Libri i parë i Mbretërve 16:1-34

  • Gjykimi i Jehovait kundër Bashës (1-7)

  • Elahu, mbret i Izraelit (8-14)

  • Zimri, mbret i Izraelit (15-20)

  • Omri, mbret i Izraelit (21-28)

  • Akabi, mbret i Izraelit (29-33)

  • Hieli rindërton Jerikonë (34)

16  Atëherë me anë të Jehut,+ birit të Hananit,+ Jehovai i drejtoi Bashës këto fjalë:  «Të ngrita nga pluhuri dhe të bëra prijës të popullit tim, Izraelit,+ por ti vazhdove të ecje në gjurmët e Jeroboamit dhe e bëre të mëkatonte popullin tim, Izraelin, kështu që ata më fyen me mëkatet e tyre.+  Prandaj unë do t’i vë fshesën gjithë shtëpisë sate dhe do të bëj me shtëpinë tënde ashtu si bëra me shtëpinë e Jeroboamit,+ birit të Nebatit.  Ata të shtëpisë sate që do të vdesin në qytet, do t’i hanë qentë, kurse ata që do të vdesin në arë, do t’i hanë zogjtë e qiellit.»  Pjesa tjetër e historisë së Bashës, ato që bëri dhe bëmat e tij, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit?  Në fund Basha u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Tirzah;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Elahu.  Gjithashtu, me anë të profetit Jehu, birit të Hananit, Jehovai tha se Basha dhe shtëpia e tij do të bëheshin si shtëpia e Jeroboamit, jo vetëm sepse bëri gjithë atë të keqe me duart e tij në sytë e Jehovait, duke e fyer atë, por edhe sepse vrau Nadabin.+  Në vitin e 26-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, Elahu, biri i Bashës u bë mbret i Izraelit në Tirzah. Ai mbretëroi dy vjet.  Shërbëtori i vet, Zimri, kreu që mbikëqyrte gjysmën e karrocave të luftës, komplotoi kundër Elahut ndërsa ky ishte në Tirzah duke u dehur në shtëpinë e Arzait, përgjegjësit të shtëpisë së mbretit në Tirzah. 10  Zimri hyri brenda, e goditi dhe e vrau;+ pastaj u bë mbret në vend të tij. Kjo ndodhi në vitin e 27-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. 11  Sapo u bë mbret dhe u ul në fron, ai vrau të gjithë ata të shtëpisë së Bashës. Nuk ia kurseu jetën asnjë mashkulli,* qoftë të afërmve* a miqve të tij. 12  Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Bashës, sipas fjalës që kishte thënë Jehovai kundër Bashës me anë të profetit Jehu.+ 13  E gjithë kjo ndodhi për shkak të gjithë mëkateve që kishin bërë Basha dhe Elahu, biri i tij, me të cilat kishin shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte duke e fyer Jehovain, Perëndinë e Izraelit, me idhujt e tyre të kotë.+ 14  Pjesa tjetër e historisë së Elahut, gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 15  Në vitin e 27-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, Zimri mbretëroi shtatë ditë në Tirzah, ndërkohë që trupat ushtarake kishin ngritur kampin për të luftuar kundër Gibetonit+ të filistinëve. 16  Pastaj trupat ushtarake dëgjuan të thuhej: «Zimri ka komplotuar kundër mbretit dhe e ka vrarë.» Kështu atë ditë, në kamp, tërë Izraeli bëri mbret Omrin,+ kreun e ushtrisë. 17  Omri bashkë me gjithë Izraelin erdhën nga Gibetoni dhe rrethuan Tirzahun. 18  Kur pa që qyteti ishte pushtuar, Zimri hyri në kullën e fortifikuar të shtëpisë së mbretit.* Ai i vuri zjarrin shtëpisë, e kështu vdiq edhe vetë brenda.+ 19  Kjo ndodhi si pasojë e mëkateve që kishte kryer, duke bërë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, pasi kishte ecur në gjurmët e Jeroboamit, dhe për shkak të mëkatit që kishte shtyrë Izraelin të mëkatonte.+ 20  Pjesa tjetër e historisë së Zimrit, si dhe komploti që thuri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 21  Në atë kohë, populli i Izraelit ishte ndarë në dy pjesë. Një pjesë ndoqi Tibnin, birin e Ginatit, dhe donte ta bënte mbret, ndërsa pjesa tjetër ndoqi Omrin. 22  Por populli që ndiqte Omrin mposhti ata që ndiqnin Tibnin, birin e Ginatit. Kështu Tibni vdiq, kurse Omri u bë mbret. 23  Omri u bë mbret në Izrael në vitin e 31-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, dhe mbretëroi 12 vjet. Në Tirzah mbretëroi 6 vjet. 24  Ai bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talenta* argjendi. Në këtë mal ndërtoi një qytet, të cilit ia vuri emrin Samari,*+ sipas emrit të Shemerit, pronarit* të malit. 25  Omri vazhdoi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe veproi më keq se të gjithë pararendësit e tij.+ 26  Ai eci plotësisht në gjurmët e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe kreu po ato mëkate me të cilat kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte, duke e fyer Jehovain, Perëndinë e Izraelit, me idhujt e tyre të kotë.+ 27  Pjesa tjetër e historisë së Omrit, ato që bëri dhe bëmat e tij, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 28  Më vonë Omri u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari; në vend të tij u bë mbret i biri, Akabi.+ 29  Akabi, biri i Omrit, u bë mbret i Izraelit në vitin e 38-të të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. Ai mbretëroi 22 vjet në Samari si mbret i Izraelit.+ 30  Në sytë e Jehovait, Akabi, biri i Omrit, ishte më i keq se të gjithë pararendësit e tij.+ 31  Dhe sikur të mos mjaftonte që kreu të njëjtat mëkate që bëri Jeroboami,+ biri i Nebatit, mori për grua Jezebelën,+ bijën e Etbaalit, mbretit të sidonitëve,+ dhe filloi t’i shërbente Baalit+ e të përkulej para atij. 32  Veç kësaj ngriti një altar për Baalin+ në tempullin* që kishte ndërtuar për të në Samari. 33  Akabi bëri edhe shtyllën e shenjtë.*+ Ai bëri gjëra të këqija që e fyenin Jehovain, Perëndinë e Izraelit, më shumë se gjithë mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij. 34  Gjatë mbretërimit të Akabit, betheliti Hiel rindërtoi Jerikonë. Themelet i hodhi duke e paguar me jetën e Abiramit, të parëlindurit të tij, ndërsa portat e qytetit i ngriti duke e paguar me jetën e Segubit, djalit më të vogël, sipas fjalës që tha Jehovai me anë të Josiut, birit të Nunit.+

Shënimet

Ose «gjakmarrësve të tij».
Fjalë për fjalë «askujt që urinonte në mur». Shih 1Mb 14:10.
Ose «të pallatit mbretëror».
Fjalë për fjalë «të zotit».
Do të thotë «e klanit të Shemerit».
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Ose «shtëpinë».