Letra e parë drejtuar korintasve 10:1-33
10 Tani, vëllezër, dua të dini se të gjithë paraardhësit tanë ecën nën hijen e resë,+ të gjithë kaluan përmes detit+
2 dhe të gjithë u pagëzuan në Moisiun nëpërmjet resë dhe detit.*
3 Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim që siguroi Perëndia+
4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije që siguroi Perëndia,+ sepse pinë nga shkëmbi që i ndiqte pas, po, nga shkëmbi që siguroi Perëndia, dhe ai shkëmb përfaqësonte Krishtin.*+
5 Megjithatë, Perëndia nuk ishte i kënaqur me shumicën e tyre, prandaj ata ranë të vdekur në shkretëtirë.+
6 Tani, këto gjëra na shërbejnë si shembuj, që të mos dëshirojmë gjëra të gabuara si ata.+
7 As të mos bëhemi idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: «Populli u ul të hante e të pinte. Më pas u ngrit të festonte.»+
8 As të mos kryejmë imoralitet seksual,* sikurse kryen imoralitet* disa nga ata, vetëm për të rënë të vdekur 23.000 veta në një ditë.+
9 As të mos e vëmë në provë Jehovain,*+ sikurse e vunë në provë disa nga ata, vetëm për të marrë fund nga gjarpërinjtë.+
10 As të mos murmuritim, siç murmuritën disa nga ata,+ vetëm për të marrë fund nga dora e shkatërruesit.*+
11 Gjërat që u ndodhën atyre, na shërbejnë si shembuj dhe u shkruan si paralajmërim për ne+ që jetojmë në fund të këtyre sistemeve.*
12 Kështu, ai që mendon se po qëndron në këmbë, të hapë sytë që të mos bjerë.+
13 Nuk keni hasur asnjë sprovë* që të mos e kenë hasur edhe të tjerë.+ Por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani.+ E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.+
14 Prandaj, të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria!+
15 Po flas me njerëz që kanë aftësi dalluese, prandaj gjykojeni vetë atë që po ju them.
16 A nuk nënkupton kupa e falënderimit, për të cilën falënderojmë Perëndinë, se marrim pjesë në gjakun e Krishtit?+ A nuk nënkupton buka që thyejmë, se marrim pjesë në trupin e Krishtit?+
17 Ngaqë ka një bukë të vetme, ne jemi një trup i vetëm, edhe pse jemi shumë,+ sepse të gjithë po hamë nga ajo bukë e vetme.
18 Mendoni për izraelitët:* ata që hanë flijimet e paraqitura në altar, a nuk është sikur po hanë bashkë me Perëndinë?+
19 Ku e kam fjalën? Që mishi i flijuar idhujve nuk është thjesht mish apo që një idhull është faktikisht një perëndi?
20 Jo, po them se flijimet që bëjnë kombet,* u ofrohen demonëve e jo Perëndisë.+ Prandaj nuk dua që të keni të bëni me demonët.+
21 Ju s’mund të pini edhe kupën e Jehovait,* edhe kupën e demonëve. Ju s’mund të hani edhe në «tryezën e Jehovait»,*+ edhe në tryezën e demonëve.
22 Mos duam ‘ta bëjmë Jehovain* xheloz’?+ Ne nuk jemi aq të fortë sa t’i bëjmë ballë zemërimit të tij, apo jo?
23 Gjithçka është e lejueshme,* por jo gjithçka është dobiprurëse. Gjithçka është e lejueshme, por jo gjithçka forcon.*+
24 Secili të vazhdojë të kërkojë jo interesin* e vet, por atë të tjetrit.+
25 Hani çdo gjë që shitet në pazarin e mishit, pa bërë pyetje për hir të ndërgjegjes suaj,
26 sepse «Jehovait* i përket toka dhe çdo gjë në të».+
27 Nëse ndonjë jobesimtar ju fton dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që ju vihet përpara, pa bërë pyetje për hir të ndërgjegjes suaj.
28 Por, nëse dikush ju thotë se «ky mish është paraqitur si flijim», mos e hani, si për hir të atij që ju tregoi, ashtu edhe për hir të ndërgjegjes.+
29 Nuk e kam fjalën për ndërgjegjen tuaj, por për ndërgjegjen e tjetrit. E pse të arrij deri aty sa liria ime të gjykohet nga ndërgjegjja e tjetrit?+
30 Nëse ha dhe e falënderoj Perëndinë, pse të arrij deri aty sa të tjerët të më kritikojnë për atë që falënderova Perëndinë?+
31 Prandaj, nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.+
32 Mos u bëni pengesë* as për judenj, as për grekë dhe as për kongregacionin e Perëndisë,+
33 sikurse edhe unë po përpiqem t’u pëlqej të gjithëve në gjithçka, duke mos kërkuar interesin* tim,+ por atë të shumicës, që ata të shpëtojnë.+
Shënimet
^ Ose «u pagëzuan ndërsa ndiqnin Moisiun përmes detit, nën re».
^ Ose «ishte Krishti».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ndoshta i referohet një engjëlli të Perëndisë.
^ Ose «të këtij rendi; të këtyre kohëve». Shih Fjalorthin.
^ Ose «tundim».
^ Fjalë për fjalë «Izraelin sipas mishit».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «inkurajon; ndërton».
^ Ose «e ligjshme».
^ Ose «të mirën».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «shkak pengese».
^ Ose «të mirën».