Letra e parë drejtuar korintasve 7:1-40

  • Këshilla për të pamartuarit dhe për të martuarit (1-16)

  • Qëndroni në po atë gjendje që ishit kur Perëndia ju thirri (17-24)

  • Të pamartuarit dhe vejushat (25-40)

    • Avantazhet e beqarisë (32-35)

    • Martohuni «vetëm në Zotërinë» (39)

7  Tani, lidhur me gjërat që më keni shkruar: është mirë për njeriun të mos prekë* grua,  por, meqë imoraliteti seksual* është kaq i përhapur, çdo burrë le të ketë gruan e vet+ dhe çdo grua të ketë burrin e vet.+  Burri të plotësojë detyrimin martesor që ka ndaj gruas së tij, e po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.+  Gruaja nuk ka autoritet mbi trupin e saj, por burri; edhe burri nuk ka autoritet mbi trupin e tij, por gruaja.  Mos ia mohoni njëri-tjetrit këtë detyrim, veç nëse keni rënë dakord për njëfarë kohe që t’i kushtoni kohë lutjes. Pastaj bashkohuni përsëri, që Satanai të mos vazhdojë t’ju tundojë nga mungesa e vetëkontrollit.  Megjithatë, nuk po ju urdhëroj të martoheni, por po ju them se kjo gjë është e lejueshme.*  Ç’është e vërteta, do të doja që të gjithë të ishin siç jam unë. Sidoqoftë, secili ka dhuratën e vet+ nga Perëndia, dikush kështu e dikush ashtu.  Tani, të pamartuarve dhe vejushave u them se për ta është më mirë të qëndrojnë siç jam edhe unë.+  Por, nëse nuk kanë vetëkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh, se të digjesh nga pasioni.+ 10  Të martuarit i udhëzoj, jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet nga burri.+ 11  Por, nëse ndahet, të qëndrojë e pamartuar ose përndryshe të pajtohet përsëri me burrin; edhe burri të mos e lërë gruan.+ 12  Kurse të tjerëve u them unë, jo Zotëria:+ nëse ndonjë vëlla e ka gruan jobesimtare dhe ajo është dakord të qëndrojë me të, të mos e lërë gruan. 13  Edhe nëse ndonjë motër e ka burrin jobesimtar dhe ai është dakord të qëndrojë me të, të mos e lërë burrin. 14  Pasi martesa e burrit jobesimtar është shenjtëruar për hir të gruas së tij dhe martesa e gruas jobesimtare është shenjtëruar për hir të burrit të saj. Përndryshe, fëmijët tuaj do të ishin të papastër në sytë e Perëndisë, por faktikisht ata janë të shenjtë. 15  Mirëpo, nëse jobesimtari zgjedh të largohet,* le të largohet; në këto rrethana vëllai ose motra nuk janë të detyruar të qëndrojnë me të, sepse Perëndia na ka thirrur të jetojmë në paqe.+ 16  Fundja, ku e di ti, o grua, nëse do ta shpëtosh apo jo burrin?+ Apo ku e di ti, o burrë, nëse do ta shpëtosh apo jo gruan? 17  Gjithsesi, secili të ecë në jetë sipas asaj që i ka dhënë Jehovai,* ashtu siç ishte kur Ai e thirri.+ Ky drejtim vlen për të gjitha kongregacionet. 18  A ishte ndonjëri i rrethprerë kur Perëndia e thirri?+ Le të qëndrojë i rrethprerë. A ishte ndonjëri i parrethprerë kur Perëndia e thirri? Le të qëndrojë i parrethprerë.+ 19  Rrethprerja dhe parrethprerja s’do të thonë asgjë,+ vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.+ 20  Secili të qëndrojë në po atë gjendje që ishte kur Perëndia e thirri.+ 21  A u thirre kur ishe skllav? Mos e prish gjakun për këtë.+ Megjithatë, nëse mund ta fitosh lirinë, shfrytëzoje rastin. 22  Në fakt, çdo dishepull i Zotërisë që u thirr kur ishte skllav, ka fituar lirinë dhe i përket Zotërisë.*+ Edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit. 23  Ju u bletë me një çmim,+ prandaj mos u bëni më skllevër të njerëzve. 24  Vëllezër, secili të qëndrojë në sytë e Perëndisë në po atë gjendje që ishte kur u thirr. 25  Tani, për ata që nuk janë martuar kurrë,* s’kam asnjë urdhër nga Zotëria, por po jap mendimin tim+ si një njeri i besueshëm falë mëshirës që më tregoi Zotëria. 26  Kështu, duke marrë parasysh vështirësitë e tanishme, mendoj se është mirë që njeriu të qëndrojë ashtu siç është. 27  A je i lidhur me ligj me gruan? Mos kërko më të zgjidhesh.+ A je i zgjidhur me ligj nga gruaja? Mos kërko më grua. 28  Por edhe nëse martohesh, nuk kryen mëkat; edhe nëse dikush që nuk është martuar kurrë,* martohet, nuk kryen mëkat. Gjithsesi, ata që martohen, do të kenë vështirësi në jetë,* dhe unë do të doja t’jua kurseja këto. 29  Po ju them edhe këtë, vëllezër, se koha që mbetet, është shkurtuar.+ Që sot e tutje, ata që kanë gra, të jetojnë sikur të mos kishin, 30  ata që qajnë, sikur të mos qanin, ata që gëzojnë, sikur të mos gëzonin, ata që blejnë, sikur të mos kishin asnjë zotërim 31  dhe ata që përfitojnë nga kjo botë, sikur të mos përfitonin plotësisht prej saj, sepse skena e kësaj bote po ndryshon. 32  Në të vërtetë dua që të mos keni asnjë merak. Burri i pamartuar merakoset për gjërat e Zotërisë, si të fitojë miratimin e Zotërisë. 33  Kurse burri i martuar merakoset për gjërat e përditshme të kësaj bote,+ si të fitojë miratimin e gruas, 34  dhe është i shpërqendruar. Po ashtu, gruaja e pamartuar dhe virgjëresha merakosen për gjërat e Zotërisë,+ që ta mbajnë trupin dhe mendjen* të shenjtë. Kurse gruaja e martuar merakoset për gjërat e përditshme të kësaj bote, se si të fitojë miratimin e burrit. 35  Këtë po e them për dobinë tuaj, jo për t’ju kufizuar,* por për t’ju nxitur të bëni atë që është e përshtatshme dhe t’i shërbeni pareshtur e me gjithë zemër Zotërisë, pa shpërqendrime. 36  Megjithatë, nëse një i pamartuar mendon se nuk po sillet siç ka hije* dhe nëse e ka kaluar lulen e rinisë, atëherë për të është më mirë të martohet; le të bëjë ç’të dojë, nuk mëkaton. Le të martohen.+ 37  Por, nëse dikush ka vendosur në zemër të qëndrojë i pamartuar* dhe është i bindur për këtë në zemrën e vet, pasi nuk e ndien këtë nevojë dhe i ka nën kontroll dëshirat e veta, bën mirë.+ 38  Prandaj, kush martohet,* bën mirë, por kush nuk martohet, bën edhe më mirë.+ 39  Gruaja është e lidhur me ligj me burrin për aq kohë sa ai është gjallë.+ Mirëpo, nëse burri bie në gjumin e vdekjes, ajo është e lirë të martohet me kë të dojë, por vetëm në Zotërinë.+ 40  Megjithatë, për mendimin tim, është më e lumtur nëse qëndron siç është; dhe jam i bindur se edhe unë e kam frymën e Perëndisë.

Shënimet

Domethënë, të mos ketë marrëdhënie seksuale me ndonjë grua.
Shumësi i fjalës greke porneía. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «po e them si lëshim».
Ose «të ndahet».
Fjalë për fjalë «është libert i Zotërisë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «të virgjërit». U referohet si burrave, si grave.
Fjalë për fjalë «një i virgjër».
Fjalë për fjalë «shtrëngim në mish».
Fjalë për fjalë «frymën». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «për t’ju vënë në lak».
Ose «nuk po sillet siç ka hije me virgjërinë e vet».
Fjalë për fjalë «të ruajë virgjërinë».
Ose «kush e humb virgjërinë duke u martuar».