Libri i parë i Mbretërve 14:1-31

  • Akijahu profetizon kundër Jeroboamit (1-20)

  • Rehoboami mbretëron në Judë (21-31)

14  Në atë kohë, Abijahu, djali i Jeroboamit, u sëmur.  Prandaj Jeroboami i tha së shoqes: «Të lutem, çohu dhe maskohu, që të mos merret vesh se je gruaja ime. Pastaj shko në Shiloh. Atje ndodhet profeti Akijah, i cili më tha se do të bëhesha mbret i këtij populli.+  Merr me vete dhjetë bukë, kuleç dhe një poç mjaltë e shko te profeti. Atëherë ai do të të tregojë se çfarë do t’i ndodhë djalit.»*  Gruaja e Jeroboamit bëri siç i tha ai. U çua e shkoi në Shiloh+ te shtëpia e profetit. Akijahu nuk i lëvizte sytë dhe nuk shihte për shkak të moshës.  Por Jehovai i kishte treguar Akijahut: «Ja, gruaja e Jeroboamit po vjen të të pyesë për të birin e sëmurë. Do të të them çfarë t’i thuash.* Kur të mbërrijë, ajo do të hiqet si dikush tjetër.»  Sapo dëgjoi zhurmën e hapave kur ajo po futej në hyrje, Akijahu tha: «Hyr, o gruaja e Jeroboamit. Pse hiqesh si dikush tjetër? Mua më kanë caktuar të të jap një lajm të keq.  Shko e thuaji Jeroboamit: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Unë të ngrita nga mesi i popullit tënd, që të të bëja prijës të popullit tim, Izraelit.+  Pastaj ia hoqa mbretërinë shtëpisë së Davidit e ta dhashë ty.+ Por ti nuk u bëre si shërbëtori im David që i zbatoi urdhërimet e mia dhe më ndoqi me gjithë zemër, duke bërë vetëm atë që ishte e drejtë në sytë e mi.+  Ti veprove më keq se të gjithë pararendësit e tu, bëre një perëndi tjetër e shëmbëlltyra prej metali* për të më fyer,+ dhe më ktheve krahët.+ 10  Prandaj, unë do të sjell të këqija mbi shtëpinë e Jeroboamit, dhe do të shfaros nga shtëpia e Jeroboamit çdo mashkull,* përfshirë të pambrojturit e të dobëtit në Izrael. Do t’i vë fshesën gjithë shtëpisë së Jeroboamit,+ ashtu si fshihen bajgat derisa të mos mbetet asgjë. 11  Ata të shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet, do t’i hanë qentë, kurse ata që do të vdesin në arë, do t’i hanë zogjtë e qiellit, sepse këtë e ka thënë Jehovai.’” 12  Tani çohu dhe shko në shtëpi. Sapo të vësh këmbë në qytet, djali* do të vdesë. 13  Tërë Izraeli do të mbajë zi për të dhe do ta varrosë, sepse ai do të jetë i vetmi nga familja e Jeroboamit që do të varroset, meqë vetëm tek ai nga gjithë shtëpia e Jeroboamit, Jehovai, Perëndia i Izraelit, ka gjetur diçka të mirë. 14  Po vjen dita, madje tashmë ka ardhur, kur Jehovai do të vendosë për vete një mbret në Izrael që do ta shfarosë shtëpinë e Jeroboamit.+ 15  Jehovai do ta godasë Izraelin, i cili do të jetë si një kallam që përkulet në ujë, dhe do ta shkulë me rrënjë nga kjo tokë e mirë që u dha paraardhësve të tij.+ Ai do ta shpërndajë atë matanë Lumit,*+ sepse bëri shtylla të shenjta,*+ duke e fyer Jehovain. 16  Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve që ka kryer Jeroboami, me të cilat e ka shtyrë edhe Izraelin të mëkatojë.»+ 17  Atëherë gruaja e Jeroboamit u nis dhe vajti në Tirzah. Kur arriti te pragu i shtëpisë, djali* vdiq. 18  Kështu e varrosën dhe tërë Izraeli mbajti zi për të, si kishte thënë Jehovai me anë të shërbëtorit të tij, profetit Akijah. 19  Pjesa tjetër e historisë së Jeroboamit, si luftoi+ dhe si mbretëroi, është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit. 20  Jeroboami mbretëroi për 22 vjet, e në fund u preh me paraardhësit e vet;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Nadabi.+ 21  Ndërkohë Rehoboami, biri i Solomonit, ishte bërë mbret në Judë. Rehoboami ishte 41 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 17 vjet në Jerusalem, në qytetin që Jehovai e kishte zgjedhur+ ndër gjithë fiset e Izraelit si vendin për të vënë emrin e tij.+ Nëna e tij quhej Namaha dhe ishte amonite.+ 22  Njerëzit e Judës bënë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait+ dhe me mëkatet që kryen, e provokuan më shumë se paraardhësit e tyre.+ 23  Edhe ata ndërtuan vende të larta, kolona të shenjta dhe shtylla të shenjta*+ në çdo kodër të lartë+ dhe nën çdo pemë të harlisur.+ 24  Në vend kishte edhe burra që e shitnin veten si prostitutë në tempull;+ populli bënte gjithë gjërat e neveritshme të kombeve që Jehovai kishte dëbuar para izraelitëve. 25  Në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku,+ mbreti i Egjiptit, doli kundër Jerusalemit.+ 26  Ai mori thesarin e shtëpisë së Jehovait dhe thesarin e shtëpisë së mbretit.*+ Ai mori çdo gjë, përfshirë edhe gjithë mburojat prej ari që kishte bërë Solomoni.+ 27  Prandaj, për t’i zëvendësuar, mbreti Rehoboam bëri mburoja prej bakri dhe ua besoi krerëve të rojave* që ruanin hyrjen e shtëpisë së mbretit. 28  Sa herë që mbreti shkonte në shtëpinë e Jehovait, rojat i merrnin ato dhe pastaj i kthenin në dhomën e rojave. 29  Pjesa tjetër e historisë së Rehoboamit, gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës?+ 30  Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit kishte vazhdimisht luftë.+ 31  Në fund Rehoboami u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën me ta në Qytetin e Davidit.+ Nëna e tij quhej Namaha dhe ishte amonite.+ Në vend të tij u bë mbret i biri, Abijami.*+

Shënimet

Ose «të riut».
Ose «Ti do t’i thuash asaj kështu e kështu».
Ose «shtatore të derdhura».
Fjalë për fjalë «këdo që urinon në mur». Në hebraisht kjo është një shprehje përçmuese për meshkujt.
Ose «i riu».
Domethënë, Eufratit.
Ose «i riu».
Ose «e pallatit mbretëror».
Fjalë për fjalë «të vrapuesve».
Quhet edhe Abijah.