Letra e parë drejtuar korintasve 4:1-21

  • Kujdestarët duhet të jenë besnikë (1-5)

  • Përulësia e shërbëtorëve të krishterë (6-13)

    • «Mos shko përtej gjërave të shkruara» (6)

    • Të krishterët​—teatër për botën (9)

  • Pavli kujdeset për fëmijët e tij në besim (14-21)

4  Çdokush të na konsiderojë shërbëtorë* të Krishtit dhe kujdestarë të sekretit të shenjtë të Perëndisë,+  dhe nga kujdestarët pritet të jenë besnikë.*  Tani, për mua ka shumë pak rëndësi nëse më hetoni ju apo ndonjë gjykatë njerëzore. Ç’është e vërteta, unë nuk hetoj as veten time,  ngaqë nuk më vret ndërgjegjja për ndonjë gjë. Megjithatë, me këtë nuk po them se jam i drejtë, pasi ai që më gjykon mua, është Jehovai.*+  Prandaj mos gjykoni+ para kohës së caktuar, përkundrazi, pritni derisa të vijë Zotëria. Ai do t’i nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do t’i bëjë të dukshme qëllimet e zemrës, dhe atëherë gjithsecili do të marrë nga Perëndia lëvdimin që i takon.+  Vëllezër, këto gjëra jua kam thënë për të mirën tuaj, duke përdorur Apolin+ dhe veten si shembuj, që nëpërmjet nesh të mësoni këtë parim: «Mos shko përtej gjërave të shkruara», që asnjë të mos krekoset+ e të mos favorizojë njërin në kurriz të tjetrit.  Çfarë të bën ty më të mirë se një tjetër? Në të vërtetë, ç’gjë ke ti që nuk ta kanë dhënë?+ E nëse faktikisht e ke dhuratë, pse mburresh sikur e ke marrë me forcat e tua?  Që tani jeni ngopur? Që tani jeni pasuruar? Keni filluar të mbretëroni+ pa ne? Sa do të doja të kishit filluar të mbretëronit, që edhe ne të mbretëronim me ju!+  Faktikisht, më duket se Perëndia na ka lënë ne apostujt të fundit në shfaqje, si njerëz të dënuar me vdekje,+ sepse jemi bërë teatër për botën,+ për engjëjt dhe për njerëzit. 10  Ne qenkemi të marrë+ për hir të Krishtit, kurse ju qenkeni të mençur për hir të tij; ne qenkemi të dobët, kurse ju të fortë; ju qenkeni të nderuar, kurse ne të përbuzur. 11  Sot e kësaj dite vuajmë nga uria+ dhe etja,+ jemi të veshur keq,* të rrahur,*+ të pastrehë 12  dhe robtohemi ndërsa punojmë me duart tona.+ Kur na shajnë, ne bekojmë,+ kur na përndjekin, ne vazhdojmë të durojmë,+ 13  kur shpifin për ne, përgjigjemi me butësi.*+ Jemi bërë mbeturinat* e botës, fundërrinat e çdo gjëje deri më tani. 14  Nuk po i shkruaj këto gjëra për t’ju turpëruar, por për t’ju këshilluar* si fëmijët e mi të dashur, 15  sepse, edhe po të keni 10.000 kujdestarë* mes dishepujve të Krishtit, pa dyshim që nuk keni shumë etër. Në të vërtetë, unë jam bërë ati juaj falë Krishtit Jezu, ngaqë ju kam sjellë lajmin e mirë.+ 16  Ju nxit, pra, të bëheni imituesit e mi.+ 17  E për këtë arsye po ju dërgoj Timoteun, meqë është biri im i dashur dhe i shërben me besnikëri Zotërisë. Ai do t’ju sjellë ndër mend metodat* e mia në shërbim të Krishtit Jezu,+ ashtu siç mësoj në çdo kongregacion. 18  Disa u krekosën ngaqë kujtuan se nuk do të vija te ju. 19  Megjithatë, në qoftë vullneti i Jehovait,* do të vij së shpejti te ju, jo për të dëgjuar fjalët e atyre që krekosen, por për të parë nëse fuqia e Perëndisë po i drejton në jetë, 20  sepse Mbretëria e Perëndisë nuk ka të bëjë me fjalët, por me fuqinë e Perëndisë. 21  Çfarë preferoni? Të vij te ju me shkop,+ apo me dashuri dhe butësi?

Shënimet

Ose «vartës».
Ose «të besueshëm».
Ose «të keqtrajtuar».
Fjalë për fjalë «të zhveshur».
Fjalë për fjalë «përgjërohemi».
Ose «plehrat».
Ose «për t’ju mësuar».
Ose «edukatorë».
Fjalë për fjalë «udhët».