, ka bërë mbret Solomonin. 44  Mbreti dërgoi me të priftin Sadok, profetin Natan, Benajahun, djalin e Jehojadës, keretitët e peletitët, dhe ata e hipën në mushkën e mbretit.+ 45  Pastaj prifti Sadok dhe profeti Natan e mirosën si mbret në Gihon. Pas kësaj u ngjitën të gëzuar, dhe qyteti zien. Kjo ishte zhurma që dëgjuat. 46  Veç kësaj, Solomoni u ul në fronin mbretëror. 47  Edhe diçka tjetër: shërbëtorët e mbretit vajtën ta urojnë Davidin, zotërinë tonë, mbretin, me fjalët: ‘Perëndia yt e bëftë emrin e Solomonit më të shkëlqyer se emrin tënd, dhe e lartësoftë fronin e tij më tepër se fronin tënd!’ Pastaj mbreti u mbështet në kokën e shtratit, u përkul përpara Perëndisë 48  dhe tha: ‘Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që sot ka caktuar dikë që të ulet në fronin tim dhe ka lejuar ta shoh këtë me sytë e mi!’» 49  Gjithë të ftuarit e Adonijahut, u çuan të tmerruar dhe ikën secili në rrugën e vet. 50  Edhe Adonijahu, i frikësuar nga Solomoni, shkoi dhe mbërtheu fort brirët e altarit.+ 51  Solomonin e njoftuan: «Ja, Adonijahu është frikësuar nga mbreti Solomon, ka mbërthyer fort brirët e altarit dhe thotë: ‘Le të më betohet më parë mbreti Solomon se nuk do ta vrasë me shpatë shërbëtorin e tij.’» 52  Atëherë Solomoni tha: «Nëse sillet ashtu siç duhet, nuk do t’i bjerë përtokë as edhe një fije floku, por nëse tek ai gjendet diçka e keqe,+ ka për të vdekur.» 53  Kështu, mbreti Solomon dërgoi njerëz që ta zbritnin nga altari. Pastaj ai hyri e u përkul para mbretit Solomon që i tha: «Shko në shtëpinë tënde.»

Shënimet

Ose «nuk ia kishte prishur qejfin».
Ose «që e shpengoi shpirtin tim».
Fjalë për fjalë «po çahej».
Ose «i nderuar».