Libri i parë i Samuelit 26:1-25
26 Pas ca kohësh, burrat e Zifit+ vajtën te Sauli në Gibeah+ dhe i thanë: «Davidi është fshehur në kodrën e Hakilahut, përballë Jeshimonit.»*+
2 Kështu Sauli zbriti në shkretëtirën e Zifit bashkë me 3.000 burra të zgjedhur të Izraelit që të kërkonte Davidin në shkretëtirën e Zifit.+
3 Sauli e ngriti kampin pranë rrugës, në kodrën e Hakilahut, përballë Jeshimonit. Në atë kohë, Davidi jetonte në shkretëtirë dhe mori vesh se Sauli kishte vajtur pas tij në shkretëtirë.
4 Prandaj dërgoi vëzhgues që të sigurohej nëse Sauli kishte ardhur vërtet.
5 Më vonë, Davidi shkoi atje ku kishte ngritur kampin Sauli dhe pa se ku po flinte ai dhe Abneri,+ djali i Nerit, kreu i ushtrisë. Sauli po flinte brenda rrethimit të kampit bashkë me trupat ushtarake që fushonin rreth e qark tij.
6 Atëherë Davidi i tha hititit+ Ahimelek dhe Abishait,+ djalit të Zerujasë,+ vëllait të Joabit: «Kush do të vijë me mua në kamp, te Sauli?» Abishai i tha: «Do të vij unë.»
7 Kështu Davidi me Abishain shkuan natën te trupat ushtarake dhe gjetën Saulin që flinte brenda rrethimit të kampit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë, pranë kokës; Abneri dhe trupat ushtarake ishin shtrirë rreth e qark tij.
8 Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka dhënë në dorë armikun.+ Të lutem, më lër ta mbërthej në tokë me heshtë, vetëm me një të goditur, e nuk do të më duhet t’i bie për së dyti.»
9 Por Davidi i tha Abishait: «Mos i bëj keq, sepse kush mund të ngrejë dorë kundër të mirosurit* të Jehovait+ dhe të mbetet i pafajshëm?!»+
10 Davidi shtoi: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, vetë Jehovai do ta godasë,+ ose do t’i vijë dita+ e do të vdesë, ose do të shkojë në betejë e do të marrë fund.+
11 Duke e ditur pikëpamjen e Jehovait, nuk më shkon kurrë ndër mend të ngre dorë kundër të mirosurit të Jehovait!+ Tani, të lutem, të marrim heshtën dhe shtambën e ujit që janë pranë kokës së tij, e të shkojmë.»
12 Kështu Davidi mori heshtën dhe shtambën e ujit që ishin pranë kokës së Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa,+ nuk i vuri re dhe nuk u zgjua, ngaqë të gjithë po flinin, sepse Jehovai i kishte vënë në gjumë të thellë.
13 Pastaj Davidi kaloi në anën tjetër dhe qëndroi në majë të malit, goxha larg tyre.
14 Davidi u thirri trupave ushtarake dhe Abnerit,+ djalit të Nerit: «Abner, më dëgjon?» Abneri u përgjigj: «Kush je ti që i thërret mbretit?»
15 Davidi i tha: «A nuk je burrë trim?! E kush është si ti në Izrael?! Pse, pra, nuk e ruajte zotërinë tënd, mbretin? Se një nga ushtarët hyri për ta hequr qafe zotërinë tënd, mbretin.+
16 S’ke vepruar mirë. Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ju e keni hak vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të mirosurin e Jehovait.+ Tani shiko rreth e rrotull. Ku janë heshta e mbretit dhe shtamba e ujit+ që ishin pranë kokës së tij?»
17 Atëherë Sauli e njohu zërin e Davidit dhe e pyeti: «Zëri yt është ky David, biri im?»+ Davidi i tha: «Zëri im është, o zotëria im mbret.»
18 Ai shtoi: «Pse e ndjek këmba-këmbës zotëria im shërbëtorin e tij?+ Ç’kam bërë? Për çfarë jam fajtor?+
19 Të lutem, le t’i dëgjojë zotëria im, mbreti, fjalët e shërbëtorit të vet. Nëse kundër meje të ka nxitur Jehovai, Ai le ta pranojë* blatimin tim në drithë! Por, nëse të kanë nxitur njerëzit,+ qofshin të mallkuar para Jehovait, sepse më kanë dëbuar sot nga populli* i Jehovait+ dhe më kanë thënë: ‘Shko, shërbeju perëndive të tjera!’
20 Mos e lër gjakun tim të derdhet përtokë, larg pranisë së Jehovait, sepse mbreti i Izraelit ka dalë të kërkojë veçse një plesht,+ sikur të ndiqte një thëllëzë në male.»
21 Sauli ia ktheu: «Kam mëkatuar.+ Kthehu, David, biri im, sepse nuk do të të bëj më keq, ngaqë sot e konsiderove të çmuar+ jetën time. Po, kam vepruar pa mend dhe kam bërë një gabim të tmerrshëm.»
22 Davidi u përgjigj: «Ja heshta e mbretit. Le të vijë një nga burrat dhe ta marrë.
23 Jehovai do ta shpërblejë secilin për drejtësinë dhe besnikërinë e vet,+ sepse sot Jehovai të dha në duart e mia, por unë nuk doja të ngrija dorë kundër të mirosurit të Jehovait.+
24 Ja, ashtu si jeta jote ishte e çmuar në sytë e mi sot, kështu qoftë e çmuar jeta ime në sytë e Jehovait, dhe ai më çliroftë nga të gjitha vuajtjet!»+
25 Sauli i tha Davidit: «Qofsh i bekuar David, biri im! Ti pa dyshim do të bësh gjëra të mëdha dhe do të dalësh fitimtar.»+ Pastaj Davidi u largua, ndërsa Sauli u kthye në shtëpi.+
Shënimet
^ Një mundësi tjetër «shkretëtirës; vendit të shkretë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «trashëgimia».
^ Fjalë për fjalë «të ndiejë aromën».