Letra e parë drejtuar korintasve 9:1-27
9 A s’jam unë i lirë? A s’jam unë apostull? A nuk e pashë unë Jezuin, Zotërinë tonë?+ A s’jeni ju fryt i veprës sime në shërbim të Zotërisë?
2 Edhe nëse për të tjerët nuk jam apostull, me siguri për ju jam! Ju jeni vërtet vula e caktimit tim si apostull në shërbim të Zotërisë.
3 Ja, pra, mbrojtja ime para atyre që më gjykojnë:
4 s’paskemi ne të drejtë* të hamë e të pimë?!
5 S’paskemi ne të drejtë të na shoqërojë një bashkëshorte besimtare,*+ njësoj si apostujt e tjerë dhe vëllezërit e Zotërisë,+ si edhe Kefa?!*+
6 Vetëm Barnaba+ dhe unë duhet të punojmë për bukën e gojës?!
7 E kush shërben si ushtar me shpenzimet e veta?! Kush mbjell një vresht dhe nuk ia shijon frytin?!+ Kush kullot kopenë dhe nuk ia merr qumështin?!
8 Mos po i them këto gjëra sipas pikëpamjes njerëzore?! Këto gjëra, a nuk i thotë edhe Ligji?!
9 Se në Ligjin e Moisiut është shkruar: «Mos i vër gojëz demit kur shin* grurin.»+ Për demat u interesoka Perëndia?!
10 A nuk e thotë këtë pikërisht për ne?! Kjo u shkrua vërtet për të mirën tonë, sepse kush lëron tokën dhe kush shin grurin, shpreson se do të marrë pjesën që i takon.
11 Po të kemi mbjellë mes jush të mirat që na ka dhënë Perëndia, mos është e tepërt të mbledhim nga ju të mira materiale për nevojat tona?!+
12 Nëse të tjerët kanë të drejtë të kenë mbështetjen tuaj, a nuk kemi ne shumë më tepër?! Gjithsesi, ne nuk e kemi shfrytëzuar këtë të drejtë,*+ por po durojmë çdo gjë, që të mos i nxjerrim asnjë pengesë lajmit të mirë për Krishtin.+
13 Nuk e dini se ata që kryejnë detyrat e shenjta në tempull, hanë nga gjërat e tempullit, dhe ata që shërbejnë vazhdimisht në altar, marrin një racion nga gjërat e paraqitura në altar?+
14 Po njësoj, Zotëria urdhëroi që, ata që shpallin lajmin e mirë, të jetojnë me anë të lajmit të mirë.+
15 Megjithatë, unë nuk kam shfrytëzuar as edhe një nga këto të drejta+ dhe nuk i shkrova këto gjëra me shpresë që të veproni kështu me mua. Ç’është e vërteta, predikova falas, dhe më mirë të vdes, sesa të lejoj dikë të ma heqë të drejtën për t’u mburrur për këtë!+
16 Mirëpo, edhe nëse e shpall lajmin e mirë, s’kam arsye për t’u mburrur, sepse faktikisht e kam për detyrë. Në të vërtetë, mjerë unë po të mos e shpall lajmin e mirë!+
17 Nëse e bëj këtë vullnetarisht, marr një shpërblim, por edhe sikur ta bëj kundër vullnetit tim, nuk harroj se kjo detyrë më është besuar si kujdestar.+
18 Cili është, pra, shpërblimi im? Të shpall falas lajmin e mirë, e kështu të mos abuzoj me autoritetin* si predikues i lajmit të mirë.
19 Ndonëse nuk kam asnjë detyrim ndaj askujt, jam bërë skllav i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz.
20 Për judenjtë u bëra jude, që të fitoj judenjtë;+ për ata që janë nën Ligj, u bëra sikur të isha nën Ligj—ndonëse vetë nuk jam nën Ligj—që të fitoj ata që janë nën Ligj.+
21 Për ata që s’janë nën Ligj, u bëra sikur të mos isha nën Ligj—ndonëse nuk jam pa ligj kundrejt Perëndisë, pasi jam nën ligjin e Krishtit+—që të fitoj ata që s’janë nën Ligj.
22 Për të dobëtit u bëra i dobët, që të fitoj të dobëtit.+ Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që të shpëtoj medoemos disa.
23 Por çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që t’ua jap edhe të tjerëve këtë lajm.+
24 Nuk e dini se në garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm njëri e merr çmimin? Vraponi në atë mënyrë që ta fitoni çmimin.+
25 Çdo atlet* që merr pjesë në garë, tregon vetëkontroll në çdo gjë. Ai, natyrisht, e bën këtë që të marrë një kurorë që prishet,+ kurse ne, një kurorë që nuk prishet.+
26 Prandaj, unë nuk vrapoj kuturu*+ dhe nuk grushtoj më kot në ajër,
27 por e rrah me grushte* trupin tim+ dhe e nënshtroj si skllav, që, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë i pamiratuar* në ndonjë mënyrë.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «autoritet».
^ Ose «një motër e krishterë si grua».
^ Quhet edhe Pjetër.
^ Shih Fjalorthin, «Lëmi; Shirja».
^ Fjalë për fjalë «autoritet».
^ Ose «të drejtat».
^ Ose «Kushdo».
^ Ose «pa një pikësynim».
^ Ose «e disiplinoj rreptësisht; e ndëshkoj».
^ Ose «të mos skualifikohem».