Libri i parë i Samuelit 18:1-30
18 Sapo Davidi mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani+ dhe Davidi u bënë miq të ngushtë,* dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet.+
2 Që nga ajo ditë, Sauli e mori Davidin si shërbëtor të tij dhe nuk e la të kthehej në shtëpinë e të atit.+
3 Dhe Jonatani bëri një besëlidhje me Davidin,+ sepse e donte si shpirtin e vet.+
4 Jonatani hoqi veshjen pa mëngë dhe ia dha Davidit, bashkë me veshjen ushtarake, shpatën, harkun dhe rripin e tij.
5 Davidi filloi të shkonte nëpër fushata ushtarake dhe kishte sukses*+ kudo që e dërgonte Sauli. Prandaj Sauli e vuri në krye të luftëtarëve,+ dhe kjo i pëlqeu gjithë popullit e shërbëtorëve të Saulit.
6 Kur Davidi dhe të tjerët ktheheshin, pasi kishin vrarë filistinët, gratë dilnin me këngë e valle nga të gjitha qytetet e Izraelit+ për të takuar mbretin Saul, me dajre+ e llauta, plot gëzim.
7 Gratë që festonin, ia merrnin këngës:
«Sauli ka vrarë mijëra,e Davidi dhjetëra mijë.»+
8 Saulit nuk i pëlqeu fare kur dëgjoi këtë këngë dhe i zemëruar+ tha: «Davidin e lëvduan për dhjetëra mijë, kurse mua më lëvduan për mijëra. Tani s’mbetet gjë tjetër veç t’i japin edhe mbretërinë!»+
9 Që nga ajo ditë, Sauli e shikonte gjithmonë me dyshim Davidin.
10 Të nesërmen Perëndia lejoi që Saulin ta mundonin mendime të zymta,*+ dhe ai filloi të sillej çuditshëm* nëpër shtëpi, ndërsa Davidi i binte harpës+ si herët e tjera. Sauli mbante në dorë një heshtë+
11 dhe e vërviti heshtën+ duke thënë me vete: «Do ta mbërthej Davidin në mur!» Por Davidi shpëtoi dy herë prej tij.
12 Atëherë Sauli pati frikë nga Davidi, sepse Jehovai ishte me të+ dhe e kishte braktisur Saulin.+
13 Kështu Sauli e largoi nga prania e vet dhe e caktoi si krye të një mijë ushtarëve, dhe Davidi i printe ushtrisë nëpër beteja.*+
14 Ai vazhdonte të kishte sukses+ në gjithçka që bënte, dhe Jehovai ishte me të.+
15 Kur e pa që ai kishte shumë sukses, Sauli u frikësua prej tij.
16 Por gjithë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse ai u printe nëpër fushata.
17 Më vonë Sauli i tha Davidit: «Ja tek e ke vajzën time të madhe, Merabën.+ Do të ta jap për grua.+ Megjithatë duhet të vazhdosh të më shërbesh me guxim dhe të bësh luftërat e Jehovait.»+ Se Sauli thoshte me vete: «Të mos vdesë nga dora ime, por nga dora e filistinëve.»+
18 Atëherë Davidi i tha Saulit: «Kush jam unë e kush janë të afërmit e mi, familja e babait tim në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?»+
19 Mirëpo, kur erdhi koha që Davidit t’i jepnin Merabën, vajzën e Saulit, atë ia kishin dhënë tashmë për grua Adrielit,+ meholatitit.
20 Tani Mikala,+ vajza e Saulit, ishte e dashuruar me Davidin dhe kur ia treguan këtë Saulit, atij i pëlqeu.
21 Kështu Sauli tha: «Do t’ia jap, kështu ajo do të jetë si lak për të, me qëllim që ai të bjerë në duart e filistinëve.»+ Pastaj Sauli i tha për herë të dytë Davidit: «Ti do të bëhesh dhëndri im* sot.»
22 Veç kësaj, Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Thuajini fshehurazi Davidit: ‘Mbreti është i kënaqur me ty dhe të gjithë shërbëtorët e tij të kanë për zemër, prandaj bëhu dhëndri i mbretit.’»
23 Kur shërbëtorët e Saulit ia thanë këto fjalë Davidit, ai ua ktheu: «Mos ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit, kur unë s’jam veçse një njeri i varfër dhe i thjeshtë?»+
24 Atëherë shërbëtorët i thanë Saulit: «Kështu tha Davidi.»
25 Me të dëgjuar këtë, Sauli tha: «Thuajini kështu Davidit: ‘Mbreti nuk do çmim për nusen,+ por 100 lafsha+ të filistinëve, që të hakmerret kundër armiqve të vet.’» Se Sauli po thurte plane që Davidi të vdiste nga dora e filistinëve.
26 Kështu shërbëtorët e mbretit ia treguan këto fjalë Davidit, që i pëlqeu të bëhej dhëndri i mbretit.*+ Para se të mbaronte afati i vendosur,
27 Davidi shkoi bashkë me njerëzit e vet dhe vrau 200 filistinë. Pastaj ia solli mbretit të gjitha lafshat e tyre, që të bëhej dhëndri i mbretit. Prandaj Sauli ia dha për grua Mikalën, vajzën e vet.+
28 Ai kuptoi se Jehovai ishte me Davidin+ dhe se Mikala, e bija, e donte.+
29 Ja pse Sauli u frikësua edhe më shumë nga Davidi dhe, deri në fund të jetës së vet, mbeti armiku i tij.+
30 Princat e filistinëve dilnin nëpër beteja, por, sa herë që dilnin, Davidi kishte më shumë sukses se të gjithë shërbëtorët e Saulit;+ emri i tij ishte shumë i nderuar.+
Shënimet
^ Ose «Jonatani u lidh shpirtërisht me Davidin».
^ Ose «vepronte me maturi».
^ Fjalë për fjalë «një frymë e keqe».
^ Ose «dhe u soll si profet».
^ Fjalë për fjalë «dhe ai dilte e hynte para popullit».
^ Ose «do të lidhësh një aleancë martesore me mua».
^ Ose «të lidhte aleancë martesore me mbretin».