Libri i parë i Kronikave 29:1-30

  • Kontribute për tempullin (1-9)

  • Lutja e Davidit (10-19)

  • Populli gëzon; mbretërimi i Solomonit (20-25)

  • Davidi vdes (26-30)

29  Mbreti David i tha tani gjithë kongregacionit: «Solomoni, biri im, ai që ka zgjedhur Perëndia,+ është i ri dhe i papërvojë,+ por puna është e madhe, sepse tempulli* nuk është për njeriun, por për Perëndinë Jehova.+  Jam dhënë me mish e me shpirt që të siguroj për shtëpinë e Perëndisë tim ar për punën me ar, argjend për punën me argjend, bakër për punën me bakër, hekur për punën me hekur+ dhe dru+ për punën me dru, si edhe gurë oniksi, gurë për t’u lidhur me llaç, guralecë mozaiku, çdo lloj guri të çmuar dhe gurë alabastri në sasi të madhe.  E meqenëse e dua shtëpinë e Perëndisë tim,+ e jap edhe thesarin tim+ të arit e të argjendit për shtëpinë e Perëndisë tim, përveç gjithë asaj që kam siguruar për shtëpinë e shenjtë,  ku përfshihen 3.000 talenta* nga ari i Ofirit+ dhe 7.000 talenta argjendi të rafinuar për të veshur muret e dhomave të ndryshme,*  si edhe arin për punën me ar, argjendin për punën me argjend, dhe për të gjithë punën që do të bëjnë artizanët. Tani, kush tjetër del sot vullnetar që të vijë duarplot para Jehovait?»+  Atëherë dolën vullnetarë princat e shtëpive atërore, princat e fiseve të Izraelit, krerët e mijësheve e të qindësheve+ dhe përgjegjësit e punëve të mbretit.+  Ata dhanë për shërbimin në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë: 5.000 talenta ari, 10.000 darikë,* 10.000 talenta argjendi, 18.000 talenta bakri dhe 100.000 talenta hekuri.  Kushdo që kishte gurë të çmuar i dha për thesarin e shtëpisë së Jehovait, nën kujdesin e gershonitit+ Jehiel.+  Populli fluturonte nga gëzimi për këto blatime vullnetare, sepse ia ofroi ato Jehovait me gjithë zemër.+ Edhe vetë mbretin David s’e mbante vendi nga gëzimi. 10  Pastaj Davidi lëvdoi Jehovain para gjithë kongregacionit. Ai tha: «Qofsh i lëvduar, o Jehova, Perëndia i Izraelit, atit tonë, për gjithë përjetësinë!* 11  Të tuat, o Jehova, janë madhështia,+ fuqia,+ bukuria, shkëlqimi dhe lavdia,*+ sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja.+ Jotja është mbretëria, o Jehova.+ Ti lartësohesh si krye mbi gjithçka. 12  Pasuritë dhe lavdia vijnë falë teje;+ ti je Sovran mbi çdo gjë.+ Në dorën tënde është fuqia+ dhe pushteti,+ me dorën tënde e bën dikë të madh+ dhe u jep forcë të gjithëve.+ 13  E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe lëvdojmë emrin tënd të bukur. 14  E megjithatë, kush jam unë e kush është populli im që të bëjmë blatime vullnetare si këto?! Çdo gjë vjen prej teje dhe ne të kemi dhënë atë që kemi marrë nga vetë dora jote, 15  sepse përpara teje ne jemi të ardhur dhe të shpërngulur, njësoj si gjithë paraardhësit tanë.+ Ditët tona mbi tokë janë si hije+—pa shpresë. 16  O Jehova, Perëndia ynë, tërë kjo pasuri që kemi siguruar për të të ndërtuar një shtëpi për emrin tënd të shenjtë, vjen nga vetë dora jote, dhe ty të përket e tëra. 17  Unë e di mirë, o Perëndia im, se ti shqyrton zemrën+ dhe se kënaqesh me integritetin.*+ Unë i kam dhënë vullnetarisht e me zemër të sinqertë* tërë këto gjëra, dhe tani s’më mban vendi nga gëzimi teksa shoh popullin tënd këtu që të ofron blatime vullnetare. 18  O Jehova, Perëndi i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, i paraardhësve tanë, ndihmoje popullin tënd që të ketë gjithmonë në zemër këtë dëshirë e këtë mendim, dhe drejtoje zemrën e tyre te ti!+ 19  Jepi birit tim, Solomonit, një zemër plotësisht të kushtuar*+ për të zbatuar urdhërimet e tua,+ përkujtuesit e tu dhe rregullat e tua, si dhe për të bërë të gjitha këto gjëra e për të ndërtuar tempullin* për të cilin kam bërë përgatitje.»+ 20  Më tej Davidi i tha tërë kongregacionit: «Tani lëvdoni Jehovain, Perëndinë tuaj!» Dhe gjithë kongregacioni nisi të lëvdonte Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre, dhe u përkul thellë me fytyrë përtokë para Jehovait dhe mbretit. 21  Të nesërmen ata vazhduan t’i bënin flijime Jehovait dhe t’i paraqitnin blatime të djegura+ Jehovait: 1.000 dema të rinj, 1.000 desh, 1.000 qengja meshkuj, si dhe blatimet e tyre në pije;+ bënë flijime të shumta për tërë Izraelin.+ 22  Atë ditë ata vazhduan të hanin e të pinin përpara Jehovait me gëzim të madh.+ E bënë për herë të dytë mbret Solomonin, birin e Davidit, dhe e mirosën* para Jehovait si prijës,+ kurse Sadokun si prift.+ 23  E Solomoni u ul në fronin e Jehovait+ dhe filloi të mbretëronte në vend të të atit, Davidit. Ai ia doli mbanë si mbret, dhe gjithë izraelitët i bindeshin. 24  Tërë princat,+ luftëtarët e fuqishëm+ dhe gjithë djemtë e mbretit David+ iu nënshtruan mbretit Solomon. 25  Jehovai e bëri Solomonin tejet të madh para syve të të gjithë Izraelit dhe i dha një madhështi të tillë mbretërore siç nuk e kishte pasur asnjë nga mbretërit para tij në Izrael.+ 26  Kështu Davidi, biri i Jeseut, mbretëroi në tërë Izraelin. 27  Ai mbretëroi 40 vjet në Izrael; në Hebron mbretëroi 7 vjet,+ kurse në Jerusalem mbretëroi 33 vjet.+ 28  Në fund vdiq në pleqëri të mbarë,+ i kënaqur me jetë të gjatë,* pasuri dhe lavdi. Në vend të tij u bë mbret i biri, Solomoni.+ 29  Sa për historinë e mbretit David, nga fillimi deri në fund, është e shkruar në fjalët e parashikuesit Samuel, të profetit Natan+ dhe të vegimtarit* Gad.+ 30  Këto shkrime na tregojnë për mbretërimin e tij, për veprat e tij të fuqishme dhe për ngjarjet e kohëve që përfshinin atë, Izraelin e tërë mbretëritë përreth.

Shënimet

Ose «citadela; pallati mbretëror».
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «muret e shtëpive».
Një darik ishte një monedhë e artë persiane. Shih Shtojcën B14.
Ose «jetë e mot».
Ose «madhëria».
Ose «drejtësinë; ndershmërinë». Shih Fjalorthin.
Ose «të ndershme».
Ose «një zemër të plotë».
Ose «citadelën; pallatin mbretëror».
Fjalë për fjalë «me ditë».