Letra e parë drejtuar Timoteut 6:1-21

  • Skllevërit t’i nderojnë zotërinjtë e tyre (1, 2)

  • Mësuesit e rremë dhe lakmia për pará (3-10)

  • Udhëzime për një njeri të Perëndisë (11-16)

  • Të pasur në vepra të shkëlqyera (17-19)

  • Ruaje atë që të është besuar (20, 21)

6  Të gjithë ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë, t’i konsiderojnë zotërinjtë e tyre të denjë për nderim të plotë,+ që kurrë të mos flitet keq për emrin e Perëndisë dhe për mësimet e tij.+  Për më tepër, ata që i kanë zotërinjtë besimtarë, të mos i trajtojnë pa respekt ngaqë janë vëllezër. Përkundrazi, të jenë edhe më të gatshëm t’u shërbejnë, sepse ata që nxjerrin dobi nga shërbimi i tyre i mirë, janë besimtarë dhe vëllezër të dashur. Vazhdo të mësosh këto gjëra dhe të japësh këto nxitje.  Nëse dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk pajtohet me udhëzimet e dobishme*+ që vijnë nga Zotëria ynë Jezu Krisht, as me mësimin që përputhet me përkushtimin ndaj Perëndisë,+  ai njeri është i krekosur dhe nuk kupton asgjë;+ i ka fiksim* diskutimet e debatet për fjalët.+ Gjëra të tilla i hapin rrugë zilisë, konflikteve, shpifjeve,* dyshimeve të liga  dhe mosmarrëveshjeve pa fund për çikërrima mes njerëzve që kanë mendje të korruptuar+ e që nuk e kuptojnë më të vërtetën, të cilët mendojnë se përkushtimi ndaj Perëndisë është mjet fitimi.+  Pa dyshim, përkushtimi ndaj Perëndisë sjell fitim të madh+ kur kënaqemi me atë që kemi,  sepse asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj.+  Prandaj, nëse kemi ç’të hamë e ç’të veshim,* të kënaqemi me kaq.+  Kurse ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak+ e bëhen pre e shumë dëshirave të marra e të dëmshme, të cilat i zhytin në shkatërrim e në rrënim.+ 10  Vërtet, lakmia* për pará është rrënja e çdo lloj të keqeje dhe, duke ushqyer këtë lakmi,* disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.+ 11  Kurse ti, o njeri i Perëndisë, ik nga këto gjëra. Më mirë, kërko me ngulm drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë.+ 12  Bëj luftën e shkëlqyer të besimit, rrok jetën e përhershme, për të cilën u thirre e për të cilën dhe një dëshmi publike të shkëlqyer përpara shumë dëshmitarëve. 13  Përpara Perëndisë, që i mban në jetë të gjitha gjërat, dhe Krishtit Jezu, që si dëshmitar dha një dëshmi publike të shkëlqyer përpara Ponc Pilatit,+ të urdhëroj 14  ta zbatosh urdhërimin në mënyrë të patëmetë e të paqortueshme derisa të shfaqet Zotëria ynë Jezu Krisht,+ 15  sepse në kohën e caktuar, ai do të shfaqet, po, Zotëria i Pushtetshëm dhe i lumtur, Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj,+ 16  i vetmi që ka pavdekësinë,+ që banon në dritë të paafrueshme,+ të cilin nuk e ka parë askush e as mund ta shohë.+ Atij i qoftë nderimi dhe fuqia e përhershme! Amin! 17  Ata që janë të pasur në këtë botë,* mësoji të mos jenë arrogantë* e të mos i varin shpresat te pasuria e pasigurt,+ por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë.+ 18  Thuaju të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë bujarë,* të mos kursehen për të tjerët,+ 19  e kështu të vënë mënjanë si thesar një themel të shkëlqyer për të ardhmen,+ që të rrokin jetën e vërtetë.+ 20  O Timote, ruaje atë që të është besuar,+ largohu nga fjalët boshe që shpërfillin atë që është e shenjtë dhe nga idetë kontradiktore të asaj që gjoja quhet «njohuri».+ 21  Ngaqë mbahen me të madh për këtë njohuri, disa janë larguar nga besimi. Mirësia e pamerituar e Perëndisë qoftë me ju!

Shënimet

Fjalë për fjalë «e shëndosha».
Ose «ka një kureshtje të sëmurë për».
Ose «sharjeve».
Ose «e ku të futim kokën; e nëse kemi strehë». Fjalë për fjalë «mbulesë».
Ose «duke rendur pas kësaj dashurie».
Ose «dashuria».
Ose «urdhëroji të mos jenë kryelartë».
Ose «në këtë sistem; në këtë rend». Shih Fjalorthin.
Ose «dorëgjerë».