Libri i parë i Mbretërve 21:1-29
21 Ja çfarë ndodhi pas këtyre gjërave: Naboti, jezreliti, kishte një vresht që gjendej në Jezrel,+ pranë pallatit të Akabit, mbretit të Samarisë.
2 Akabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin tënd që ta bëj kopsht perimesh, meqë është pranë shtëpisë sime. Në vend të tij, do të të jap një vresht më të mirë, ose, po deshe, ta blej me pará.»
3 Por Naboti ia ktheu: «Duke ditur pikëpamjen e Jehovait, nuk më shkon kurrë ndër mend të të jap trashëgiminë e paraardhësve të mi.»+
4 Prandaj Akabi vajti në shtëpinë e vet i ngrysur dhe tejet i mërzitur që Naboti, jezreliti, i kishte thënë: «Nuk ta jap trashëgiminë e paraardhësve të mi.» Pastaj u shtri në shtrat, ktheu kokën mënjanë e nuk donte të hante.
5 Jezebela, e shoqja,+ vajti tek ai dhe e pyeti: «Pse je* kaq i trishtuar dhe nuk do që të hash?»
6 Ai iu përgjigj: «Ngaqë i thashë Nabotit, jezrelitit: ‘Ma shit mua vreshtin tënd ose, po deshe, të jap një vresht tjetër në vend të tij.’ Por ai ma ktheu: ‘Nuk ta jap.’»
7 Jezebela, e shoqja, i tha: «A nuk je ti mbreti i Izraelit? Çohu, ha diçka dhe gëzoftë zemra jote, sepse vreshtin e Nabotit, jezrelitit, do të ta jap unë.»+
8 Kështu ajo shkroi letra në emër të Akabit, i vulosi me vulën e tij+ dhe ua dërgoi pleqve+ e fisnikëve që banonin në qytetin e Nabotit.
9 Në letra shkroi: «Shpallni një agjërim dhe uleni Nabotin në krye të popullit.
10 Ulini përballë dy burra, njerëz pa pikë vlere, dhe këta të dëshmojnë kundër tij:+ ‘Ti ke mallkuar Perëndinë dhe mbretin!’+ Pastaj nxirreni dhe qëllojeni me gurë derisa të vdesë.»+
11 Kështu, burrat e qytetit, pra pleqtë dhe fisnikët që banonin atje, bënë ashtu siç ishte shkruar në letrat që u kishte dërguar Jezebela.
12 Ata shpallën një agjërim dhe e ulën Nabotin në krye të popullit.
13 Pastaj dy burra pa pikë vlere shkuan dhe u ulën përballë tij e filluan të dëshmonin përpara popullit kundër Nabotit: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin!»+ Pas kësaj e çuan në rrethinat e qytetit dhe e qëlluan me gurë derisa vdiq.+
14 Më pas i dërguan fjalë Jezebelës: «Nabotin e kanë vrarë me gurë.»+
15 Sapo dëgjoi se Nabotin e kishin vrarë me gurë, Jezebela i tha Akabit: «Çohu, merre vreshtin e Nabotit, jezrelitit,+ që nuk pranoi të ta shiste, sepse ai nuk është më gjallë, ka vdekur.»
16 Me të dëgjuar se Naboti kishte vdekur, Akabi u çua dhe zbriti në vreshtin e Nabotit, jezrelitit, që ta merrte.
17 Por fjala e Jehovait iu drejtua Elijas,+ tishbitit:
18 «Çohu, shko të takosh Akabin, mbretin e Izraelit, që është në Samari.+ Ai është në vreshtin e Nabotit; ka shkuar atje për ta marrë.
19 Thuaji këto fjalë: “Kështu thotë Jehovai: ‘A nuk ke vrarë një njeri+ dhe ia ke marrë pronën?!’”+ Pastaj thuaji: “Kështu thotë Jehovai: ‘Në vendin ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të lëpijnë edhe gjakun tënd.’”»+
20 Akabi i tha Elijas: «Më gjete, o armiku im!»+ Ai ia ktheu: «Të gjeta. ‘Meqë je i vendosur* të bësh atë që është e keqe në sytë e Jehovait,+
21 ja, unë po sjell të këqija mbi ty dhe do të të vë fshesën. Do t’i shfaros Akabit çdo mashkull*+ në Izrael, të pambrojtur a të dobët qofshin.+
22 Shtëpinë tënde do ta bëj si shtëpinë e Jeroboamit,+ birit të Nebatit, dhe si shtëpinë e Bashës,+ birit të Akijahut, sepse ke ndezur zemërimin tim dhe e ke shtyrë Izraelin të mëkatojë.’
23 Edhe për Jezebelën Jehovai ka thënë: ‘Jezebelën do ta hanë qentë në arën e Jezrelit.+
24 Ata të shtëpisë së Akabit që do të vdesin në qytet, do t’i hanë qentë, kurse ata që do të vdesin në arë, do t’i hanë zogjtë e qiellit.+
25 Po, nuk ka pasur asnjë si Akabi,+ i cili ishte kaq i vendosur* të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, i nxitur nga e shoqja, Jezebela.+
26 Ai veproi në mënyrën më të neveritshme të mundshme duke shkuar pas idhujve të pështirë,* siç kishin bërë amoritët, të cilët Jehovai i dëboi për izraelitët.’»+
27 Sapo dëgjoi këto fjalë, Akabi shqeu rrobat dhe u mbulua me copë thesi.* Pastaj filloi të agjëronte, shtrihej i veshur me copë thesi dhe ecte kokëvarur.
28 Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua Elijas, tishbitit:
29 «A e ke parë si u përul Akabi para meje?+ Meqë u përul para meje, nuk do t’i sjell të këqijat gjatë jetës së tij. Të këqijat mbi shtëpinë e vet do t’i sjell në ditët e të birit.»+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «e ke frymën».
^ Fjalë për fjalë «e ke shitur veten».
^ Fjalë për fjalë «këdo që urinon në mur». Në hebraisht kjo është një shprehje përçmuese për meshkujt.
^ Fjalë për fjalë «i cili shiti veten».
^ Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
^ Shih Fjalorthin.