Libri i parë i Samuelit 9:1-27

  • Samueli takohet me Saulin (1-27)

9  Ishte një burrë nga fisi i Beniaminit që quhej Kish.+ Ky ishte bir i Abielit, bir i Zerorit, bir i Bekoratit, bir i Afiahut, beniaminit,+ njeri shumë i pasur.  Ai kishte një djalë që quhej Saul,+ i cili ishte i ri e i bukur, asnjë nga izraelitët nuk ishte më i bukur se ai. Ai ua kalonte të gjithëve për nga gjatësia—të tjerët i arrinin deri te supet.  Kur i humbën gomaricat Kishit, babait të Saulit, ai i tha të birit, Saulit: «Të lutem, merr me vete një nga shërbëtorët dhe shko të kërkosh gomaricat.»  Ata përshkuan rajonin malor të Efraimit dhe vendin e Shalishahut, por nuk i gjetën. Udhëtuan nëpër vendin e Shelimit, por as atje nuk ishin. Përshkuan gjithë vendin e beniaminitëve, por nuk i gjetën.  Kur arritën në vendin e Zufit, Sauli i tha shërbëtorit që kishte me vete: «Eja të kthehemi, se mos im atë e heq mendjen nga gomaricat dhe fillon të merakoset për ne.»+  Por shërbëtori ia ktheu: «Shiko, në këtë qytet gjendet një njeri i Perëndisë, një njeri i nderuar. Çdo gjë që thotë ai, del e vërtetë.+ Të vemi atje tani se ndoshta na tregon rrugën nga të shkojmë.»  Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Nëse shkojmë, çfarë do t’i çojmë atij njeriu? Në çantat tona s’kemi as bukë dhe asgjë tjetër që t’ia çojmë si dhuratë njeriut të Perëndisë së vërtetë. Çfarë kemi me vete?»  Kështu shërbëtori iu përgjigj përsëri Saulit: «Shiko, në dorë kam një çerek sikli* argjendi. Do t’ia jap njeriut të Perëndisë së vërtetë dhe ai do të na tregojë rrugën nga të shkojmë.»  (Në kohët e mëparshme, në Izrael, kur një njeri shkonte të kërkonte Perëndinë, thoshte: «Ejani e le të shkojmë te parashikuesi.»+ Faktikisht më parë profeti i sotëm quhej parashikues.) 10  Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Mirë e the. Të shkojmë.» Kështu shkuan në qytetin ku ndodhej njeriu i Perëndisë së vërtetë. 11  Ndërsa po ngjitnin të përpjetën për në qytet, takuan disa vajza që dilnin për të mbushur ujë. Prandaj i pyetën: «Këtu është parashikuesi?»+ 12  Ato iu përgjigjën: «Po. Ja, sapo iku përpara jush. Nxitoni, sepse sot ka ardhur në qytet meqë populli po bën një flijim+ në vendin e lartë.*+ 13  Sapo të hyni në qytet, do ta gjeni. Shkoni shpejt, përpara se të ngjitet për të ngrënë në vendin e lartë, sepse populli nuk do të hajë derisa ai të mbërrijë dhe ta bekojë flijimin. Vetëm atëherë të ftuarit mund të hanë. Prandaj ngjituni menjëherë dhe do ta gjeni.» 14  Atëherë ata u ngjitën në qytet. Kur mbërritën brenda në qytet, Samueli po dilte që t’i takonte e të ngjiteshin bashkë në vendin e lartë. 15  Një ditë para se të vinte Sauli, Jehovai i kishte treguar Samuelit: 16  «Nesër, rreth kësaj ore, do të të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit.+ Ti duhet ta mirosësh* si prijës të popullit tim, Izraelit,+ dhe ai do ta shpëtojë popullin tim nga dora e filistinëve, sepse e kam parë vuajtjen e popullit tim dhe klithma e tyre ka arritur tek unë.»+ 17  Kur Samueli e pa Saulin, Jehovai i tha: «Ja ku është njeriu për të cilin të thashë: ‘Ky do ta qeverisë popullin tim.’»*+ 18  Atëherë Sauli iu afrua Samuelit te porta dhe e pyeti: «Të lutem, më trego ku është shtëpia e parashikuesit?» 19  Samueli iu përgjigj: «Unë jam parashikuesi. Hajde me mua* në vendin e lartë dhe sot do të hash me mua.+ Në mëngjes do të të nis dhe do të të tregoj gjithçka që dëshiron të dish.* 20  Sa për gomaricat që humbën tri ditë më parë,+ mos u bëj merak, sepse i kanë gjetur. Kujt, vallë, i përket gjithçka e dëshirueshme e Izraelit? A nuk të përket ty dhe gjithë shtëpisë së atit tënd?»+ 21  Atëherë Sauli ia ktheu: «A nuk jam unë nga Beniamini, nga fisi më i vogël i Izraelit?+ A nuk është familja ime më e parëndësishmja nga të gjitha familjet e fisit të Beniaminit? Pse, pra, ma thua mua një gjë të tillë?» 22  Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i çoi në sallën e ngrënies dhe i uli në krye të të ftuarve, aty ishin rreth 30 burra. 23  Samueli i tha kuzhinierit: «Sille racionin që të dhashë, për të cilën të porosita: ‘Vëre mënjanë.’» 24  Atëherë kuzhinieri mori kofshën e flijimit dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli i tha: «Të është vënë përpara ajo që është ruajtur për ty. Ha, sepse e kanë ruajtur për ty, për këtë rast, se u thashë: ‘Kam ftuar miq.» Atë ditë, pra, Sauli hëngri me Samuelin. 25  Më pas zbritën nga vendi i lartë+ për në qytet, dhe ai vazhdoi të fliste me Saulin në tarracë. 26  Ata u ngritën herët, e në agim Samueli e thirri Saulin në tarracë dhe i tha: «Bëhu gati që të nisesh.» Kështu Sauli u bë gati e që të dy, ai dhe Samueli, shkuan jashtë. 27  Ndërsa zbritnin për nga periferia e qytetit, Samueli i tha Saulit: «Thuaji shërbëtorit+ që të shkojë para nesh (kështu ai eci përpara), kurse ti ndalu pak që të dëgjosh fjalën e Perëndisë nëpërmjet meje.»

Shënimet

Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ose «do ta mbajë në fre popullin tim».
Fjalë për fjalë «Ngjitu përpara meje».
Fjalë për fjalë «gjithçka që është në zemrën tënde».