Libri i parë i Samuelit 8:1-22

  • Izraeli kërkon një mbret (1-9)

  • Samueli paralajmëron popullin (10-18)

  • Jehovai plotëson kërkesën për një mbret (19-22)

8  Kur u plak, Samueli emëroi djemtë e vet që të gjykonin Izraelin.  I parëlinduri quhej Joel, kurse i dyti Abijah;+ ata gjykonin në Ber-Shebë.  Por këta nuk ecën në gjurmët e të atit, sepse jepeshin pas fitimeve të pandershme,+ merrnin ryshfete+ dhe shtrembëronin drejtësinë.+  Pas ca kohësh, tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën dhe vajtën në Ramah te Samueli  e i thanë: «Shiko, ti je plakur dhe djemtë e tu nuk ecin në udhët e tua. Prandaj na cakto një mbret, si kanë tërë kombet e tjera, që të na gjykojë.»+  Por, kur ata thanë: «Na jep një mbret që të na gjykojë», kjo nuk i pëlqeu Samuelit.* Pastaj Samueli iu lut Jehovait,  dhe Jehovai i tha: «Dëgjo gjithçka që të thotë populli, sepse nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua si mbretin e tyre.+  Ata po veprojnë me ty ashtu si kanë bërë me mua që nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot; vazhdojnë të më braktisin+ dhe t’u shërbejnë perëndive të tjera.+  Dëgjoje kërkesën e tyre. Megjithatë duhet t’i paralajmërosh qartë për pasojat; tregoju ç’do të kërkojë me të drejtë mbreti që do të sundojë mbi ta.» 10  Kështu Samueli i tregoi popullit, që i kërkonte një mbret, të gjitha fjalët e Jehovait. 11  Ai tha: «Ja çfarë do të kërkojë me të drejtë mbreti që do të sundojë mbi ju:+ ai do t’jua marrë djemtë+ e do t’i vërë në karrocat e veta,+ do t’i bëjë kalorësit e vet+ e madje disa do të vrapojnë përpara karrocave të tij. 12  Do të caktojë për vete krerë të mijësheve+ e krerë të pesëdhjetësheve,+ dhe disa do të lërojnë tokën,+ do të mbledhin të korrat e tij+ e do të bëjnë armë për luftë dhe pajisje për karrocat e tij.+ 13  Vajzat do t’jua marrë që të jenë përgatitëse pomadash,* kuzhiniere e bukëpjekëse.+ 14  Do të marrë arat, vreshtat e ullishtet tuaja më të mira,+ dhe do t’ua japë shërbëtorëve të vet. 15  Do të marrë të dhjetën nga drithi i arave tuaja dhe nga vreshtat tuaj e do t’ua japë zyrtarëve të oborrit dhe shërbëtorëve të vet. 16  Do t’ju marrë shërbyesit, shërbyeset, tufat më të mira e gomarët, dhe do t’i përdorë për punën e vet.+ 17  Do të marrë të dhjetën nga kopetë tuaja+ dhe ju do të bëheni shërbëtorët e tij. 18  Do të vijë dita kur do të thërritni e do të rënkoni për shkak të mbretit që e keni zgjedhur vetë,+ por atë ditë Jehovai nuk do t’ju përgjigjet.» 19  Megjithatë populli nuk pranoi ta dëgjonte atë që i tregoi Samueli dhe tha: «Jo, e kemi ndarë mendjen të kemi një mbret. 20  Atëherë do të jemi si tërë kombet e tjera, dhe mbreti ynë do të na gjykojë, do të na prijë dhe do të luftojë për ne.» 21  Pasi i dëgjoi të gjitha fjalët e popullit, Samueli ia tha ato Jehovait. 22  Atëherë Jehovai i tha Samuelit: «Dëgjoje popullin dhe cakto një mbret që të mbretërojë mbi të.»+ Pastaj Samueli u tha burrave të Izraelit: «Secili të kthehet në qytetin e vet.»

Shënimet

Fjalë për fjalë «ishte e keqe në sytë e Samuelit».
Ose «bërëse parfumesh».