Libri i parë i Samuelit 29:1-11
-
Filistinët dyshojnë për Davidin (1-11)
29 Filistinët+ i mblodhën të gjitha ushtritë e tyre në Afek, kurse izraelitët e kishin ngritur kampin pranë burimit në Jezrel.+
2 Sundimtarët filistinë po kalonin me qindëshet e me mijëshet e tyre, kurse Davidi dhe njerëzit e tij po marshonin në fund me Akishin.+
3 Por princat e filistinëve thanë: «Ç’duan këta hebrenj këtu?» Akishi iu përgjigj princave të filistinëve: «Ky është Davidi, shërbëtori i Saulit, mbretit të Izraelit, që ka qenë këtu me mua për më shumë se një vit.+ S’kam gjetur tek ai asnjë faj, që kur erdhi tek unë pas dezertimit e deri më sot.»
4 Por princat e filistinëve u indinjuan me të dhe i thanë: «Ktheje mbrapsht atë njeri.+ Të kthehet në vendin ku e ke caktuar. Mos e lër të vijë me ne në betejë që të mos na kundërvihet,+ sepse, si do ta fitojë ndryshe ky njeri pëlqimin e zotërisë së tij?! A nuk do ta fitojë me kokat e burrave tanë?!
5 A nuk është ky Davidi, për të cilin hidhnin valle e këndonin:
‘Sauli ka vrarë mijëra,e Davidi dhjetëra mijë’.»+
6 Atëherë Akishi+ e thirri Davidin dhe i tha: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ti je i drejtë, dhe unë do të doja të vije në betejë me ushtrinë time,+ sepse nuk kam gjetur te ti asnjë faj që kur erdhe tek unë e deri më sot.+ Por sundimtarët nuk të zënë besë.+
7 Prandaj kthehu në paqe e mos bëj ndonjë gjë që s’do t’u pëlqente sundimtarëve filistinë.»
8 Mirëpo Davidi i tha Akishit: «Pse, ç’kam bërë? Ç’faj ke gjetur te shërbëtori yt që nga dita kur erdha te ti e deri më sot? Pse të mos vij e të luftoj kundër armiqve të zotërisë tim, mbretit?»
9 Akishi iu përgjigj Davidit: «Për mua, ti ke qenë i mirë si engjëll i Perëndisë.+ Vetëm se princat e filistinëve kanë thënë: ‘Mos e lër të vijë me ne në betejë.’
10 Prandaj zgjohu herët në mëngjes, e bashkë me burrat që erdhën me ty largohu herët, sapo të zbardhet.»
11 Kështu Davidi dhe njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes që të ktheheshin në vendin e filistinëve, kurse filistinët vajtën në Jezrel.+