Libri i dytë i Kronikave 13:1-22

  • Abijahu, mbret i Judës (1-22)

    • Abijahu mund Jeroboamin (3-20)

13  Në vitin e 18-të të mbretërimit të Jeroboamit, në Judë u bë mbret Abijahu.+  Ai mbretëroi tre vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Mikajaha+ dhe ishte vajza e Urielit nga Gibeahu.+ Mes Abijahut dhe Jeroboamit kishte luftë.+  Abijahu doli në luftë me një ushtri prej 400.000 luftëtarësh të fuqishëm e të stërvitur;*+ edhe Jeroboami u rreshtua në formacion luftimi kundër tij me 800.000 burra të stërvitur,* luftëtarë të fuqishëm.  Ndërsa qëndronte në malin e Zemaraimit, i cili gjendet në rajonin malor të Efraimit, Abijahu i tha: «Dëgjomë, o Jeroboam dhe mbarë ti, o Izrael!  A nuk e dini se vetë Jehovai, Perëndia i Izraelit, ia dha përgjithmonë+ mbretërinë në Izrael Davidit dhe bijve të tij,+ me anë të një besëlidhjeje kripe?*+  Por Jeroboami,+ biri i Nebatit, shërbëtori i Solomonit, birit të Davidit, u ngrit e u rebelua kundër zotërisë së tij.+  Me të u bashkuan edhe burra që sorollateshin kot, njerëz të pavlerë. Ata dolën më të fortë se Rehoboami, biri i Solomonit, që ishte i ri e u frikësua, ndaj nuk u bëri dot ballë.  Ju mendoni se mund t’i bëni ballë mbretërisë së Jehovait, që është në dorë të bijve të Davidit, ngaqë jeni një turmë e madhe dhe keni me vete viçat prej ari që Jeroboami bëri për ju si perëndi.+  A nuk i keni dëbuar priftërinjtë e Jehovait,+ pasardhësit e Aronit dhe levitët, dhe a nuk i keni emëruar vetë priftërinjtë tuaj si bëjnë popujt e vendeve të tjera?+ Kushdo që vjen me* një dem të ri dhe shtatë desh bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi. 10  Sa për ne, Jehovai është Perëndia ynë,+ të cilin nuk e kemi braktisur. Priftërinjtë tanë, pasardhësit e Aronit, po i shërbejnë Jehovait, dhe levitët po i ndihmojnë. 11  Ata i paraqitin Jehovait tymin e blatimeve të djegura dhe temjanin aromatik+ çdo mëngjes e çdo mbrëmje,+ bukët e vëna stivë*+ janë mbi tryezën prej ari të kulluar dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin prej ari+ me llambat e tij,+ sepse ne i përmbushim përgjegjësitë që kemi ndaj Jehovait, Perëndisë tonë, kurse ju e keni braktisur. 12  Ja, ne kemi në krye Perëndinë e vërtetë dhe priftërinjtë e tij me trumbetat që japin sinjalin për betejë kundër jush. O burra të Izraelit, mos luftoni kundër Jehovait, Perëndisë së paraardhësve tuaj, sepse nuk do t’ia dilni mbanë!»+ 13  Jeroboami dërgoi trupa që t’u ngrinte një pritë nga pas burrave të Judës. Kështu, ai me njerëzit e tij ishin përballë Judës, kurse ata të pritës ishin pas. 14  Kur burrat e Judës u kthyen dhe panë se po i sulmonin njëkohësisht para e pas, filluan t’i thërritnin për ndihmë Jehovait,+ ndërsa priftërinjtë u binin fort trumbetave. 15  Burrat e Judës lëshuan një britmë lufte dhe, kur e bënë këtë, Perëndia i vërtetë e mundi Jeroboamin dhe gjithë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës. 16  Izraelitët ia mbathën para Judës, e Perëndia i dha në duart e tyre. 17  Abijahu dhe populli bënë një masakër të madhe. Nga Izraeli ranë të vrarë 500.000 burra të stërvitur.* 18  Kështu, në atë kohë, burrat e Izraelit u poshtëruan, kurse burrat e Judës dolën më të fortë, sepse u mbështetën te Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tyre.+ 19  Abijahu vazhdoi ta ndiqte Jeroboamin dhe pushtoi disa qytete të tij: Bethelin+ me fshatrat e tij, Jeshanahun me fshatrat e tij dhe Efrainin+ me fshatrat e tij. 20  Në ditët e Abijahut, Jeroboami nuk e pati më kurrë të njëjtën forcë si më parë. Jehovai e ndëshkoi, e kështu ai vdiq.+ 21  Kurse Abijahu bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. Me kalimin e kohës, ai mori 14 gra+ dhe u bë baba i 22 djemve e 16 vajzave. 22  Pjesa tjetër e historisë së Abijahut, veprat dhe fjalët e tij, janë shkruar në dokumentet* e profetit Ido.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
Domethënë, të një besëlidhjeje të përhershme dhe të pandryshueshme.
Fjalë për fjalë «vjen që të mbushë duart me».
Domethënë, bukët e paraqitjes. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «të zgjedhur».
Ose «shtjellimin; komentarin».