Libri i parë i Samuelit 14:1-52

  • Bëma e Jonatanit në Mikmash (1-14)

  • Perëndia mund armiqtë e Izraelit (15-23)

  • Betimi i nxituar i Saulit (24-46)

    • Ushtarët hanë mish me gjithë gjak (32-34)

  • Luftërat e Saulit; familja e tij (47-52)

14  Një ditë Jonatani,+ djali i Saulit, i tha shërbëtorit që i mbante armët: «Hajde, të shkojmë te pararoja e filistinëve në anën tjetër.» Por nuk i tregoi asgjë të atit.  Sauli po rrinte në rrethinat e Gibeahut,+ nën shegën që gjendet në Migron; me të ishin rreth 600 burra.+  (Efodin+ e mbante veshur Akijahu, biri i Ahitubit,+ vëllait të Ikabodit,+ birit të Finehasit,+ birit të Eliut,+ priftit të Jehovait në Shiloh.)+ Ushtarët nuk e dinin që Jonatani kishte ikur.  Tani, midis shtigjeve që Jonatani po përpiqej të kalonte për të arritur te pararoja e filistinëve, gjendej një shkrep në formë dhëmbi nga njëra anë dhe një shkrep në formë dhëmbi nga ana tjetër; njëri e kishte emrin Bozez, kurse tjetri Seneh.  Njëri shkrep ngrihej si një shtyllë në veri, përballë Mikmashit, kurse tjetri në jug, përballë Gebës.+  Kështu Jonatani i tha armëmbajtësit të tij: «Hajde, të shkojmë te pararoja e këtyre të parrethprerëve.+ Ndoshta Jehovai do të veprojë për ne, sepse Jehovain s’e pengon asgjë që të sjellë shpëtim, qoftë me shumë veta, qoftë me pak.»+  Atëherë armëmbajtësi i tha: «Bëj si të të dojë zemra. Shko nga të duash, dhe unë do të vij me ty ngado që të shkosh.»  Pastaj Jonatani ia ktheu: «Do të shkojmë tek ata burra e do t’u dalim hapur.  Nëse na thonë: ‘Ndaluni derisa të vijmë te ju’, do të qëndrojmë aty ku jemi dhe nuk do të ngjitemi tek ata. 10  Por nëse na thonë: ‘Ngjituni të luftoni kundër nesh!’, do të ngjitemi, sepse kjo do të jetë shenja+ që Jehovai do të na i japë në dorë.» 11  Atëherë, që të dy i dolën hapur pararojës filistine, dhe filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku ishin fshehur.»+ 12  Kështu burrat e pararojës i thanë Jonatanit dhe armëmbajtësit të tij: «Ngjituni te ne dhe do t’jua ndreqim qejfin!»+ Menjëherë Jonatani i tha armëmbajtësit: «Më ndiq, sepse Jehovai do t’i japë në dorë të Izraelit.»+ 13  Dhe Jonatani u ngjit me këmbë e me duar nëpër shkëmb, ndërsa armëmbajtësi ishte pas tij. Jonatani filloi të sulmonte filistinët, dhe ata që mbeteshin gjallë, i vriste armëmbajtësi. 14  Në sulmin e parë që ndërmorën, Jonatani dhe armëmbajtësi vranë rreth 20 burra brenda pothuajse gjysmë brazde në gjysmë hektari tokë.* 15  Atëherë kampit në fushë dhe tërë ushtarëve të pararojës u hyri tmerri e madje edhe trupat sulmuese+ ishin të tmerruara. Toka nisi të dridhej, dhe më pas erdhi tmerri nga Perëndia. 16  Rojat e Saulit në Gibeah+ të Beniaminit panë se rrëmuja po përhapej anembanë kampit.+ 17  Sauli u tha ushtarëve që ishin me të: «Bëni numërimin dhe shikoni kush ka ikur!» Kur bënë numërimin, panë se Jonatani dhe armëmbajtësi i tij nuk ishin atje. 18  Atëherë Sauli i tha Akijahut:+ «Sille këtu Arkën e Perëndisë së vërtetë!» (Se në atë kohë* Arka e Perëndisë së vërtetë ishte me izraelitët.) 19  Dhe ndërsa Sauli i fliste priftit, rrëmuja në kampin e filistinëve sa vinte e bëhej më e madhe. Atëherë Sauli i tha priftit: «Ndalo! Mos vazhdo më.» 20  Kështu, Sauli dhe gjithë ushtarët që ishin me të, u mblodhën dhe vajtën në betejë, ku panë se filistinët i kishin kthyer shpatat kundër njëri-tjetrit dhe rrëmuja ishte shumë e madhe. 21  Edhe hebrenjtë që më parë kishin marrë anën e filistinëve dhe që ishin ngjitur me ta në kamp, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonatanin. 22  Tërë burrat e Izraelit që ishin fshehur+ në rajonin malor të Efraimit, morën vesh se filistinët ia kishin mbathur, prandaj edhe ata zunë t’i ndiqnin, e të merrnin pjesë në betejë. 23  Kështu, atë ditë Jehovai e shpëtoi Izraelin+ dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.+ 24  Por burrat e Izraelit ishin të dërrmuar atë ditë, sepse Sauli i kishte vënë në këtë be: «Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë* përpara mbrëmjes, derisa të kem marrë hak kundër armiqve të mi!» Kështu asnjë nga ata nuk vuri bukë në gojë.+ 25  Të gjithë ushtarët* vajtën në pyll, dhe mbi tokë kishte mjaltë. 26  Kur hynë në pyll, panë që pikonte mjaltë, por askush nuk hëngri, sepse kishin frikë nga beja. 27  Mirëpo Jonatani nuk e kishte marrë vesh që i ati i kishte vënë ushtarët në be,+ prandaj e zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e zhyti në huall dhe pasi hëngri, mori fuqi.* 28  Atëherë njëri nga ushtarët tha: «Babai yt i vuri ushtarët në be të rëndë, duke thënë: ‘Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë sot!’+ Ja pse ushtarët janë kaq të lodhur.» 29  Por Jonatani tha: «Babai im ka sjellë shumë telashe* në vend. Shihni si mora fuqi ngaqë provova fare pak mjaltë. 30  Do të kishte qenë shumë më mirë sikur sot ushtarët të kishin ngrënë lirisht+ nga preja që gjetën tek armiqtë, sepse atëherë masakra kundër filistinëve do të kishte qenë edhe më e madhe.» 31  Atë ditë i sulmuan dhe i vranë filistinët nga Mikmashi deri në Ajalon,+ dhe ushtarët u lodhën shumë. 32  Prandaj ata u turrën me lakmi mbi prenë dhe morën dhen, gjedhë e viça dhe i therën përtokë; e hëngrën mishin me gjithë gjak.+ 33  Atëherë Saulin e njoftuan: «Ja, ushtarët po mëkatojnë kundër Jehovait, duke e ngrënë mishin me gjithë gjak.»+ Sapo dëgjoi këtë, ai tha: «Ju keni vepruar pabesisht. Rrokullisni menjëherë një gur të madh këtu tek unë.» 34  Pastaj Sauli tha: «Shpërndahuni mes ushtarëve e u thoni: ‘Secili nga ju duhet të sjellë demin dhe delen e vet, t’i therë këtu dhe pastaj t’i hajë. Mos mëkatoni kundër Jehovait duke e ngrënë mishin me gjithë gjak.’»+ Kështu, atë natë secili solli demin e tij dhe e theri atje. 35  E Sauli i ndërtoi një altar Jehovait.+ Ky ishte altari i parë që i ndërtoi Jehovait. 36  Më pas Sauli tha: «T’i ndjekim filistinët natën dhe t’i plaçkitim derisa të zbardhë dita. Nuk do të lëmë asnjë gjallë.» Atëherë ata ia kthyen: «Bëj si të të duket më mirë.» Pastaj prifti tha: «Le t’i afrohemi këtu Perëndisë së vërtetë.»+ 37  Dhe Sauli e pyeti Perëndinë: «Të zbres pas filistinëve?+ A do t’ia japësh në dorë Izraelit?» Por atë ditë Perëndia nuk iu përgjigj. 38  Prandaj Sauli tha: «Ejani këtu, të gjithë ju krerë të popullit, dhe zbuloni çfarë mëkati është bërë sot, 39  sepse siç është e vërtetë që Jehovai rron, i cili e shpëtoi Izraelin, edhe sikur të jetë djali im, Jonatani, ka për të vdekur.» Por askush nga populli nuk i përgjigjej. 40  Atëherë u tha izraelitëve: «Ju do të qëndroni në njërën anë, kurse unë dhe djali im, Jonatani, do të qëndrojmë në anën tjetër.» Ata iu përgjigjën Saulit: «Bëj si të të duket më mirë.» 41  Kështu Sauli i tha Jehovait: «O Perëndi i Izraelit, përgjigju me anë të Thumimit!»*+ Pastaj u zgjodhën Jonatani dhe Sauli, ndërsa të tjerët dolën të pafajshëm. 42  Tani Sauli tha: «Hidhni short*+ për të vendosur mes meje e djalit tim, Jonatanit.» Dhe u zgjodh Jonatani. 43  Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Më trego, çfarë ke bërë?» Kështu Jonatani i tregoi: «Vetëm sa provova pak mjaltë me majën e bastunit që kam në dorë.+ Ja tek jam! Jam gati të vdes!» 44  Me të dëgjuar këtë, Sauli tha: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse ti Jonatan nuk vdes!»+ 45  Por ushtarët i thanë Saulit: «A duhet të vdesë Jonatani, ai që i solli këtë fitore të madhe*+ Izraelit? As që bëhet fjalë! Siç është e vërtetë që Jehovai rron, atij s’duhet t’i bjerë përtokë as edhe një fije floku, sepse sot ai veproi bashkë me Perëndinë.»+ Atëherë ushtarët e shpëtuan* Jonatanin, dhe ai nuk vdiq. 46  Kështu Sauli nuk i ndoqi më filistinët dhe këta shkuan në territorin e tyre. 47  Sauli siguroi pozitën e tij si mbret i Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve të vet nga çdo anë, kundër moabitëve,+ kundër amonitëve,+ kundër edomitëve,+ kundër mbretërve të Zobahut+ dhe kundër filistinëve.+ Ngado që shkonte, i mundte. 48  Dhe ai luftoi trimërisht, i mposhti amalekitët+ dhe e shpëtoi Izraelin nga dora e zhvatësve. 49  Djemtë e Saulit ishin Jonatani, Ishviu dhe Malki-Shuai.+ Ai kishte dy vajza; e madhja quhej Meraba,+ kurse e vogla, Mikala.+ 50  Gruaja e Saulit quhej Ahinoam, vajza e Ahimazit. Kreu i ushtrisë së tij quhej Abner,+ i cili ishte bir i Nerit dhe xhaxha i Saulit. 51  Babai i Saulit ishte Kishi,+ dhe Neri,+ babai i Abnerit, ishte biri i Abielit. 52  Lufta kundër filistinëve ishte e ashpër gjatë gjithë ditëve të Saulit.+ Kur Sauli shihte ndonjë burrë të fuqishëm a të guximshëm, e rekrutonte në shërbimin e tij.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «një pendë tokë», pra, sipërfaqja e tokës që një pendë ose një çift qesh mund të lërojnë në një ditë.
Fjalë për fjalë «në atë ditë».
Ose «ushqim».
Fjalë për fjalë «vendi».
Fjalë për fjalë «i shndritën sytë».
Fjalë për fjalë «ostracizëm».
Shih Fjalorthin, «Urimi dhe Thumimi».
Ka të ngjarë të lidhet me konsultimin e Thumimit.
Ose «shpëtim të madh».
Fjalë për fjalë «shpenguan».