Letra e dytë drejtuar korintasve 9:1-15
9 Sa për shërbimin që bëni për të shenjtët,+ s’kam pse t’ju shkruaj,
2 sepse e di mirë sa të gatshëm jeni, e për këtë krenohem përpara të krishterëve në Maqedoni. U them se ju në Akai keni një vit që jeni gati për të ndihmuar, dhe faktikisht zelli juaj ka nxitur shumicën prej tyre të bëjnë po njësoj.
3 Prandaj po ju dërgoj vëllezërit, që të mos krenohemi më kot me ju, por të jeni vërtet gati, ashtu sikurse thashë se do të ishit.
4 Përndryshe, sikur disa vëllezër nga Maqedonia të vinin me mua e të mos ju gjenin gati, ne—për të mos thënë ju—do të turpëroheshim që treguam besim te ju.
5 Prandaj, e pashë të nevojshme t’i nxitja vëllezërit të vinin te ju përpara meje, e kështu të bënin gati paraprakisht kontributin bujar që kishit premtuar, që kjo dhuratë të jepet me bujari e jo me zor.
6 Dua të them se ai që mbjell me kursim, edhe do të korrë me kursim, dhe ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur.+
7 Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me gjysmë zemre* a me detyrim,+ sepse Perëndia i do ata që japin me gëzim.+
8 Për më tepër, Perëndia mund të bëjë që mirësia e tij e pamerituar të vërshojë te ju, që të mos ju mungojnë kurrë gjërat e nevojshme dhe që të keni me bollëk gjithçka ju nevojitet për çdo vepër të mirë.+
9 (Ashtu siç është shkruar: «Ai jep dorëhapur,* u fal të varfërve. Drejtësia e tij mbetet përjetë.»+
10 Tani, Ai që i jep mbjellësit me bollëk farë dhe bukë për të ngrënë, do t’ju japë edhe juve me bollëk farë për të mbjellë dhe do të rritë frytet e drejtësisë suaj.)
11 Kështu ju po bekoheni me bollëk që të jeni bujarë në çdo gjë, e nga kjo i jepen më shumë falënderime Perëndisë.
12 Vërtet, ky shërbim publik nuk bëhet vetëm që të plotësohen nevojat e të shenjtëve,+ por edhe që drejt Perëndisë të vërshojnë me bollëk lutje falënderimi.
13 Ata do t’i japin lavdi Perëndisë, ngaqë ky shërbim* jep prova se jeni të nënshtruar ndaj lajmit të mirë për Krishtin, sikurse shpallni botërisht, dhe se kontribuoni me bujari për ta e për të gjithë.+
14 Gjithashtu, nëpërmjet përgjërimeve të tyre, ata do të tregojnë sa shumë ju kanë për zemër, për shkak të mirësisë së pamerituar tejet të madhe që ju ka treguar Perëndia.
15 Faleminderit Perëndisë për këtë dhuratë të papërshkrueshme!