Libri i dytë i Kronikave 11:1-23

  • Sundimi i Rehoboamit (1-12)

  • Levitët besnikë shkojnë në Judë (13-17)

  • Familja e Rehoboamit (18-23)

11  Sapo mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi menjëherë shtëpinë e Judës dhe Beniaminin,+ 180.000 luftëtarë të stërvitur,* që të luftonin kundër Izraelit, me qëllim që t’ia kthenin mbretërinë Rehoboamit.+  Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua Shemajahut,+ njeriut të Perëndisë së vërtetë:  «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit, mbretit të Judës, gjithë izraelitëve në Judë dhe Beniaminit:  “Kështu thotë Jehovai: ‘Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse unë bëra që të ndodhë kjo gjë.’”»+ Kështu, ata iu bindën fjalës së Jehovait dhe u kthyen e nuk shkuan kundër Jeroboamit.  Rehoboami banoi në Jerusalem dhe fortifikoi qytete në Judë.  Kështu, ai fortifikoi* Betlehemin,+ Etamin, Tekoan,+  Beth-Zurin, Sokon,+ Adulamin,+  Gathin,+ Mareshahun, Zifin,+  Adoraimin, Lakishin,+ Azekahun,+ 10  Zorahun, Ajalonin+ dhe Hebronin.+ Këto ishin qytetet që u fortifikuan në Judë dhe në Beniamin. 11  Më tej i përforcoi qytetet e fortifikuara, vuri në to komandantë dhe u siguroi ushqim, vaj e verë. 12  Ai siguroi edhe mburoja të mëdha e heshta për të gjitha qytetet, të cilat i përforcoi edhe më shumë. Rehoboami vazhdoi të mbretëronte në Judë dhe në Beniamin. 13  Priftërinjtë dhe levitët që ishin në tërë Izraelin erdhën nga territoret e tyre dhe morën anën e tij. 14  Levitët lanë kullotat e zotërimet e tyre+ dhe erdhën në Judë e në Jerusalem, ngaqë Jeroboami dhe bijtë e tij i kishin hequr nga shërbimi si priftërinj të Jehovait.+ 15  Pastaj Jeroboami i emëroi vetë priftërinjtë e tij për vendet e larta,+ për demonët në formë cjapi*+ dhe për viçat që kishte bërë.+ 16  Nga të gjitha fiset e Izraelit, njerëzit që e kërkonin me gjithë zemër Jehovain, Perëndinë e Izraelit, shkuan pas priftërinjve dhe levitëve në Jerusalem për t’i bërë flijime Jehovait, Perëndisë së paraardhësve të tyre.+ 17  Për tre vjet ata forcuan mbretërinë e Judës dhe mbështetën Rehoboamin, birin e Solomonit, sepse gjatë atyre tre vjetëve ecën në gjurmët e Davidit dhe të Solomonit. 18  Pastaj Rehoboami mori për grua Mahalatën, vajzën e Jerimotit, birit të Davidit, dhe të Abihailës, vajzës së Eliabit,+ birit të Jeseut. 19  Ajo i lindi këta djem: Jeushin, Shemariahun dhe Zahamin. 20  Më vonë u martua me Makahën, mbesën e Absalomit.+ Pas ca kohësh, ajo i lindi Abijahun,+ Atain, Zizain dhe Shelomitin. 21  Rehoboami e donte Makahën, mbesën e Absalomit, më shumë se gjithë gratë dhe konkubinat* e tij,+ pasi ai mori 18 gra e 60 konkubina dhe u bë baba i 28 djemve dhe i 60 vajzave. 22  Prandaj Rehoboami caktoi Abijahun, birin e Makahës, si krye dhe prijës të vëllezërve të tij, sepse kishte ndër mend ta bënte mbret. 23  Megjithatë ai veproi me mend duke i dërguar* disa nga bijtë e tij në tërë rajonet e Judës dhe të Beniaminit, në tërë qytetet e fortifikuara.+ U dha ushqim me bollëk dhe u gjeti shumë gra.

Shënimet

Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
Ose «rindërtoi».
Fjalë për fjalë «për cjeptë».
Ose «duke i shpërndarë».