Libri i parë i Samuelit 5:1-12

  • Arka në territorin filistin (1-12)

    • Dagoni poshtërohet (1-5)

    • Filistinët ndëshkohen me hemorroide (6-12)

5  Kur e morën Arkën+ e Perëndisë së vërtetë, filistinët e çuan nga Ebenezeri në Ashdod.  E çuan Arkën e Perëndisë së vërtetë në shtëpinë* e Dagonit dhe e vendosën pranë tij.+  Të nesërmen, kur ashdoditët u çuan herët, Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë përpara Arkës së Jehovait.+ Prandaj e morën Dagonin dhe e kthyen në vendin e vet.+  Ditën tjetër, kur u çuan herët në mëngjes, panë prapë që Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë përpara Arkës së Jehovait. Koka e Dagonit dhe të dyja duart e tij ishin prerë e gjendeshin te pragu. Vetëm pjesa si peshk* kishte mbetur e paprekur.  Ja pse deri sot e kësaj dite, priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që hyjnë në shtëpinë e tij nuk e shkelin pragun e Dagonit në Ashdod.  Dora e Jehovait i ndëshkoi* ashdoditët. Ai i sulmoi duke goditur me hemorroide Ashdodin dhe territoret e tij.+  Kur panë se ç’po ndodhte, burrat e Ashdodit thanë: «Të mos qëndrojë mes nesh Arka e Perëndisë së Izraelit, sepse dora e tij ka vepruar ashpër kundër nesh dhe kundër Dagonit, perëndisë tonë.»  Prandaj dërguan fjalë dhe mblodhën të gjithë sundimtarët filistinë dhe i pyetën: «Ç’të bëjmë me Arkën e Perëndisë së Izraelit?» Ata ia kthyen: «Arka e Perëndisë së Izraelit të çohet në Gath.»+ Kështu Arkën e Perëndisë së Izraelit e çuan atje.  Pasi e çuan atje, dora e Jehovait ishte kundër atij qyteti dhe shkaktoi shumë panik. Ai i goditi njerëzit e qytetit, të vegjël e të mëdhenj, dhe atyre u dolën hemorroide.+ 10  Prandaj Arkën e Perëndisë së vërtetë e dërguan në Ekron.+ Por, sapo Arka e Perëndisë së vërtetë mbërriti atje, ekronitët filluan të thërritnin: «E kanë sjellë Arkën e Perëndisë së Izraelit, që të vdesim ne dhe populli ynë!»+ 11  Atëherë dërguan fjalë dhe mblodhën të gjithë sundimtarët filistinë dhe thanë: «Largojeni Arkën e Perëndisë së Izraelit. Kthejeni në vendin e vet që të mos vdesim ne e populli ynë.» Se tmerri i vdekjes ishte përhapur në tërë qytetin. Dora e Perëndisë së vërtetë i kishte ndëshkuar ashpër,*+ 12  dhe njerëzit që nuk kishin vdekur, ishin goditur me hemorroide. Klithma e qytetit për ndihmë u ngjit deri në qiell.

Shënimet

Ose «tempullin».
Fjalë për fjalë «Vetëm Dagoni».
Fjalë për fjalë «u bë e rëndë mbi».
Fjalë për fjalë «kishte qenë shumë e rëndë atje».