Letra e parë e Gjonit 2:1-29

  • Jezui, një flijim pajtues (1, 2)

  • Të zbatojmë urdhërimet e tij (3-11)

    • Urdhërimi i vjetër dhe i ri (7, 8)

  • Arsyet pse shkruan letrën (12-14)

  • Mos e doni botën (15-17)

  • Paralajmërim kundër antikrishtit (18-29)

2  Fëmijët e mi të vegjël, këto gjëra po jua shkruaj që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës* pranë Atit: Jezu Krishtin,+ që është i drejtë.+  E ai është një flijim pajtues*+ për mëkatet tona,+ madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.+  Nga kjo e kuptojmë që kemi arritur ta njohim atë: nëse vazhdojmë të zbatojmë urdhërimet e tij.  Ai që thotë: «Unë kam arritur ta njoh», por nuk i zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe nuk e ka të vërtetën në zemër.  Por ai që e zbaton fjalën e tij, e ka bërë vërtet të përsosur* në zemër dashurinë e Perëndisë.+ Nga kjo e dimë se jemi në unitet me të.+  Ai që thotë se qëndron në unitet me të, e ka për detyrë të ecë* si Jezui.+  Të dashur, nuk po ju jap një urdhërim të ri, por po ju shkruaj për një urdhërim të vjetër, të cilin e keni pasur që në fillim.+ Ky urdhërim i vjetër është fjala që dëgjuat.  E prapëseprapë, urdhërimi për të cilin po ju shkruaj është i ri. Ashtu si ai,* edhe ju e keni zbatuar atë, e tani errësira po kalon dhe drita e vërtetë po ndriçon.+  Kush thotë se është në dritë, mirëpo urren+ vëllanë e vet, është ende në errësirë.+ 10  Kush e do vëllanë e vet, qëndron në dritë+ dhe s’ka asgjë që ta pengojë.* 11  Por, kush e urren vëllanë e vet, është në errësirë dhe ecën në errësirë,+ e nuk e di ku shkon,+ sepse errësira ia ka verbuar sytë. 12  Po ju shkruaj, o fëmijët e mi të vegjël, sepse mëkatet ju janë falur për hir të emrit të tij.+ 13  Po ju shkruaj, o etër, sepse keni arritur ta njihni atë që ekziston që nga fillimi. Po ju shkruaj, o të rinj, sepse e mundët të Ligun.+ Po ju shkruaj, o fëmijët e mi të vegjël, sepse keni arritur ta njihni Atin.+ 14  Ju shkruaj, o etër, sepse keni arritur ta njihni atë që ekziston që nga fillimi. Ju shkruaj, o të rinj, sepse ju jeni të fortë+ dhe fjala e Perëndisë qëndron në zemrat tuaja,+ e ju e mundët të Ligun.+ 15  Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë.+ Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të,+ 16  sepse gjithçka e botës—dëshirat e trupit mëkatar,*+ dëshirat e syve+ dhe mburrja* me të mirat materiale—nuk vjen nga Ati, por nga bota. 17  Veç kësaj, bota po kalon,* e po kështu edhe dëshirat e saj,+ por ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet në jetë të jetëve.+ 18  Fëmijët e mi të vegjël, është ora e fundit dhe, siç keni dëgjuar, duhet të vijë antikrishti.+ Por tashmë kanë dalë shumë antikrishtër,+ e nga kjo e kuptojmë se është ora e fundit. 19  Ata u larguan nga gjiri ynë, sepse nuk ishin nga tanët;*+ po të kishin qenë tanët, do të kishin qëndruar me ne. Por ata u larguan, që të tregohej qartë se jo të gjithë janë tanët.+ 20  Kurse ju jeni mirosur* me frymën e të Shenjtit+ dhe të gjithë ju e njihni të vërtetën. 21  Ju shkruaj, jo ngaqë nuk e njihni të vërtetën,+ por ngaqë e njihni, dhe ngaqë asnjë gënjeshtër nuk buron nga e vërteta.+ 22  Kush është gënjeshtari, përveç atij që mohon se Jezui është Krishti?+ Ky është antikrishti,+ ai që mohon edhe Atin, edhe Birin. 23  Kushdo që mohon Birin, nuk ka lidhje me Atin.+ Por kushdo që pranon Birin,+ ka lidhje edhe me Atin.+ 24  Sa për ju, ajo që dëgjuat që në fillim, duhet të qëndrojë në zemrat tuaja.+ Nëse ajo që dëgjuat që në fillim, qëndron në zemrat tuaja, edhe ju do të qëndroni në unitet me Birin dhe Atin. 25  Për më tepër, ky është premtimi që ai vetë na bëri: jeta e përhershme.+ 26  Këto gjëra po jua shkruaj për ata që po përpiqen t’ju mashtrojnë. 27  Dhe, sa për ju, i Shenjti ju ka mirosur me frymën e tij,+ dhe ajo qëndron te ju. Ja pse nuk keni nevojë t’ju mësojë dikush, sepse kjo mirosje, që është e vërtetë e jo gënjeshtër, po ju mëson gjithçka.+ Ashtu si ju ka mësuar ajo, qëndroni në unitet me të.+ 28  Prandaj, fëmijët e mi të vegjël, qëndroni në unitet me të, që kur ai* të shfaqet, të kemi liri fjale+ e të mos strukemi të turpëruar gjatë pranisë së tij. 29  Nëse e dini që ai është i drejtë, atëherë e dini edhe se, kush ecën në udhën e drejtësisë, ka lindur nga Perëndia.*+

Shënimet

Ose «mbrojtës».
Ose «një flijim shlyes; flijim qetësues».
Ose «të plotë».
Ose «të jetojë».
Domethënë, Jezu Krishti.
Një mundësi tjetër «dhe nuk i pengon të tjerët».
Ose «kapardisja për t’u dukur».
Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.
Ose «po merr fund».
Ose «nuk na përkitnin neve».
Domethënë, Jezu Krishti.
Ose «është bërë fëmijë i Perëndisë».