Libri i parë i Mbretërve 2:1-46
2 Kur iu afrua koha e vdekjes, Davidi i dha këto udhëzime të birit, Solomonit:
2 «Unë jam në prag të vdekjes.* Prandaj ji i fortë+ dhe tregohu burrë.+
3 Përmbush detyrimet që ke ndaj Jehovait, Perëndisë tënd, duke ecur në udhët e tij, duke zbatuar ligjet, urdhërimet, vendimet gjyqësore dhe përkujtuesit e tij, ashtu siç janë shkruar në Ligjin e Moisiut.+ Atëherë do të kesh sukses* në çdo gjë që do të bësh e ngado që do të shkosh.
4 Dhe Jehovai do ta mbajë premtimin që bëri për mua: ‘Nëse djemtë e tu do t’i kushtojnë vëmendje udhës së tyre, e më shërbejnë me besnikëri, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,*+ atëherë një nga pasardhësit e tu do të ulet gjithmonë* në fronin e Izraelit.’+
5 Ti e di mirë se ç’më bëri Joabi, djali i Zerujasë, dhe se çfarë u bëri dy krerëve të ushtrisë së Izraelit—Abnerit,+ djalit të Nerit, dhe Amasës,+ djalit të Jeterit. Ai i vrau dhe derdhi gjak+ në kohë paqeje, si të ishte në luftë, dhe njollosi me të rripin që mbante në mes e sandalet që mbante në këmbë.
6 Vepro me mençuri dhe mos e lër të zbresë në Varr*+ flokëzbardhur e në paqe.
7 Kurse djemve të Barzilait,+ galaditit, duhet t’u tregosh dashuri besnike dhe t’i vësh mes atyre që hanë në tryezën tënde, sepse po njësoj m’u gjendën pranë+ edhe ata kur ia mbatha nga Absalomi, vëllai yt.+
8 Jo larg nga këtu banon Shimei, djali i Geraut, beniaminiti nga Bahurimi. Ditën që po shkoja në Mahanaim,+ ai më mallkoi me fjalë të tmerrshme,+ mirëpo kur zbriti për të më takuar në Jordan, unë iu betova për Jehovain: ‘Nuk do të të vras.’+
9 Tani, mos e lër pa ndëshkuar,+ sepse je i mençur dhe e di ç’duhet t’i bësh. Flokët e tij të bardhë zbriti të përgjakur në Varr.»*+
10 Në fund Davidi u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit.+
11 Davidi mbretëroi 40 vjet në Izrael; në Hebron mbretëroi 7 vjet,+ kurse në Jerusalem mbretëroi 33 vjet.+
12 Atëherë Solomoni u ul në fronin e të atit, Davidit, dhe, me kalimin e kohës, mbretëria e tij u bë e patundur.+
13 Pas ca kohësh, Adonijahu, djali i Hagitës, vajti te Betsheba, nëna e Solomonit, dhe ajo e pyeti: «A vjen në paqe?» Ai iu përgjigj: «Po, në paqe vij.»
14 Pastaj shtoi: «Kam diçka për të të thënë.» Ajo tha: «Fol!»
15 Ai vazhdoi: «Ti e di mirë se mbretëria duhej të bëhej imja dhe se gjithë Izraeli priste* që të bëhesha unë mbret.+ Mirëpo mbretëria më iku nga duart dhe u bë e tim vëllai, sepse ky ishte vullneti i Jehovait.+
16 Por tani kam veçse një kërkesë. Mos ma hidh poshtë.» Kështu ajo i tha: «Fol!»
17 Atëherë ai tha: «Të lutem, kërkoji mbretit Solomon të më japë për grua shunamiten Abishagë.+ E di se ai nuk do ta hedhë poshtë kërkesën tënde.»
18 Betsheba ia ktheu: «Në rregull. Do t’i flas unë mbretit për ty.»
19 Kështu, Betsheba vajti te mbreti Solomon që t’i fliste për Adonijahun. Menjëherë mbreti u ngrit për ta takuar dhe u përkul para saj. Pastaj u ul në fronin e vet dhe urdhëroi të vihej një fron për nënën e mbretit, që ajo të ulej në të djathtë të tij.
20 Atëherë Betsheba tha: «Kam një kërkesë të vogël. Mos ma hidh poshtë.» Kështu mbreti iu përgjigj: «Më thuaj, nënë, sepse nuk do ta hedh poshtë kërkesën tënde.»
21 Ajo i tha: «T’i jepet për grua shunamitja Abishagë vëllait tënd, Adonijahut.»
22 Mbreti Solomon iu përgjigj nënës së tij: «Pse po e kërkon shunamiten Abishagë për Adonijahun? Pse s’kërkon edhe mbretërinë për të,+ meqë është vëllai im më i madh,+ dhe prifti Abiatar e Joabi,+ djali i Zerujasë, po e përkrahin?!»+
23 Atëherë mbreti Solomon u betua për Jehovain: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse Adonijahu nuk e paguan me jetën e tij këtë kërkesë që ka bërë.
24 Ja, siç është e vërtetë që Jehovai rron, i cili më ka ulur në fronin e Davidit, babait tim, dhe e ka bërë të patundur sundimin tim+ e më bëri një shtëpi*+ ashtu si kishte premtuar, Adonijahu do të vritet+ sot.»
25 Menjëherë mbreti Solomon dërgoi Benajahun,+ djalin e Jehojadës, i cili e goditi* Adonijahun, dhe ai vdiq.
26 Mbreti i tha priftit Abiatar:+ «Shko tek arat e tua në Anatoth!+ Ti meriton vdekjen, por nuk do të të vras sot, sepse mbarte Arkën e Zotërisë Sovran Jehova para Davidit, babait tim,+ dhe kalove gjithë vështirësitë që kaloi edhe im atë.»+
27 Kështu, Solomoni e hoqi Abiatarin nga shërbimi si prift i Jehovait, që të përmbushej fjala e thënë nga Jehovai në Shiloh+ kundër shtëpisë së Eliut.+
28 Kur lajmi arriti te Joabi—i cili kishte përkrahur Adonijahun,+ por jo Absalomin+—ai ia mbathi në tendën e Jehovait+ dhe mbërtheu fort brirët e altarit.
29 Atëherë mbretin Solomon e njoftuan: «Joabi ia ka mbathur në tendën e Jehovait dhe ndodhet pranë altarit.» Kështu, Solomoni dërgoi Benajahun, djalin e Jehojadës, dhe i tha: «Shko, vrite!»
30 Atëherë Benajahu vajti në tendën e Jehovait dhe i tha: «Kështu thotë mbreti: ‘Dil jashtë!’» Por ai iu përgjigj: «Jo, do të vdes këtu.» Benajahu i çoi prapë fjalë mbretit: «Kështu tha Joabi dhe kështu m’u përgjigj.»
31 Atëherë mbreti i tha: «Bëj ashtu si të tha; vrite, varrose dhe hiq nga unë e nga shtëpia e babait tim fajin e gjakut që Joabi derdhi padrejtësisht.+
32 Jehovai do të bëjë që ky gjak t’i bjerë mbi kokë, sepse pa e ditur im atë, Davidi, ai goditi dhe vrau me shpatë dy burra më të drejtë e më të mirë se ai: Abnerin,+ djalin e Nerit, kreun e ushtrisë së Izraelit,+ dhe Amasën,+ djalin e Jeterit, kreun e ushtrisë së Judës.+
33 Faji i gjakut të tyre do të mbetet përgjithnjë mbi kokën e Joabit dhe të pasardhësve të tij.+ Ndërsa për Davidin, për pasardhësit e vet, për shtëpinë dhe për fronin e tij, pastë gjithnjë paqe nga Jehovai!»
34 Atëherë Benajahu, djali i Jehojadës, u ngjit, e goditi Joabin dhe e vrau. Atë e varrosën në shtëpinë e vet në shkretëtirë.
35 Pastaj në vend të tij mbreti caktoi në krye të ushtrisë Benajahun,+ djalin e Jehojadës, kurse në vend të Abiatarit caktoi priftin Sadok.+
36 Atëherë mbreti thirri Shimein+ dhe i tha: «Ndërto një shtëpi në Jerusalem dhe bano aty. Mos dil nga qyteti dhe mos shko në asnjë vend tjetër.
37 Ditën që do të dalësh dhe do të kalosh luginën e Kidronit,+ pa diskutim do të vdesësh. Gjaku yt do të të bjerë mbi kokë.»
38 Shimei i tha mbretit: «Ajo që the është e drejtë. Shërbëtori yt do të bëjë siç thotë zotëria im, mbreti.» Kështu Shimei banoi në Jerusalem për shumë kohë.
39 Por, pas tre vjetësh, dy skllevër të Shimeit ia mbathën tek Akishi,+ djali i Makahut, mbreti i Gathit. Kur i treguan Shimeit: «Skllevërit e tu janë në Gath»,
40 ai menjëherë i vuri samarin gomarit dhe shkoi tek Akishi në Gath për të kërkuar skllevërit e tij. Kur Shimei u kthye me skllevërit nga Gathi,
41 Solomonit i treguan: «Shimei doli nga Jerusalemi, shkoi në Gath dhe u kthye.»
42 Menjëherë mbreti thirri Shimein dhe i tha: «Unë të vura në be para Jehovait dhe të paralajmërova: ‘Ditën që do të dalësh dhe do të shkosh në ndonjë vend tjetër, me siguri do të vdesësh.’ Ti m’u përgjigje: ‘Ajo që thua është e drejtë; do të bindem.’+
43 Pse, pra, nuk e mbajte benë që u bë para Jehovait dhe nuk e zbatove urdhrin që të dhashë?»
44 Pastaj mbreti i tha Shimeit: «Thellë-thellë ti e di të keqen që i ke bërë Davidit, babait tim.+ Jehovai do të bëjë që të të bjerë mbi kokë tërë ajo e keqe.+
45 Por Jehovai do ta bekojë mbretin Solomon+ dhe do ta bëjë të patundur fronin e Davidit përgjithmonë.»
46 Menjëherë mbreti i dha urdhër Benajahut, djalit të Jehojadës, i cili e goditi, e ai vdiq.+
Kështu mbretëria u bë e patundur në duart e Solomonit.+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «Unë po shkoj në udhën e të gjithë tokës».
^ Ose «do të veprosh me maturi».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «nuk do të të mungojë kurrë dikush që të ulet».
^ Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «kishte drejtuar fytyrën».
^ Ose «dinasti».
^ Ose «i cili u sul mbi».