Libri i dytë i Kronikave 10:1-19
-
Izraeli rebelohet kundër Rehoboamit (1-19)
10 Rehoboami shkoi në Sikem,+ sepse gjithë Izraeli kishte vajtur atje për ta bërë mbret.+
2 Sapo Jeroboami,+ biri i Nebatit, dëgjoi për këtë (ai ndodhej ende në Egjipt, sepse ia kishte mbathur për shkak të mbretit Solomon),+ u kthye nga Egjipti.
3 Atëherë dërguan njerëz ta thërritnin, dhe Jeroboami e tërë Izraeli shkuan te Rehoboami dhe i thanë:
4 «Ati yt na e bëri zgjedhën të rëndë.+ Por, nëse ti na e lehtëson punën e rëndë që na ngarkoi dhe zgjedhën e rëndë që na vuri, ne do të të shërbejmë.»
5 Atëherë ai u tha: «Kthehuni tek unë pas tri ditësh.» Kështu populli iku.+
6 Pastaj mbreti Rehoboam u konsultua* me burrat e moshuar* që i kishin shërbyer Solomonit, atit të tij, ndërsa ishte gjallë, dhe i pyeti: «Ç’më këshilloni, si t’i përgjigjem këtij populli?»
7 Ata iu përgjigjën: «Nëse do të tregohesh i mirë me këtë popull, do të fitosh pëlqimin e tyre dhe do t’u japësh një përgjigje të kënaqshme, ata do të të shërbejnë përgjithmonë.»
8 Mirëpo ai e hodhi poshtë këshillën që i dhanë burrat e moshuar* dhe u konsultua* me të rinjtë që ishin rritur me të e që tani ishin shërbëtorët e tij.+
9 Ai i pyeti: «Ç’më këshilloni, si t’i përgjigjem këtij populli që më ka thënë: ‘Na e lehtëso zgjedhën që na vuri ati yt.’»
10 Të rinjtë që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që të ka thënë: ‘Ati yt na e bëri zgjedhën të rëndë, por ti na e lehtëso’, thuaji kështu: ‘Gishti im i vogël do të jetë më i trashë se mesi i tim eti.
11 Im atë ju ngarkoi një zgjedhë të rëndë, por unë do t’jua bëj edhe më të rëndë. Im atë ju ndëshkoi me thupër, kurse unë do t’ju ndëshkoj me kamxhik.’»
12 Jeroboami dhe tërë populli vajtën te Rehoboami ditën e tretë, ashtu siç u kishte thënë mbreti: «Kthehuni tek unë ditën e tretë.»+
13 Por mbreti Rehoboam iu përgjigj ashpër atyre dhe e hodhi poshtë këshillën e burrave të moshuar;*
14 ai ndoqi këshillën e të rinjve dhe u tha: «Unë do ta bëj zgjedhën tuaj më të rëndë dhe do ta rëndoj gjithnjë e më shumë. Im atë ju ndëshkoi me thupër, kurse unë do t’ju ndëshkoj me kamxhik.»
15 Kështu mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse Perëndia i vërtetë bëri që ngjarjet të rridhnin kështu,+ me qëllim që të përmbushej fjala që Jehovai i kishte thënë Jeroboamit, birit të Nebatit, nëpërmjet Akijahut,+ shilonitit.
16 Kur pa se mbreti nuk pranoi ta dëgjonte, tërë Izraeli ia ktheu mbretit: «Ç’lidhje kemi ne me Davidin?! Nuk kemi asnjë trashëgimi nga djali i Jeseut. Shko te perënditë e tua, o Izrael! Tani kujdesu vetë për shtëpinë tënde, o David!»+ Atëherë Izraeli u kthye në shtëpitë* e veta.+
17 Megjithatë Rehoboami vazhdoi të mbretëronte mbi izraelitët që banonin në qytetet e Judës.+
18 Pastaj mbreti Rehoboam dërgoi Hadoramin,+ i cili ishte përgjegjës i të rekrutuarve për punë të detyruar, por izraelitët e goditën me gurë derisa vdiq. Mbreti Rehoboam arriti të hipte në karrocën e tij që t’ia mbathte për në Jerusalem.+
19 Izraelitët e vazhdojnë rebelimin e tyre kundër shtëpisë së Davidit deri sot e kësaj dite.