Libri i dytë i Mbretërve 18:1-37
18 Në vitin e tretë të mbretërimit të Hoshesë,+ birit të Elahut, mbretit të Izraelit, u bë mbret Hezekia,+ biri i Akazit,+ mbretit të Judës.
2 Ai ishte 25 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 29 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Abi* dhe ishte vajza e Zakarisë.+
3 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait,+ ashtu si kishte bërë Davidi, paraardhësi i tij.+
4 Hoqi vendet e larta,+ copëtoi kolonat e shenjta dhe rrëzoi shtyllën e shenjtë.*+ Bëri copë-copë edhe gjarprin prej bakri që kishte bërë Moisiu,+ sepse deri në atë kohë populli i Izraelit kishte paraqitur tym blatimesh për të dhe ai quhej idhulli i gjarprit prej bakri.*
5 Hezekia pati besim te Jehovai,+ Perëndia i Izraelit. Pas tij nuk pati asnjë si ai ndër gjithë mbretërit e Judës, as ndër ata që kishin qenë para tij.
6 Ai qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain+ dhe nuk u largua prej tij, por i zbatoi gjithmonë urdhërimet që i kishte dhënë Jehovai Moisiut.
7 Jehovai ishte me të dhe Hezekia vepronte me mençuri kudo ku shkonte. Ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe nuk pranoi t’i shërbente atij.+
8 Gjithashtu i mundi filistinët+ deri në Gazë dhe në territoret e saj, nga kullat e rojës deri te qytetet e fortifikuara.*
9 Në vitin e 4-t të mbretërimit të Hezekisë, domethënë në vitin e shtatë të mbretërimit të Hoshesë,+ birit të Elahut, mbretit të Izraelit, Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, doli kundër Samarisë dhe nisi ta rrethonte.+
10 Asirianët e pushtuan+ atë pas gati tre vjetësh. Pra Samaria u pushtua në vitin e gjashtë të mbretërimit të Hezekisë, domethënë në vitin e 9-të të mbretërimit të Hoshesë, mbretit të Izraelit.
11 Pastaj mbreti i Asirisë e çoi Izraelin në mërgim+ në Asiri. Ai e vendosi në Halah e në Habor, pranë lumit Gozan, dhe në qytetet e medëve.+
12 Kjo ndodhi sepse ata nuk e dëgjuan zërin e Jehovait, Perëndisë së tyre, por e shkelën besëlidhjen e tij, gjithçka që urdhëroi Moisiu, shërbëtori i Jehovait.+ Ata as dëgjuan, as u bindën.
13 Në vitin e 14-të të mbretërimit të mbretit Hezekia, Senakeribi, mbreti i Asirisë,+ sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.+
14 Atëherë Hezekia, mbreti i Judës, dërgoi njerëz t’i thoshin mbretit të Asirisë në Lakish: «Fajin e kam unë. Tërhiqu nga unë dhe do të të jap çdo gjë që do të më kërkosh.» Mbreti i Asirisë e detyroi Hezekinë, mbretin e Judës, që të paguante një shumë* prej 300 talentash* argjendi dhe 30 talentash ari.
15 Prandaj Hezekia dha gjithë argjendin që gjendej në shtëpinë e Jehovait dhe në thesarin e shtëpisë së mbretit.*+
16 Në atë kohë Hezekia, mbreti i Judës, hoqi dyert e tempullit+ të Jehovait dhe kornizat e dyerve* që kishte praruar* vetë+ dhe ia dha arin e tyre mbretit të Asirisë.
17 Atëherë mbreti i Asirisë dërgoi te mbreti Hezekia në Jerusalem tartanin,* rabsarin* dhe rabshakehun,* bashkë me një ushtri tepër të madhe.+ Këta u nisën nga Lakishi+ për në Jerusalem dhe zunë pozicion pranë kanalit të rezervuarit të sipërm, që është në rrugën për tek ara e rrobalarësit.+
18 Kur këta i thërritën mbretit që të dilte për t’i takuar, doli Eliakimi,+ biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë, sekretari Shebnah+ dhe kronisti* Joah, biri i Asafit.
19 Rabshakehu u tha: «I thoni Hezekisë: “Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ‘Ku e bazon këtë siguri?+
20 Ti thua: “Kam strategjinë dhe fuqinë e nevojshme për luftë.” Por këto janë fjalë boshe. Te kush, pra, paske besim, që guxon të rebelohesh kundër meje?+
21 Ja, ti ke besim te përkrahja e këtij kallami të thyer, Egjiptit,+ tek i cili po të mbështetej njeri, do t’ia çante dorën tejpërtej. Kështu është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që besojnë tek ai.
22 Apo më thua: “Kemi besim te Jehovai, Perëndia ynë.”+ Por, a nuk ia ka hequr Hezekia atij vendet e larta e altarët+ dhe i thotë Judës e Jerusalemit: “Duhet të përkuleni para këtij altari në Jerusalem.”’+
23 Tani pra, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë: unë të jap 2.000 kuaj, nëse gjen dot mjaft kalorës për ta.+
24 Si mund të sprapsësh qoftë edhe një guvernator, një ndër shërbëtorët më të vegjël të zotërisë tim, kur mbështetesh tek Egjipti për karroca e kalorës?
25 Mos kam dalë kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa lejen e Jehovait? Vetë Jehovai më tha: ‘Sulmoje këtë vend dhe shkatërroje.’”»
26 Me të dëgjuar këtë, Eliakimi, biri i Hilkiahut, Shebnahu+ dhe Joahu, i thanë rabshakehut:+ «Të lutemi, fol me shërbëtorët e tu në gjuhën aramaike,*+ sepse mund ta kuptojmë, por mos fol me ne në gjuhën e judenjve, se të dëgjojnë njerëzit që janë mbi mur.»+
27 Megjithatë rabshakehu ua ktheu: «Mos vallë zotëria im më ka dërguar t’ia them këto fjalë vetëm zotërisë tuaj dhe juve? A nuk më ka dërguar t’ua them edhe burrave që rrinë ulur mbi mur, të cilët do të hanë jashtëqitjet e veta dhe do të pinë urinën e vet bashkë me ju?»
28 Pastaj rabshakehu u ngrit në këmbë e bërtiti në gjuhën e judenjve: «Dëgjoni fjalën e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!+
29 Kështu thotë mbreti: “Mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë, sepse ai nuk ju shpëton dot nga dora ime.+
30 Mos e lini Hezekinë t’jua mbushë mendjen që të keni besim te Jehovai, duke ju thënë: ‘Jehovai do të na shpëtojë patjetër, dhe ky qytet nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.’+
31 Mos e dëgjoni Hezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: ‘Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni!* Secili do të hajë nga hardhia e vet dhe nga fiku i vet e do të pijë nga uji i sternës së vet,
32 derisa të vij dhe t’ju çoj në një vend si vendi juaj,+ plot drithë e verë të re, ku ka bukë dhe vreshta, një vend me ullinj dhe me mjaltë. Atëherë do të jetoni e nuk do të vdisni. Mos e dëgjoni Hezekinë, sepse ai ju mashtron, duke ju thënë: “Jehovai do të na shpëtojë.”
33 Mos i kanë shpëtuar perënditë e kombeve vendet e tyre nga duart e mbretit të Asirisë?
34 Ku janë perënditë e Hamathit+ dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit,+ të Henës dhe të Ivahut? A e kanë shpëtuar këto perëndi Samarinë nga duart e mia?+
35 Cila nga të gjitha perënditë e vendeve e ka shpëtuar vendin e vet nga duart e mia, që Jehovai të shpëtojë Jerusalemin nga duart e mia?’”»+
36 Por populli heshtte e nuk i kthente asnjë fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: «Mos iu përgjigjni!»+
37 Atëherë Eliakimi, biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë, sekretari Shebnah dhe kronisti Joah, biri i Asafit, vajtën me rroba të shqyera te Hezekia dhe i treguan fjalët e rabshakehut.
Shënimet
^ Formë e shkurtuar e emrit Abijaha.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «quhej Nehushtan».
^ Domethënë, në çdo vend, qoftë me popullsi të dendur a të rrallë.
^ Ose «një gjobë».
^ Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «e pallatit mbretëror».
^ Domethënë, kishte veshur me ar.
^ Ose «shtalkat».
^ Ose «komandantin».
^ Ose «kryezyrtarin e oborrit».
^ Ose «kryekupëmbajtësin».
^ Ose «regjistruesi».
^ Ose «siriane».
^ Fjalë për fjalë «Bëni një bekim me mua dhe dilni drejt meje!»