Libri i parë i Samuelit 27:1-12

  • Filistinët i japin Davidit Ziklagun (1-12)

27  Megjithatë Davidi tha me vete: «Një ditë kam për të marrë fund nga dora e Saulit. Më mirë t’ia mbath+ në vendin e filistinëve, kështu Sauli do të heqë dorë e s’do të më kërkojë më në gjithë territorin e Izraelit,+ dhe unë do të shpëtoj nga duart e tij.»  Prandaj Davidi u nis bashkë me 600 burrat+ që ishin me të dhe shkoi tek Akishi,+ biri i Maokut, mbreti i Gathit.  Davidi qëndroi me Akishin në Gath, ai dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet. Bashkë me Davidin ishin dy gratë e tij, Ahinoami,+ jezrelitja, dhe Abigaila,+ karmelitja, vejusha e Nabalit.  Kur e njoftuan se Davidi ia kishte mbathur në Gath, Sauli nuk e kërkoi më.+  Atëherë Davidi i tha Akishit: «Nëse kam fituar pëlqimin tënd, të lutem, më jep një vend në njërin nga qytetet e vogla që të jetoj atje. Pse të jetojë shërbëtori yt me ty në qytetin mbretëror?»  Prandaj atë ditë Akishi i dha Ziklagun.+ Ja pse Ziklagu u përket mbretërve të Judës deri sot e kësaj dite.  Davidi banoi në vendin e filistinëve një vit e katër muaj.+  Davidi shkonte me njerëzit e tij që të sulmonte geshuritët,+ girzitët dhe amalekitët,+ sepse këta banonin në vendin që shtrihej nga Telami deri në Sur+ e që vazhdonte deri poshtë në vendin e Egjiptit.  Kur e sulmonte vendin, Davidi nuk linte gjallë as burra, as gra,+ por u merrte dhentë, gjedhët, gomarët, devetë, rrobat, e pas kësaj kthehej tek Akishi. 10  Atëherë Akishi e pyeste: «Në cilin vend sulmuat sot?» Davidi i përgjigjej: «Në jug* të Judës»,+ ose «në jug të jerahmelitëve»,+ ose «në jug të kenitëve».+ 11  Davidi nuk linte gjallë as burra, as gra që t’i sillnin në Gath, sepse thoshte: «Përndryshe do të tregojnë ç’po bëjmë dhe do të thonë: ‘Këtë e ka bërë Davidi.’» (Ai veproi kështu gjatë gjithë kohës që banoi në vendin e filistinëve.) 12  Prandaj Akishi i besonte Davidit dhe thoshte me vete: «Pa dyshim ai është bërë i urryer për popullin e tij, Izraelin, prandaj do të jetë gjithnjë shërbëtori im.»

Shënimet

Ose «Në Negeb».