Letra e parë e Pjetrit 5:1-14

  • Kulloteni kopenë e Perëndisë (1-4)

  • Jini të përulur dhe syçelë (5-11)

    • Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi Perëndinë (7)

    • Djalli është si një luan që ulërin (8)

  • Fjalët e mbylljes (12-14)

5  Prandaj, meqë edhe unë jam plak, dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe pjesëmarrës i lavdisë që do të tregohet nëpërmjet nesh,+ u bëj këtë thirrje* pleqve që janë mes jush:  kulloteni kopenë e Perëndisë+ që është nën kujdesin tuaj dhe shërbeni si mbikëqyrës,* jo me detyrim, por vullnetarisht,+ siç do Perëndia; as për të lakmuar fitime të pandershme,+ por me zell;  as duke u sjellë si zotër me trashëgiminë e Perëndisë,*+ por duke u bërë shembuj për kopenë.+  Kështu, kur kryebariu+ të shfaqet, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk vyshket kurrë.+  Në të njëjtën mënyrë, ju më të rinj, jini të nënshtruar ndaj më të mëdhenjve në moshë.*+ Megjithatë, të gjithë vishuni me përulësi* ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u tregon mirësi të pamerituar të përulurve.+  Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur,+  ndërsa hidhni gjithë ankthin* tuaj mbi të,+ sepse ai merakoset për ju.+  Ruani gjykimin! Jini syçelë!+ Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë ndonjë.*+  Por ju kundërvijuni,+ të patundur në besim, duke e ditur se të gjithë vëllezërit* nëpër botë po përjetojnë të njëjtat vuajtje.+ 10  Megjithatë, pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i çdo mirësie të pamerituar, i cili ju thirri që të merrni lavdinë e tij të përhershme+ dhe që të jeni në unitet me Krishtin, do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj; do t’ju bëjë të patundur,+ do t’ju bëjë të fortë+ e do t’ju vërë mbi themele të forta. 11  Atij i qoftë përgjithmonë fuqia! Amin! 12  Me anë të Silvanit,*+ të cilin e konsideroj vëlla të besueshëm, ju shkrova këto pak fjalë që t’ju jap zemër dhe t’ju siguroj se kjo është vërtet mirësia e pamerituar e Perëndisë. Prandaj, mos lejoni që ajo t’ju ikë nga duart. 13  Motra* juaj në Babiloni, e zgjedhur si ju, ju çon të fala, e po kështu edhe Marku,+ biri im. 14  Përshëndeteni njëri-tjetrin me një puthje të përzemërt. Paqja qoftë me të gjithë ju që jeni në unitet me Krishtin!

Shënimet

Ose «u jap këtë nxitje».
Ose «duke u kujdesur gjithë merak».
Ose «me ata që ju janë besuar».
Ose «pleqve».
Ose «ngjishuni me përulësi mendjeje».
Ose «çdo shqetësim (merak)».
Ose «duke kërkuar dikë për ta gllabëruar».
Ose «vëllezërit në besim». Fjalë për fjalë «gjithë vëllazëria».
Quhet edhe Sila.
Fjalë për fjalë «Ajo». Duket se i referohet kongregacionit në Babiloni.