Libri i dytë i Mbretërve 21:1-26
21 Manaseu+ ishte 12 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 55 vjet në Jerusalem.+ Nëna e tij quhej Hefziba.
2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, duke ndjekur zakonet e neveritshme të kombeve+ që Jehovai kishte dëbuar para popullit të Izraelit.+
3 Ndërtoi përsëri vendet e larta që Hezekia, i ati, kishte shkatërruar,+ ngriti altarë për Baalin dhe bëri një shtyllë të shenjtë,*+ siç kishte bërë Akabi, mbreti i Izraelit.+ Manaseu u përkul para gjithë ushtrisë së qiejve dhe u shërbeu atyre.+
4 Ai ndërtoi edhe altarë në shtëpinë e Jehovait,+ për të cilën Jehovai kishte thënë: «Në Jerusalem do ta vë emrin tim.»+
5 Në dy oborret e shtëpisë së Jehovait+ ndërtoi altarë për gjithë ushtrinë e qiejve.+
6 Ai e dogji të birin në zjarr,* u mor me magji, kërkoi ogure,*+ vendosi mediume* dhe caktoi parashikues fati.+ Bëri në një shkallë të paparë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë.
7 Shëmbëlltyrën e gdhendur të shtyllës së shenjtë*+ e vuri në shtëpinë për të cilën Jehovai i kishte thënë Davidit dhe Solomonit, birit të tij: «Në këtë shtëpi dhe në Jerusalem, të cilin e kam zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit, do ta vë emrin tim përgjithmonë.+
8 Unë nuk do të lë përsëri që këmbët e Izraelit të enden larg tokës që u dhashë paraardhësve të tyre,+ me kusht që të veprojnë me kujdes në përputhje me gjithë ato që u urdhërova,+ sipas gjithë Ligjit që u urdhëroi Moisiu, shërbëtori im.»
9 Por ata nuk u bindën dhe Manaseu i largoi nga rruga e drejtë që të bënin atë që ishte e ligë më shumë se kombet që Jehovai i kishte shfarosur para izraelitëve.+
10 Jehovai thoshte me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve:+
11 «Manaseu, mbreti i Judës, ka bërë gjithë këto gjëra të neveritshme. Ka vepruar më me ligësi se gjithë amoritët+ që ishin para tij;+ e ka nxitur edhe Judën që të mëkatojë me idhujt e vet të pështirë.*
12 Prandaj kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Ja, unë po sjell mbi Jerusalemin+ e Judën një shkatërrim të tillë, saqë kushdo që do ta dëgjojë, do të tronditet.*+
13 Do të shtrij mbi Jerusalemin litarin për matje+ që është përdorur për Samarinë+ dhe do të përdor nivelin* që kam përdorur për shtëpinë e Akabit.+ Do ta pastroj mirë e mirë Jerusalemin, ashtu si pastrohet një tas, e pastaj e kthen përmbys.+
14 Unë do ta braktis mbetjen e trashëgimisë sime+ e do ta jap në duart e armiqve. Ata do të bëhen pre e plaçkë për gjithë armiqtë e tyre,+
15 sepse kanë bërë atë që ishte e keqe në sytë e mi dhe më kanë fyer pareshtur që prej ditës që paraardhësit e tyre dolën nga Egjipti e deri më sot.’»+
16 Përveç mëkatit me të cilin shtyu edhe Judën të mëkatonte e të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, Manaseu derdhi edhe gjak të pafajshëm, aq shumë gjak sa e mbushi Jerusalemin nga njëri cep në tjetrin.+
17 Pjesa tjetër e historisë së Manaseut, gjithçka bëri dhe mëkatet që kreu, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës?
18 Në fund Manaseu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë së vet, në kopshtin e Uzait;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Amoni.
19 Amoni+ ishte 22 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dy vjet në Jerusalem.+ Nëna e tij quhej Meshulemeta dhe ishte vajza e Haruzit nga Jotbahu.
20 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, ashtu si kishte bërë i ati, Manaseu.+
21 Eci plotësisht në gjurmët e të atit dhe u shërbeu e u përkul para idhujve të pështirë, të cilëve u kishte shërbyer i ati.+
22 Kështu ai e braktisi Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tij, dhe nuk eci në udhën e Jehovait.+
23 Në fund shërbëtorët e mbretit Amon komplotuan kundër tij dhe e vranë në shtëpinë e vet.
24 Por populli i vendit vrau të gjithë ata që kishin komplotuar kundër mbretit Amon, dhe në vend të tij bëri mbret të birin, Josinë.+
25 Pjesa tjetër e historisë së Amonit, gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës?
26 Atë e varrosën në varrin e vet, në kopshtin e Uzait,+ dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Josia.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «shenja».
^ Fjalë për fjalë «e kaloi të birin në zjarr».
^ Shih Fjalorthin.
^ Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
^ Fjalë për fjalë «do t’i dridhen veshët».
^ Ose «plumbçen».