Libri i parë i Mbretërve 12:1-33

  • Rehoboami përgjigjet ashpër (1-15)

  • Dhjetë fise rebelohen (16-19)

  • Jeroboami bëhet mbret i Izraelit (20)

  • Rehoboami nuk duhet të luftojë kundër Izraelit (21-24)

  • Adhurimi i viçave që bëri Jeroboami (25-33)

12  Rehoboami shkoi në Sikem,+ sepse gjithë Izraeli kishte vajtur atje për ta bërë mbret.+  Jeroboami, biri i Nebatit, dëgjoi për këtë. (Ai ndodhej ende në Egjipt, sepse ia kishte mbathur për shkak të mbretit Solomon dhe banonte atje.)+  Atëherë dërguan njerëz ta thërritnin. Pastaj Jeroboami dhe tërë kongregacioni i Izraelit shkuan te Rehoboami dhe i thanë:  «Ati yt na e bëri zgjedhën të rëndë.+ Por, nëse ti na e lehtëson punën e rëndë që na ngarkoi dhe zgjedhën e rëndë që na vuri, ne do të të shërbejmë.»  Atëherë ai u tha: «Ikni dhe kthehuni tek unë pas tri ditësh.» Kështu populli iku.+  Pastaj mbreti Rehoboam u konsultua* me burrat e moshuar* që i kishin shërbyer Solomonit, atit të tij, ndërsa ishte gjallë, dhe i pyeti: «Ç’më këshilloni, si t’i përgjigjem këtij populli?»  Ata iu përgjigjën: «Nëse sot bëhesh shërbëtor i këtij populli, ia pranon kërkesën dhe i jep një përgjigje të kënaqshme, ata do të të shërbejnë përgjithmonë.»  Mirëpo ai e hodhi poshtë këshillën që i dhanë burrat e moshuar* dhe u konsultua me të rinjtë që ishin rritur me të e që tani ishin shërbëtorët e tij.+  Ai i pyeti: «Ç’më këshilloni, si t’i përgjigjem këtij populli që më ka thënë: ‘Na e lehtëso zgjedhën që na vuri ati yt.’» 10  Të rinjtë që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që të ka thënë: ‘Ati yt na e bëri zgjedhën të rëndë, por ti na e lehtëso’, thuaji kështu: ‘Gishti im i vogël do të jetë më i trashë se mesi i tim eti. 11  Im atë ju ngarkoi një zgjedhë të rëndë, por unë do t’jua bëj edhe më të rëndë. Im atë ju ndëshkoi me thupër, kurse unë do t’ju ndëshkoj me kamxhik.’» 12  Jeroboami dhe tërë populli vajtën te Rehoboami ditën e tretë, ashtu siç u kishte thënë mbreti: «Kthehuni tek unë ditën e tretë.»+ 13  Por mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e hodhi poshtë këshillën që i kishin dhënë burrat e moshuar;* 14  ai ndoqi këshillën e të rinjve dhe u tha: «Im atë jua bëri zgjedhën të rëndë, por unë do t’jua bëj edhe më të rëndë. Im atë ju ndëshkoi me thupër, kurse unë do t’ju ndëshkoj me kamxhik.» 15  Kështu mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse Jehovai bëri që ngjarjet të rridhnin kështu,+ me qëllim që të përmbushej fjala që Jehovai kishte thënë për Jeroboamin, birin e Nebatit, nëpërmjet Akijahut,+ shilonitit. 16  Kur pa se mbreti nuk pranoi ta dëgjonte, gjithë Izraeli* ia ktheu mbretit: «Ç’lidhje kemi ne me Davidin?! Nuk kemi asnjë trashëgimi nga djali i Jeseut. Shko te perënditë e tua, o Izrael! Tani kujdesu vetë për shtëpinë tënde, o David!» Atëherë Izraeli u kthye në shtëpitë* e veta.+ 17  Megjithatë Rehoboami vazhdoi të mbretëronte mbi izraelitët që banonin në qytetet e Judës.+ 18  Pastaj mbreti Rehoboam dërgoi Adoramin,+ i cili ishte përgjegjës i të rekrutuarve për punë të detyruar, por gjithë Izraeli e goditi me gurë derisa vdiq. Mbreti Rehoboam arriti të hipte në karrocën e tij që t’ia mbathte për në Jerusalem.+ 19  Izraelitët e vazhdojnë rebelimin+ e tyre kundër shtëpisë së Davidit deri sot e kësaj dite. 20  Kur dëgjoi se Jeroboami ishte kthyer, gjithë Izraeli e thirri para asamblesë dhe e bëri mbret mbi Izraelin.+ Përveç fisit të Judës,+ askush nuk e ndoqi më shtëpinë e Davidit. 21  Sapo mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi menjëherë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, 180.000 luftëtarë të stërvitur* që të luftonin kundër shtëpisë së Izraelit, me qëllim që t’ia kthenin mbretërinë Rehoboamit, birit të Solomonit.+ 22  Atëherë fjala e Perëndisë së vërtetë iu drejtua Shemajahut,+ njeriut të Perëndisë së vërtetë: 23  «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit, mbretit të Judës, gjithë shtëpisë së Judës, Beniaminit, dhe pjesës tjetër të popullit: 24  “Kështu thotë Jehovai: ‘Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj izraelitë. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse unë bëra që të ndodhë kjo gjë.’”»+ Kështu, ata iu bindën fjalës së Jehovait dhe u kthyen në shtëpi ashtu siç u kishte thënë Jehovai. 25  Pastaj Jeroboami fortifikoi* Sikemin+ në rajonin malor të Efraimit dhe banoi atje. Që andej, iku dhe fortifikoi Penuelin.+ 26  Jeroboami tha me vete: «Mbretëria ka mundësi t’i kthehet shtëpisë së Davidit.+ 27  Nëse ky popull vazhdon të ngjitet për të bërë flijime në shtëpinë e Jehovait në Jerusalem,+ zemra e këtij populli do të kthehet te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Me siguri kanë për të më vrarë dhe kanë për t’u kthyer te Rehoboami, mbreti i Judës.» 28  Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari+ dhe i tha popullit: «Mos u lodhni të ngjiteni deri në Jerusalem. O Izrael, ja ku është Perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit.»+ 29  Pastaj njërin e vuri në Bethel,+ kurse tjetrin në Dan.+ 30  Kjo bëri që populli të mëkatonte;+ populli shkonte deri në Dan që të adhuronte atje viçin prej ari. 31  Jeroboami bëri shenjtërore në vende të larta dhe emëroi si priftërinj njerëz të zakonshëm që nuk ishin levitë.+ 32  Gjithashtu, Jeroboami themeloi një festë ditën e 15-të të muajit të 8-të, të ngjashme me festën që mbahej në Judë.+ Në altarin që kishte ngritur në Bethel,+ ai paraqiti flijime për viçat prej ari që kishte bërë. Në Bethel caktoi priftërinj për vendet e larta që kishte ngritur. 33  Kështu ditën e 15-të të muajit të 8-të, muaj që e kishte zgjedhur vetë, ai filloi të bënte blatime në altarin që kishte ngritur në Bethel; themeloi një festë për popullin e Izraelit dhe u ngjit në altar të bënte blatime e të paraqiste tym blatimesh.

Shënimet

Ose «u këshillua».
Ose «pleqtë».
Ose «pleqtë».
Ose «pleqtë».
Ka të ngjarë t’u referohet dhjetë fiseve veriore të Izraelit.
Fjalë për fjalë «tendat».
Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
Ose «ndërtoi».