Libri i dytë i Mbretërve 23:1-37

  • Reformat e Josisë (1-20)

  • Mbahet Festa e Kalimit (21-23)

  • Reformat e tjera të Josisë (24-27)

  • Vdekja e Josisë (28-30)

  • Jehoahazi, mbret i Judës (31-33)

  • Jehojakimi, mbret i Judës (34-37)

23  Kështu mbreti dërgoi fjalë që të mblidheshin tek ai tërë pleqtë e Judës dhe të Jerusalemit.+  Pas kësaj, mbreti u ngjit në shtëpinë e Jehovait me gjithë burrat e Judës, gjithë banorët e Jerusalemit, me priftërinjtë dhe profetët, pra me tërë popullin, i madh e i vogël. Ai u lexoi tërë fjalët e librit+ të besëlidhjes+ që ishte gjetur në shtëpinë e Jehovait.+  Mbreti qëndroi pranë shtyllës dhe bëri një besëlidhje* para Jehovait,+ se do t’i bindej Jehovait dhe do të zbatonte urdhërimet, përkujtuesit dhe ligjet e tij me gjithë zemër e me gjithë shpirt,* duke iu përmbajtur fjalëve të besëlidhjes të shkruara në atë libër. Tërë populli ra dakord me besëlidhjen.+  Atëherë mbreti urdhëroi kryepriftin Hilkiah,+ priftërinjtë e rangut të dytë dhe derëtarët që të nxirrnin nga tempulli i Jehovait gjithë pajisjet e bëra për Baalin, për shtyllën e shenjtë*+ dhe për tërë ushtrinë e qiejve. Pastaj i dogji ato jashtë Jerusalemit, në brezaret e Kidronit, dhe hirin e tyre e çoi në Bethel.+  Kështu i dëboi priftërinjtë e perëndive të huaja, të cilët mbretërit e Judës i kishin caktuar për të paraqitur tym blatimesh në vendet e larta të qyteteve të Judës dhe të rrethinave të Jerusalemit. Dëboi edhe ata që i paraqitnin tym blatimesh Baalit, diellit, hënës, yjësive të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiejve.+  Ai e çoi shtyllën e shenjtë*+ nga shtëpia e Jehovait në rrethinat e Jerusalemit, në luginën e Kidronit, dhe e dogji+ atje, e bëri pluhur dhe pluhurin e saj e hodhi në varrezat e njerëzve të thjeshtë.+  Gjithashtu shembi shtëpitë e burrave që e shitnin veten si prostitutë në tempull,+ të cilat ishin në shtëpinë e Jehovait dhe ku gratë endnin tenda që përdoreshin si faltore për shtyllën e shenjtë.*  Pastaj hoqi gjithë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe i bëri të papërshtatshme për adhurim vendet e larta ku këta priftërinj kishin paraqitur tym blatimesh, nga Geba+ deri në Ber-Shebë.+ Gjithashtu rrëzoi vendet e larta që ishin në hyrjen e portës së Josiut, kreut të qytetit, të cilat ishin në të majtë kur hyn në portën e qytetit.  Priftërinjtë e vendeve të larta nuk shërbenin në altarin e Jehovait në Jerusalem,+ por hanin bukë pa maja bashkë me priftërinjtë e tjerë.* 10  Ai e bëri të papërshtatshëm për adhurim Tofetin,+ i cili është në Luginën e Bijve të Hinomit,*+ me qëllim që askush të mos e digjte në zjarr* të birin ose të bijën për Molekun.+ 11  Veç kësaj nuk i la më kuajt që mbretërit e Judës ia kishin kushtuar diellit, të futeshin në shtëpinë e Jehovait nga dhoma* e Natan-Melekut, zyrtarit të oborrit, e cila ndodhej te portikët.* Kurse karrocat e diellit+ i dogji në zjarr. 12  Gjithashtu mbreti Josia rrëzoi altarët që mbretërit e Judës kishin bërë në tarracën+ e dhomës së sipërme të Akazit, si edhe altarët që kishte bërë Manaseu në dy oborret e shtëpisë së Jehovait.+ Ai i thërrmoi dhe pluhurin e tyre e hodhi në luginën e Kidronit. 13  Mbreti i bëri të papërshtatshme për adhurim vendet e larta përballë Jerusalemit që ishin në jug* të Malit të Rrënimit.* Ato i kishte ndërtuar Solomoni, mbreti i Izraelit, për Ashtorethin, perëndeshën e pështirë të sidonitëve, për Kemoshin, perëndinë e pështirë të Moabit, dhe për Milkomin,+ perëndinë e neveritshëm të amonitëve.+ 14  Ai copëtoi kolonat e shenjta, shembi shtyllat e shenjta*+ dhe i mbushi vendet e tyre me eshtra njerëzish. 15  Ai rrëzoi edhe altarin që ishte në Bethel, në vendin e lartë që kishte bërë Jeroboami, biri i Nebatit, i cili e kishte shtyrë Izraelin të mëkatonte.+ Pasi rrëzoi altarin dhe vendin e lartë, e dogji vendin e lartë dhe e bëri pluhur. Dogji edhe shtyllën e shenjtë.*+ 16  Kur Josia u kthye dhe pa varret që ishin në mal, dërgoi njerëz që të merrnin eshtrat në to, dhe pastaj i dogji mbi altar që ta bënte të papërshtatshëm për adhurim, sipas fjalës që kishte parathënë Jehovai me anë të njeriut të Perëndisë së vërtetë.+ 17  Pastaj Josia pyeti: «Ç’është ai gur varri që po shoh atje?» Menjëherë burrat e qytetit iu përgjigjën: «Është varri i njeriut të Perëndisë së vërtetë që erdhi nga Juda+ dhe paratha këto gjëra që bëre ti kundër altarit të Bethelit.» 18  Atëherë ai tha: «Le të prehet. Askush të mos i trazojë eshtrat e tij.» Prandaj nuk i prekën as eshtrat e tij, as eshtrat e profetit që kishte ardhur nga Samaria.+ 19  Josia hoqi edhe gjithë shenjtëroret e vendeve të larta që ndodheshin në qytetet e Samarisë,+ të cilat i kishin ndërtuar mbretërit e Izraelit për ta fyer Perëndinë. Ai bëri me to tamam si kishte bërë në Bethel.+ 20  Kështu flijoi mbi altarë tërë priftërinjtë e vendeve të larta që ishin atje dhe dogji mbi ta eshtra njerëzish.+ Pas kësaj u kthye në Jerusalem. 21  Mbreti e urdhëroi gjithë popullin: «Mbani Festën e Kalimit*+ për Jehovain, Perëndinë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër të besëlidhjes.»+ 22  Një Festë Kalimi e tillë nuk ishte mbajtur që nga ditët e gjykatësve që kishin gjykuar Izraelin dhe as nuk u mbajt gjatë gjithë ditëve të mbretërve të Izraelit e të mbretërve të Judës.+ 23  Ajo festë u mbajt për Jehovain në Jerusalem, në vitin e 18-të të mbretërimit të Josisë. 24  Josia zhduku edhe mediumet,* parashikuesit e fatit,+ si dhe idhujt e shtëpive,*+ idhujt e pështirë* dhe gjithë gjërat e neveritshme që ishin në Judë dhe në Jerusalem. Ai e bëri këtë që të zbatonte fjalët e Ligjit,+ të shkruara në librin që kishte gjetur prifti Hilkiah në shtëpinë e Jehovait.+ 25  Para tij nuk ka pasur asnjë mbret si ai që të jetë kthyer te Jehovai e t’i ketë shërbyer atij me gjithë zemër, me gjithë shpirt*+ dhe me gjithë fuqinë, duke vepruar sipas tërë Ligjit të Moisiut. Edhe pas tij nuk ka dalë asnjë si ai. 26  Megjithatë Jehovait nuk iu shua zjarri i zemërimit që i ishte ndezur kundër Judës, për shkak të të gjitha gjërave me të cilat e kishte fyer Manaseu.+ 27  Jehovai tha: «Unë do ta flak larg vetes edhe Judën,+ ashtu si kam flakur Izraelin,+ dhe kam për ta hedhur poshtë këtë qytet që kam zgjedhur, Jerusalemin, bashkë me shtëpinë për të cilën kam thënë: ‘Emri im do të mbetet atje.’»+ 28  Pjesa tjetër e historisë së Josisë dhe gjithçka bëri, a nuk është shkruar në historinë e mbretërve të Judës? 29  Në ditët e tij, faraoni Neko, mbreti i Egjiptit, i shkoi në ndihmë mbretit të Asirisë pranë lumit Eufrat. Mbreti Josia doli për të luftuar kundër Nekos, por ky e vrau në Megido kur e pa.+ 30  Kështu, shërbëtorët e tij e çuan të vdekur me karrocë nga Megidoja në Jerusalem dhe e varrosën në varrin e vet. Pastaj populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josisë, e mirosi* dhe e bëri mbret në vend të të atit.+ 31  Jehoahazi+ ishte 23 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi tre muaj në Jerusalem. Nëna e tij quhej Hamitala+ dhe ishte vajza e Jeremisë nga Libnahu. 32  Ai filloi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, tamam si kishin bërë paraardhësit e tij.+ 33  Faraoni Neko+ e burgosi në Riblah,+ në Hamath, që të mos e linte të mbretëronte në Jerusalem, dhe pastaj i vuri vendit një detyrim prej 100 talentash* argjendi dhe një talentë ari.+ 34  Pas kësaj, faraoni Neko bëri mbret Eliakimin, birin e Josisë, në vend të të atit, Josisë, dhe ia ndryshoi emrin në Jehojakim, kurse Jehoahazin e mori dhe e çoi në Egjipt,+ ku edhe vdiq.+ 35  Jehojakimi i dha faraonit argjendin dhe arin. Por, që t’i jepte faraonit argjendin që kërkonte, iu desh t’i vinte taksë vendit. Ai detyroi secilin nga populli i vendit që të jepte një sasi të caktuar argjendi dhe ari për faraonin Neko. 36  Jehojakimi+ ishte 25 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 11 vjet në Jerusalem.+ Nëna e tij quhej Zebida dhe ishte vajza e Pedajahut nga Rumahu. 37  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait,+ tamam si kishin bërë paraardhësit e tij.+

Shënimet

Ose «përtëriu besëlidhjen».
Fjalë për fjalë «vëllezërit e tyre».
Shih Fjalorthin, «Gehena».
Fjalë për fjalë «të mos e kalonte në zjarr».
Ose «dhoma e ngrënies».
Një vend i mbuluar dhe me shtylla.
Fjalë për fjalë «në të djathtë». Domethënë, në jug kur dikush sheh drejt lindjes.
Domethënë, Mali i Ullinjve, veçanërisht skaji jugor që njihet edhe si Mali i Fyerjes.
Ose «Mbani Pashkën». Shih Fjalorthin.
Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
Ose «perënditë e shtëpive». Fjalë për fjalë «terafimët».
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.