Libri i parë i Mbretërve 17:1-24

  • Profeti Elija parathotë një thatësirë (1)

  • Korbat ushqejnë Elijan (2-7)

  • Elija viziton një vejushë në Zarefat (8-16)

  • Djali i vejushës vdes dhe ringjallet (17-24)

17  Tani Elija,*+ tishbiti, që banonte në Galad,+ i tha Akabit: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia i Izraelit, të cilit i shërbej,* gjatë këtyre viteve nuk do të bjerë as vesë, as shi, përveçse me urdhrin tim!»+  Jehovai i drejtoi Elijas këto fjalë:  «Ik që këtej, shko drejt lindjes dhe fshihu në luginën e Keritit,* në lindje të Jordanit.  Ti do të pish nga përroi, dhe unë do të urdhëroj korbat që të të sjellin ushqim.»+  Menjëherë ai u nis dhe bëri siç i tha Jehovai. Shkoi dhe qëndroi në luginën e Keritit,* në lindje të Jordanit.  Korbat i çonin bukë e mish në mëngjes dhe në mbrëmje, kurse ujë pinte nga përroi.+  Mirëpo, pas disa ditësh, përroi u tha,+ sepse s’kishte rënë shi në vend.  Atëherë Jehovai i drejtoi Elijas këto fjalë:  «Çohu, shko në Zarefatin e Sidonit dhe qëndro atje. Në atë vend do të urdhëroj një vejushë që të të mbajë me ushqim.»+ 10  Kështu ai u çua dhe shkoi në Zarefat. Kur arriti në hyrjen e qytetit, pa një vejushë që po mblidhte dru. Ai i thirri dhe i tha: «Të lutem, më sill pak ujë që të pi.»+ 11  Ndërsa ajo po shkonte që të merrte ujë, ai i thirri: «Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë.» 12  Ajo tha: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një grusht miell në qypin e madh e pak vaj në qypin e vogël.+ Tani po mbledh ca dru dhe do të shkoj në shtëpi e do të bëj diçka për vete dhe për djalin tim. Ky do të jetë vakti i fundit, dhe pastaj do të vdesim.» 13  Atëherë Elija ia ktheu: «Mos ki frikë. Shko në shtëpi dhe bëj si the. Por në fillim më bëj mua një bukë të vogël të rrumbullakët me miellin që të ka mbetur dhe ma sill. Pastaj mund të bësh diçka për vete dhe për djalin tënd, 14  sepse kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Mielli në qypin e madh nuk do të mbarojë dhe vaji në qypin e vogël nuk do të shterojë deri ditën kur Jehovai të sjellë shi mbi faqen e dheut.’»+ 15  Atëherë ajo shkoi dhe bëri si i tha Elija. Kështu ajo, familja e saj dhe Elija hëngrën për shumë ditë.+ 16  Mielli në qypin e madh nuk mbaroi dhe as vaji në qypin e vogël nuk shteroi, ashtu si kishte thënë Jehovai me anë të Elijas. 17  Pas këtyre gjërave, djali i asaj gruaje, i zonjës së shtëpisë, u sëmur. Sëmundja ishte aq e rëndë, saqë ai vdiq.*+ 18  Atëherë ajo i tha Elijas: «O njeri i Perëndisë së vërtetë, çfarë të kam bërë? Mos ke ardhur të më kujtosh fajet e mia dhe t’i sjellësh vdekjen djalit tim?»+ 19  Por ai ia ktheu: «Ma jep djalin.» Pastaj ia mori nga krahët, e çoi te dhoma në tarracë, ku qëndronte vetë, dhe e vuri në shtratin e tij.+ 20  Ai iu lut Jehovait: «O Jehova, Perëndia im,+ edhe vejushës tek e cila po qëndroj do t’i bësh keq duke i sjellë vdekjen djalit të saj?» 21  Pastaj u përkul tri herë mbi fëmijën dhe iu lut Jehovait: «O Jehova, Perëndia im, të lutem, ktheje në jetë këtë fëmijë!» 22  Jehovai e dëgjoi kërkesën e Elijas+ dhe fëmija u kthye në jetë e u ringjall.+ 23  Elija e mori fëmijën, e zbriti nga dhoma në tarracë poshtë në shtëpi dhe ia dha nënës duke i thënë: «Shiko, djali yt është gjallë!»+ 24  Menjëherë gruaja i tha Elijas: «Tani e di se ti je vërtet njeri i Perëndisë+ dhe se fjala e Jehovait që ke thënë, është e vërtetë.»

Shënimet

Do të thotë «Perëndia im është Jehovai».
Fjalë për fjalë «para të cilit qëndroj».
Ose «vadin e Keritit». Shih Fjalorthin.
Ose «vadin e Keritit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «nuk i mbeti frymë».