Libri i dytë i Mbretërve 1:1-18
-
Elija parathotë vdekjen e Ahaziahut (1-18)
1 Pas vdekjes së Akabit, Moabi+ ngriti krye kundër Izraelit.
2 Në atë kohë, Ahaziahu ra nga një thurimë* në dhomën e tarracës së shtëpisë së tij në Samari dhe u vra keq. Prandaj dërgoi lajmëtarë e u tha: «Shkoni dhe pyetni Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit,+ nëse do ta marr veten.»+
3 Por engjëlli i Jehovait i tha Elijas,*+ tishbitit: «Çohu, shko të takosh lajmëtarët e mbretit të Samarisë dhe thuaju: “Nuk paska Perëndi në Izrael që po shkoni të pyetni Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit?!+
4 Prandaj, kështu thotë Jehovai: ‘Nuk do të ngrihesh nga shtrati, sepse do të vdesësh.’”» Pastaj Elija iku.
5 Kur lajmëtarët u kthyen tek Ahaziahu, menjëherë ai i pyeti: «Pse u kthyet?»
6 Ata iu përgjigjën: «Një burrë na takoi dhe na tha: “Ikni, kthehuni te mbreti që ju dërgoi dhe i thoni: ‘Kështu thotë Jehovai: “Nuk paska Perëndi në Izrael që po dërgon njerëz të pyesin Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit?! Prandaj nuk do të ngrihesh nga shtrati, sepse do të vdesësh.”’”»+
7 Atëherë ai i pyeti: «Si ishte burri që ju takoi dhe ju tha këto fjalë?»
8 Ata iu përgjigjën: «Ishte një burrë i veshur me rrobë leshi+ dhe rrip lëkure në mes.»+ Menjëherë ai tha: «Është Elija, tishbiti.»
9 Pastaj mbreti dërgoi tek Elija kreun e një 50-sheje bashkë me 50 njerëzit e tij. Kur shkoi tek Elija që po rrinte ulur në majë të malit, i tha: «O njeri i Perëndisë së vërtetë,+ mbreti të urdhëron: ‘Zbrit!’»
10 Por Elija ia ktheu kreut të 50-shes: «E pra, nëse jam njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qielli+ dhe të të përpijë ty bashkë me 50 njerëzit e tu.» Dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu atë dhe 50 njerëzit e tij.
11 Prandaj mbreti dërgoi përsëri kreun e një 50-sheje tjetër me 50 njerëzit e tij. Ky shkoi dhe i tha: «O njeri i Perëndisë së vërtetë, kështu thotë mbreti: ‘Zbrit shpejt.’»
12 Por Elija ia ktheu: «Nëse jam njeri i Perëndisë së vërtetë, le të zbresë zjarr nga qielli dhe të të përpijë ty bashkë me 50 njerëzit e tu.» Dhe nga qielli zbriti një zjarr nga Perëndia, që përpiu atë dhe 50 njerëzit e tij.
13 Atëherë mbreti dërgoi për herë të tretë kreun e një 50-sheje tjetër me 50 njerëzit e tij. Dhe ky u ngjit në mal, ra në gjunjë përpara Elijas dhe filloi t’i përgjërohej për mëshirë: «O njeri i Perëndisë së vërtetë, të lutem, qoftë e çmuar në sytë e tu jeta ime dhe jeta e këtyre 50 shërbëtorëve të tu!
14 Dy krerët e 50-sheve që erdhën më parë bashkë me 50 njerëzit e tyre i përpiu zjarri që zbriti nga qielli. Por, të lutem, qoftë e çmuar jeta ime në sytë e tu.»
15 Atëherë engjëlli i Jehovait i tha Elijas: «Zbrit me të. Mos ki frikë prej tij.» Kështu ai u çua dhe zbriti bashkë me të për të takuar mbretin.
16 Elija i tha mbretit: «Kështu thotë Jehovai: ‘Ti dërgove lajmëtarë për të pyetur Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit.+ Vallë, nuk paska Perëndi në Izrael?!+ Pse nuk u këshillove me fjalën e tij? Prandaj nuk do të ngrihesh nga shtrati, por me siguri do të vdesësh.’»
17 Kështu ai vdiq, si kishte thënë Jehovai me anë të Elijas, e meqë nuk kishte djalë, në vend të tij u bë mbret Jehorami.*+ Kjo ndodhi në vitin e dytë të mbretërimit të Jehoramit,+ birit të Jehozafatit, mbretit të Judës.
18 Pjesa tjetër e historisë së Ahaziahut,+ gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit?