Libri i dytë i Kronikave 1:1-17
1 Solomoni, biri i Davidit, po forcohej gjithnjë e më shumë në mbretërinë e tij dhe Jehovai, Perëndia i tij, ishte me të dhe e bëri tejet të madh.+
2 Solomoni thirri gjithë Izraelin, krerët e mijësheve dhe të qindësheve, gjykatësit dhe tërë prijësit e Izraelit, krerët e shtëpive atërore.
3 Atëherë Solomoni dhe gjithë kongregacioni* shkuan në vendin e lartë* në Gibeon,+ sepse atje ndodhej tenda e takimit* e Perëndisë së vërtetë, tenda që kishte bërë në shkretëtirë Moisiu, shërbëtori i Jehovait.
4 Megjithatë Davidi e kishte çuar arkën e Perëndisë së vërtetë nga Kiriat-Jearimi+ në vendin që ai kishte përgatitur për të; ai kishte ngritur një tendë në Jerusalem.+
5 Kurse altarin prej bakri+ që kishte bërë Bezaleli,+ biri i Urit, bir i Hurit, e kishin vënë përpara tabernakullit të Jehovait dhe atje, para altarit, luteshin* Solomoni dhe kongregacioni.
6 Solomoni bëri blatime përpara Jehovait, dhe paraqiti 1.000 blatime të djegura mbi altarin prej bakri+ të tendës së takimit.
7 Atë natë, Perëndia iu shfaq Solomonit dhe e pyeti: «Më thuaj, ç’dëshiron të të jap?»+
8 Atëherë Solomoni i tha Perëndisë: «Ti ke treguar shumë dashuri besnike për Davidin,+ babanë tim, dhe më bëre mua mbret në vend të tij.+
9 Tani, o Perëndi Jehova, le të përmbushet premtimi që i bëre babait tim, Davidit,+ sepse ti më ke bërë mbret të një populli të shumtë si grimcat e pluhurit të tokës.+
10 Më jep mençuri dhe njohuri,+ që t’i prij këtij populli,* sepse kush mund ta gjykojë popullin tënd të madh?»+
11 Atëherë Perëndia i tha Solomonit: «Meqë e ke dashur këtë me gjithë zemër dhe nuk ke kërkuar pasuri, begati e nderim ose vdekjen e atyre që të urrejnë, e as ke kërkuar jetë të gjatë,* por mençuri dhe njohuri që të gjykosh popullin tim, mbi të cilin të kam vënë mbret,+
12 unë po të jap mençuri dhe njohuri. Do të të jap edhe pasuri, begati e nderim, aq sa asnjë mbret para teje nuk i ka pasur dhe asnjë pas teje nuk ka për t’i pasur.»+
13 Kështu, nga vendi i lartë në Gibeon,+ nga tenda e takimit, Solomoni erdhi në Jerusalem dhe mbretëroi në Izrael.
14 Solomoni grumbulloi karroca dhe kuaj.* Ai kishte 1.400 karroca lufte dhe 12.000 kuaj,*+ që i mbante në qytetet e karrocave+ dhe pranë mbretit në Jerusalem.+
15 Mbreti bëri që në Jerusalem ari dhe argjendi të ishin të shumtë si gurët,+ kurse drurët e cedrit të ishin me bollëk si fiqtë e Egjiptit në Shefelah.+
16 Solomoni importonte kuaj nga Egjipti+ dhe tregtarët e mbretit i merrnin tufa-tufa* me një çmim të caktuar.+
17 Çdo karrocë importohej nga Egjipti për 600 monedha argjendi dhe një kalë për 150. Pastaj ata ua eksportonin të gjithë mbretërve të hititëve dhe mbretërve të Sirisë.
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «kërkonin drejtimin e Tij».
^ Fjalë për fjalë «të dal e të hyj para popullit».
^ Fjalë për fjalë «shumë ditë».
^ Ose «kalorës».
^ Ose «kalorës».
^ Një mundësi tjetër «nga Egjipti dhe nga Kueja; tregtarët e mbretit i blinin nga Kueja», ndoshta i referohet Kilikisë.