Libri i parë i Mbretërve 18:1-46

  • Elija takon Abdinë dhe Akabin (1-18)

  • Elija kundër profetëve të Baalit në malin Karmel (19-40)

    • ‘Lëkunden mes dy mendimeve’ (21)

  • Mbaron thatësira prej tre vjetësh e gjysmë (41-46)

18  Pas ca kohësh, në vitin e tretë,+ fjala e Jehovait iu drejtua Elijas: «Shko, paraqitu tek Akabi, dhe unë do të dërgoj shi në tokë.»+  Prandaj Elija shkoi të paraqitej tek Akabi. Në atë kohë, zia e bukës në Samari ishte e rëndë.+  Ndërkohë Akabi thirri Abdinë, që ishte përgjegjës për shtëpinë. (Abdia e nderonte thellësisht Jehovain.*  Kur Jezebela+ shfaroste* profetët e Jehovait, Abdia fshehu 100 profetë, 50 në një shpellë dhe 50 në një tjetër, dhe u siguronte bukë e ujë.)  Atëherë Akabi i tha Abdisë: «Dil nëpër vend dhe shko në të gjitha burimet e ujit dhe në të gjitha luginat.* Ndoshta gjejmë mjaftueshëm bar, që të mbajmë gjallë kuajt dhe mushkat e që të mos na ngordhin të gjitha kafshët.»  Kështu, ata ndanë mes tyre vendin nëpër të cilin do të shkonin. Akabi shkoi i vetëm në njërën udhë, ndërsa Abdia shkoi i vetëm në udhën tjetër.  Teksa Abdia ishte rrugës, Elija doli për ta takuar. Abdia e njohu menjëherë, u përkul me fytyrë përtokë dhe tha: «Ti je, zotëria im Elija?»+  Ai ia ktheu: «Unë jam. Shko e thuaji zotërisë tënd: ‘Elija është këtu.’»  Por Abdia tha: «Ç’mëkat kam bërë që ta dorëzosh shërbëtorin tënd tek Akabi që të më vrasë? 10  Siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia yt, nuk ka komb a mbretëri ku zotëria im të mos ketë dërguar njerëz për të të kërkuar. Pasi thoshin: ‘Nuk është këtu’, ai e vinte mbretërinë dhe kombin të betoheshin se nuk mund të të gjenin.+ 11  Tani ti thua: “Shko e thuaji zotërisë tënd: ‘Elija është këtu.’” 12  Kur unë të iki prej teje, fryma e Jehovait do të të çojë+ në një vend që s’e di, e kur t’i tregoj Akabit dhe ai nuk do të të gjejë, pa diskutim do të më vrasë. Megjithatë shërbëtori yt e ka nderuar thellësisht Jehovain* që në rini. 13  Nuk i kanë treguar zotërisë tim se çfarë bëra kur Jezebela vriste profetët e Jehovait, se si i fsheha 100 profetë të Jehovait, 50 në një shpellë e 50 në një tjetër, dhe u siguroja bukë e ujë?+ 14  Kurse ti tani thua: “Shko e thuaji zotërisë tënd: ‘Elija është këtu.’” Ai ka për të më vrarë me siguri.» 15  Megjithatë Elija tha: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai i ushtrive, të cilit i shërbej,* sot do të paraqitem tek ai.» 16  Atëherë Abdia shkoi të takonte Akabin dhe i tregoi. Kështu Akabi shkoi të takonte Elijan. 17  Sapo pa Elijan, Akabi i tha: «Ja ku qenke, ti që i ke sjellë kaq shumë telashe* Izraelit!» 18  Ai ia ktheu: «Nuk ia kam sjellë unë telashet Izraelit, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Jehovait dhe keni shkuar pas Baalëve.+ 19  E tani thirr gjithë Izraelin në malin Karmel,+ si edhe 450 profetët e Baalit dhe 400 profetët e shtyllës së shenjtë*+ që hanë në tryezën e Jezebelës.» 20  Kështu Akabi i dërgoi fjalë gjithë popullit të Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel. 21  Atëherë Elija iu afrua gjithë popullit dhe tha: «Deri kur do të lëkundeni* mes dy mendimeve?+ Nëse është Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni,+ por nëse është Baali, ndiqni atë.» Por populli nuk tha asnjë fjalë. 22  Pastaj Elija i tha popullit: «Vetëm unë kam mbetur si profet i Jehovait,+ kurse profetët e Baalit janë 450 burra. 23  Na jepni dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem, ta presin copa-copa dhe ta vënë mbi dru, por të mos i vënë zjarrin. Unë do të bëj gati demin tjetër dhe do ta vë mbi dru, por nuk do t’i vë zjarrin. 24  Atëherë ata duhet të luten në emër të perëndisë së tyre,+ kurse unë do të lutem në emër të Jehovait. Perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit, do të tregojë se është Perëndia i vërtetë.»+ Me të dëgjuar këtë, tërë populli tha: «Mirë e ke.» 25  Tani Elija u tha profetëve të Baalit: «Zgjidhni një dem të ri dhe bëjeni gati ju të parët, sepse jeni më shumë. Pastaj lutuni në emër të perëndisë tuaj, por mos i vini zjarrin.» 26  Kështu ata morën demin e ri që u dhanë, e bënë gati dhe thërritën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë, duke thënë: «O Baal, na u përgjigj!» Por s’dëgjohej zë dhe askush nuk përgjigjej.+ Ata vazhduan të kërcenin çalë-çalë rreth altarit që kishin bërë. 27  Rreth mesditës, Elija nisi t’i vinte në lojë e t’u thoshte: «Thërritni sa t’ju hajë zëri! Në fund të fundit, ai është perëndi!+ Mbase është zhytur në mendime ose ka shkuar të kryejë nevojat personale.* Ose ndoshta është në gjumë dhe dikush duhet ta zgjojë!» 28  Ata thërritnin sa u hante zëri dhe pritnin veten me shpata* e heshta sipas zakonit të tyre, derisa u shkoi gjaku çurg. 29  Kaloi mesdita e ata ende silleshin si të çmendur* deri në kohën e paraqitjes së blatimit në drithë të mbrëmjes, por përsëri s’u dëgjua asnjë zë dhe askush s’u përgjigj; askush s’ua vuri veshin.+ 30  Në fund, Elija i tha gjithë popullit: «Afrohuni tek unë.» Kështu gjithë populli u afrua dhe ai rregulloi altarin e Jehovait që ishte shembur.+ 31  Pastaj Elija mori 12 gurë, në përputhje me numrin e fiseve të bijve të Jakobit, të cilit fjala e Jehovait i kishte thënë: «Emri yt do të jetë Izrael.»+ 32  Me ata gurë ngriti një altar+ në emër të Jehovait, pastaj hapi një hendek rreth e qark tij, me një sipërfaqe aq të madhe sa mund të mbillej me dy sea* farë. 33  Pas kësaj rregulloi drutë, e preu copa-copa demin e ri dhe e vuri mbi drutë.+ Atëherë tha: «Mbushni katër qypa të mëdhenj me ujë dhe derdhini mbi blatimin që është për t’u djegur e mbi drutë.» 34  Pastaj shtoi: «Bëjeni prapë.» Ata e bënë prapë. Ai tha përsëri: «Bëjeni për herë të tretë.» E ata e bënë për herë të tretë. 35  Kështu uji shkoi rreth e qark altarit, dhe Elija mbushi me ujë edhe hendekun. 36  Në kohën e paraqitjes së blatimit në drithë të mbrëmjes,+ profeti Elija u afrua tek altari dhe tha: «O Jehova, Perëndia i Abrahamit,+ i Isakut+ dhe i Izraelit, le ta marrin vesh sot se ti je Perëndi në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se gjithë këto gjëra i kam bërë sipas fjalës sate!+ 37  Përgjigjmu, o Jehova! Përgjigjmu, që ky popull ta dijë se ti, o Jehova, je Perëndia i vërtetë dhe se po e kthen zemrën e tyre te ti!»+ 38  Atëherë nga Jehovai zbriti një zjarr që përpiu blatimin e djegur,+ drutë, gurët dhe pluhurin, madje përthau edhe ujin që ishte në hendek.+ 39  Kur tërë populli pa këtë, menjëherë u përkul me fytyrë përtokë dhe tha: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!» 40  Pastaj Elija u tha: «Kapini profetët e Baalit! Mos lini të shpëtojë as edhe një prej tyre!» Ata i kapën menjëherë dhe Elija i zbriti në përroin* e Kishonit,+ e atje i vrau.+ 41  Elija i tha Akabit: «Ngjitu lart, ha dhe pi, sepse dëgjohet zhurma e një rrebeshi të madh.»+ 42  Akabi u ngjit për të ngrënë e për të pirë, kurse Elija u ngjit në majë të Karmelit dhe u mblodh kruspull përtokë me fytyrën mes gjunjëve.+ 43  Pastaj i tha shërbëtorit të tij: «Të lutem, ngjitu më lart dhe vështro në drejtim të detit.» Kështu ai u ngjit të shikonte, dhe tha: «Nuk ka asgjë.» Shtatë herë me radhë Elija i tha: «Shko të shikosh përsëri!» 44  Herën e shtatë shërbëtori i tha: «Ja, është një re e vogël sa një pëllëmbë njeriu që ngjitet nga deti.» Atëherë Elija tha: «Shko e thuaji Akabit: ‘Mbreh kuajt e karrocës dhe zbrit para se të të zërë rrebeshi!’» 45  Ndërkohë qielli u errësua nga retë, fryu erë dhe ra një rrebesh i madh.+ Akabi ngiste kuajt dhe mori rrugën për në Jezrel.+ 46  Por fuqia* e Jehovait erdhi mbi Elijan, që mblodhi* në mes veshjen e tij, dhe vrapoi përpara Akabit deri në Jezrel.

Shënimet

Fjalë për fjalë «i frikësohej shumë Jehovait». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «krasiste».
Ose «vadet». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «i është frikësuar Jehovait». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «para të cilit qëndroj».
Fjalë për fjalë «ostracizëm».
Fjalë për fjalë «do të çaloni».
Një mundësi tjetër «ka shkuar në një udhëtim».
Ose «kama».
Ose «si profetë».
Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «vadin». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «dora».
Ose «ngjeshi».