Letra e dytë drejtuar korintasve 5:1-21
5 Ne e dimë në fakt se shtëpia* jonë në tokë, kjo tendë, do të shembet,*+ dhe se Perëndia do të na japë në qiej një shtëpi të përhershme që nuk e kanë bërë duart e njeriut.+
2 Për sa kohë banojmë në këtë shtëpi,* ne rënkojmë dhe dëshirojmë me zjarr “të veshim” atë që është përgatitur për ne në qiell,*+
3 që, kur të vijë koha për ta veshur, të mos jemi lakuriq.
4 Faktikisht, ne që jemi në këtë tendë, rënkojmë dhe jemi të rënduar, jo ngaqë duam të zhveshim këtë tendë, por ngaqë duam të veshim tjetrën,+ me qëllim që jeta të përpijë trupat tanë të vdekshëm.+
5 Tani, ai që na përgatiti pikërisht për këtë gjë, është Perëndia,+ i cili na dha frymën e tij si kapar* të trashëgimisë sonë.+
6 Prandaj, edhe pse jemi larg Zotërisë+ ndërkohë që banojmë në këtë shtëpi prej mishi e gjaku, ne ndihemi plotësisht të sigurt,
7 sepse po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.
8 Po, nuk kemi pikë dyshimi dhe preferojmë të jemi larg kësaj shtëpie prej mishi e gjaku e të banojmë me Zotërinë.+
9 Kështu, edhe nëse banojmë me të, edhe nëse jemi larg tij, synojmë të jemi të pranueshëm për të,
10 sepse të gjithë ne duhet të paraqitemi* përpara fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë shpërblimin e vet për gjërat që ka bërë kur ishte prej mishi e gjaku, të mira a të këqija* qofshin.+
11 Prandaj, meqë nderojmë thellësisht Zotërinë,* ne vazhdojmë t’i bindim njerëzit për atë që predikojmë. Gjithsesi, për Perëndinë është e qartë ç’lloj njerëzish jemi,* dhe shpresoj që kjo të jetë e qartë* edhe për ndërgjegjen tuaj.
12 Nuk po jua rekomandojmë përsëri veten, por po ju japim shkas të krenoheni me ne, që të mund t’u përgjigjeni atyre që krenohen me pamjen e jashtme+ dhe jo me atë që kanë në zemër.
13 Tani, nëse ishim të dalë mendsh,+ ishim për Perëndinë, e nëse jemi me mend në kokë, jemi për ju.
14 Vërtet, dashuria që ka Krishti, na motivon,* sepse kemi kuptuar fare qartë se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë,+ meqë të gjithë ishin të vdekur.
15 Prandaj ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten,*+ por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.
16 Kështu, që tani e tutje nuk e shohim më askënd sipas kritereve njerëzore.*+ Edhe pse dikur e shihnim Krishtin sipas këtyre kritereve, sigurisht që tani nuk e shohim më kështu.+
17 Prandaj, nëse dikush është në unitet me Krishtin, është një krijesë e re;+ gjërat e vjetra shkuan dhe gjëra të reja kanë ardhur në jetë.
18 Por të gjitha këto vijnë nga Perëndia, që na pajtoi me veten nëpërmjet Krishtit+ dhe na besoi shërbimin e pajtimit:+
19 me fjalë të tjera, Perëndia pajtoi botën me veten nëpërmjet Krishtit,+ duke mos ia llogaritur fajet,+ kurse neve na besoi mesazhin e pajtimit.+
20 Prandaj, ne jemi ambasadorë+ në vend të Krishtit,+ sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh. Në emër të Krishtit, lutemi: «Pajtohuni me Perëndinë.»
21 Atë që nuk njohu mëkat,+ Perëndia e paraqiti si blatim për mëkatet tona,* që me anë të tij, të bëhemi të drejtë në sytë e Perëndisë.+
Shënimet
^ Ose «do të shpërbëhet».
^ Fjalët «shtëpi» dhe «banesë» përdoren në kuptim të figurshëm për t’iu referuar trupit si krijesë prej mishi e gjaku ose si krijesë qiellore.
^ Ose «banesë».
^ Ose «në banesën tonë qiellore».
^ Ose «parapagesë (paradhënie); garanci (peng)».
^ Ose «duhet të shfaqemi».
^ Ose «të poshtra».
^ Ose «të jemi shfaqur».
^ Fjalë për fjalë «i frikësohemi Zotërisë».
^ Ose «ne vetë jemi shfaqur para Perëndisë».
^ Ose «na nxit; na detyron».
^ Ose «për të kënaqur veten».
^ Fjalë për fjalë «sipas mishit».
^ Fjalë për fjalë «e bëri mëkat për ne».