Libri i dytë i Kronikave 12:1-16
12 Pak pasi mbretëria u bë e patundur+ dhe Rehoboami u bë i fuqishëm; ai, bashkë me gjithë Izraelin, e braktisi Ligjin e Jehovait.+
2 Vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku,+ mbreti i Egjiptit, doli kundër Jerusalemit, sepse ata ishin treguar të pabesë ndaj Jehovait.
3 Ai kishte 1.200 karroca, 60.000 kalorës dhe trupa të panumërta ushtarake që erdhën me të nga Egjipti—libianë, sukimë dhe etiopas.+
4 Ai pushtoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe në fund arriti në Jerusalem.
5 Profeti Shemajah+ erdhi te Rehoboami dhe te princat e Judës që ishin mbledhur në Jerusalem për shkak të Shishakut, dhe u tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Ju më keni braktisur, prandaj edhe unë ju kam braktisur+ në dorë të Shishakut.’»
6 Atëherë princat e Izraelit dhe mbreti u përulën+ dhe thanë: «Jehovai është i drejtë.»
7 Kur Jehovai pa që ata u përulën, fjala e Jehovait iu drejtua Shemajahut: «Ata u përulën. Prandaj unë nuk do t’i shkatërroj,+ përkundrazi, pas pak do t’i shpëtoj. Nuk do ta derdh mbi Jerusalemin zemërimin tim me anë të Shishakut.
8 Por ata do të bëhen shërbëtorë të tij, që ta provojnë në kurriz se ç’do të thotë të jenë shërbëtorë të mi apo shërbëtorë të mbretërve* të vendeve të tjera.»
9 Kështu Shishaku, mbreti i Egjiptit, doli kundër Jerusalemit dhe mori thesarin e shtëpisë së Jehovait+ dhe thesarin e shtëpisë së mbretit.* Ai mori çdo gjë, përfshirë edhe mburojat prej ari që kishte bërë Solomoni.+
10 Prandaj, për t’i zëvendësuar, mbreti Rehoboam bëri mburoja prej bakri dhe ua besoi krerëve të rojave* që ruanin hyrjen e shtëpisë së mbretit.
11 Sa herë që mbreti shkonte në shtëpinë e Jehovait, rojat hynin, i merrnin dhe pastaj i kthenin në dhomën e rojave.
12 Meqë mbreti u përul, zemërimi i Jehovait u largua nga ai+ dhe nuk e shkatërroi plotësisht qytetin.+ Veç kësaj, në Judë kishte edhe gjëra të mira.+
13 Mbreti Rehoboam e forcoi pozitën e tij në Jerusalem dhe vazhdoi të mbretëronte atje. Ai ishte 41 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 17 vjet në Jerusalem, në qytetin që Jehovai e kishte zgjedhur ndër gjithë fiset e Izraelit si vendin për të vënë emrin e tij. Nëna e tij quhej Namaha dhe ishte amonite.+
14 Ai bëri atë që ishte e keqe, sepse nuk kishte vendosur në zemër të kërkonte Jehovain.+
15 Pjesa tjetër e historisë së Rehoboamit, nga fillimi deri në fund, a nuk është shkruar në fjalët e profetit Shemajah+ dhe të vegimtarit* Ido+ në regjistrimet gjenealogjike? Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati luftëra gjatë gjithë kohës.+
16 Në fund Rehoboami u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Abijahu.+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «mbretërive».
^ Ose «e pallatit mbretëror».
^ Fjalë për fjalë «të vrapuesve».
^ Shih Fjalorthin.