Libri i dytë i Mbretërve 3:1-27

  • Jehorami, mbret i Izraelit (1-3)

  • Moabi rebelohet kundër Izraelit (4-25)

  • Moabi mundet (26, 27)

3  Jehorami,+ biri i Akabit, u bë mbret i Izraelit në Samari në vitin e 18-të të mbretërimit të Jehozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi 12 vjet.  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, por jo aq sa i ati a e ëma, sepse e hoqi kolonën e shenjtë të Baalit që kishte bërë i ati.+  Mirëpo vazhdoi të bënte po ato mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, me të cilat kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ Jehorami nuk hoqi dorë prej tyre.  Meshai, mbreti i Moabit, ishte bari dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit si haraç* 100.000 qengja dhe 100.000 desh të paqethur.  Me të vdekur Akabi,+ mbreti i Moabit ngriti krye kundër mbretit të Izraelit.+  Kështu, në atë kohë, mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe mobilizoi gjithë Izraelin.  Gjithashtu i dërgoi mesazh Jehozafatit, mbretit të Judës: «Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje. A do të vish të luftosh bashkë me mua kundër Moabit?» Ai u përgjigj: «Do të vij.+ Unë e ti jemi një. Populli im është populli yt. Kuajt e mi janë kuajt e tu.»+  Pastaj e pyeti: «Nga cila rrugë të shkojmë?» Ai iu përgjigj: «Nga rruga e shkretëtirës së Edomit.»  Kështu, mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit+ u nisën. Pasi udhëtuan shtatë ditë nga një rrugë e tërthortë, u mbaroi uji për kampin dhe për kafshët që kishin me vete. 10  Mbreti i Izraelit tha: «Mjerë ne! Jehovai na ka bashkuar ne, tre mbretër, vetëm për të na dhënë në dorë të Moabit!» 11  Por Jehozafati pyeti: «Nuk ka këtu ndonjë profet të Jehovait që të kërkojmë drejtimin e Jehovait nëpërmjet tij?»+ Kështu, një nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit iu përgjigj: «Është Eliseu,+ biri i Shafatit, që hidhte ujë mbi duart e Elijas.»*+ 12  Atëherë Jehozafati tha: «Ai thotë fjalën e Jehovait.» Kështu, mbreti i Izraelit, Jehozafati dhe mbreti i Edomit vajtën tek ai. 13  Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Ç’punë ke me mua?*+ Shko te profetët e atit tënd dhe te profetët e nënës sate.»+ Por mbreti i Izraelit ia ktheu: «Jo, sepse Jehovai na ka bashkuar ne, tre mbretër, për të na dhënë në dorë të Moabit.» 14  Atëherë Eliseu tha: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai i ushtrive, të cilit i shërbej,* po të mos kisha mendim të mirë për Jehozafatin, mbretin e Judës,+ as kisha për të t’i hedhur sytë e as kisha për të të dëgjuar.+ 15  Tani më sillni dikë që luan në harpë.»*+ Sapo ai filloi t’i binte harpës, fuqia* e Jehovait erdhi mbi Eliseun+ 16  që tha: «Kështu thotë Jehovai: “Hapni kanale pas kanalesh në këtë luginë,* 17  sepse kështu thotë Jehovai: ‘Ju nuk do të shihni as erë, as shi, e prapëseprapë kjo luginë* do të mbushet me ujë+ dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të barrës.’” 18  Megjithatë kjo është fare e lehtë për Jehovain,+ sepse ai do t’ju japë në dorë edhe Moabin.+ 19  Duhet të shkatërroni çdo qytet të fortifikuar+ dhe çdo qytet të rëndësishëm, të prisni çdo pemë të mirë, të zini çdo burim uji dhe të hidhni gurë në çdo arë të mirë që të mos kultivohet.»+ 20  Në mëngjes, në kohën e paraqitjes së blatimit në drithë të mëngjesit,+ nga Edomi po vërshonte papritur ujë, dhe vendi u mbush me ujë. 21  Të gjithë moabitët dëgjuan se mbretërit kishin dalë të luftonin kundër tyre. Prandaj mblodhën të gjithë burrat që mund të mbanin armë,* dhe u pozicionuan në kufi. 22  Kur u çuan herët në mëngjes, dielli rrëzëllente mbi ujë, dhe moabitëve që ishin përballë, uji iu duk i kuq si gjak. 23  Ata thanë: «Është gjak! Me siguri mbretërit kanë bërë kërdinë ndaj njëri-tjetrit me shpatë. Prandaj, të sulemi drejt plaçkës,+ o Moab!» 24  Kur hynë në kampin e Izraelit, izraelitët filluan t’i goditnin moabitët, të cilët ia mbathën para tyre.+ Izraelitët hynë në Moab dhe, ndërsa përparonin, vritnin moabitët. 25  Qytetet i shkatërruan, dhe secili hodhi nga një gur në çdo tokë të mirë, e kështu e mbushën me gurë; zunë çdo burim uji+ dhe prenë çdo pemë të mirë.+ Në fund mbetën vetëm muret e gurta të Kir-Haresetit,+ dhe hobetarët e rrethuan dhe e sulmuan. 26  Kur kuptoi se po e humbte betejën, mbreti i Moabit mori me vete 700 shpatarë për të çarë rrugën deri te mbreti i Edomit,+ por nuk ia doli. 27  Prandaj mori birin e tij të parëlindur, që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e paraqiti si flijim të djegur+ mbi mur. Atëherë populli u indinjua kundër Izraelit, prandaj e ndali luftën kundër mbretit të Moabit dhe u kthye në vendin e vet.

Shënimet

Ose «që ishte shërbëtor i Elijas».
Fjalë për fjalë «Çfarë për mua dhe për ju?»
Fjalë për fjalë «para të cilit qëndroj».
Fjalë për fjalë «dora».
Ose «një muzikant».
Ose «ky vad». Shih Fjalorthin.
Ose «ky vad». Shih Fjalorthin.
Ose «të gjithë burrat që mund të ngjishnin rripin».