Libri i dytë i Kronikave 21:1-20
21 Në fund Jehozafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën me ta në Qytetin e Davidit; në vend të tij u bë mbret i biri, Jehorami.+
2 Vëllezërit e tij, djemtë e Jehozafatit, ishin: Azariahu, Jehieli, Zakaria, Azariahu, Mikaeli dhe Shefatiahu; të gjithë këta ishin djem të Jehozafatit, mbretit të Izraelit.*
3 Ati i tyre u kishte dhënë shumë dhurata argjendi, ari dhe gjëra me vlerë, bashkë me qytete të fortifikuara në Judë,+ por mbretërinë ia dha Jehoramit,+ sepse ishte i parëlinduri.
4 Kur mori kontrollin mbi mbretërinë e të atit, Jehorami e forcoi pozitën e tij duke vrarë me shpatë tërë vëllezërit,+ si dhe disa princa të Izraelit.
5 Jehorami ishte 32 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 8 vjet në Jerusalem.+
6 Ai eci në gjurmët e mbretërve të Izraelit,+ ashtu si kishin bërë ata të shtëpisë së Akabit, sepse mori për grua vajzën e Akabit.+ Ai vazhdoi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait.
7 Por Jehovai nuk deshi ta shkatërronte shtëpinë e Davidit për hir të besëlidhjes që kishte bërë me të,+ sepse i kishte premtuar se do t’i jepte gjithmonë një llambë* atij dhe bijve të tij.+
8 Në ditët e Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër Judës+ dhe pastaj caktoi një mbret të vetin.+
9 Prandaj Jehorami shkoi atje bashkë me komandantët e me të gjitha karrocat e tij, u ngrit natën dhe mposhti edomitët që rrethonin atë dhe komandantët e karrocave.
10 Por Edomi e vazhdon rebelimin kundër Judës deri sot e kësaj dite. Në atë kohë ngriti krye edhe Libnahu,+ sepse Jehorami e kishte braktisur Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tij.+
11 Ai kishte ndërtuar edhe vende të larta+ në malet e Judës, me qëllim që t’i bënte banorët e Jerusalemit të tradhtonin Perëndinë* dhe ta largonte Judën nga ai.
12 Në fund, atij i erdhi një mesazh i shkruar nga profeti Elija,+ që thoshte: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Davidit, paraardhësit tënd: ‘Ti nuk ke ecur në gjurmët e Jehozafatit,+ atit tënd, dhe në ato të Asës,+ mbretit të Judës.
13 Por ke ecur në gjurmët e mbretërve të Izraelit+ dhe bën që Juda dhe banorët e Jerusalemit të tradhtojnë Perëndinë,+ njësoj siç bëri shtëpia e Akabit,+ e madje vrave vëllezërit e tu,+ ata të shtëpisë së atit tënd, që ishin më të mirë se ti.
14 Prandaj Jehovai po i jep një goditje të fortë popullit tënd, djemve të tu, grave të tua dhe gjithë zotërimeve të tua.
15 Ti do të kesh shumë sëmundje, ku përfshihet edhe një sëmundje zorrësh, derisa ato të të dalin ditë pas dite për shkak të sëmundjes.’»
16 Pastaj kundër Jehoramit, Jehovai ngriti+ filistinët*+ dhe arabët+ që ishin afër etiopasve.
17 Kështu ata pushtuan Judën, hynë me forcë dhe morën gjithë zotërimet që gjendeshin në shtëpinë e mbretit,*+ si dhe djemtë e gratë e tij. Jehoahazi,*+ djali i vogël, ishte i vetmi djalë që i mbeti.
18 Pas gjithë kësaj, Jehovai bëri që t’i binte një sëmundje e pashërueshme në zorrë.+
19 Kohë më pas, kur u mbushën plot dy vjet, atij i dolën zorrët për shkak të sëmundjes dhe vdiq teksa vuante tmerrësisht prej saj. Populli nuk dogji bimë aromatike për të, si kishte bërë për paraardhësit e tij.+
20 Ai ishte 32 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 8 vjet në Jerusalem. Askujt s’i erdhi keq për vdekjen e tij. Kështu e varrosën në Qytetin e Davidit,+ por jo në varret e mbretërve.+
Shënimet
^ Disa herë te 2 Kronikave termi i përgjithshëm «Izrael» përdoret në vend të termit më specifik «Judë».
^ Domethënë, një pasardhës.
^ Ose «të silleshin si prostitutë ndaj Perëndisë». Kjo është një shprehje e figurshme. Shih Fjalorthin, «Prostitutë».
^ Fjalë për fjalë «zgjoi frymën e filistinëve».
^ Ose «pallatin mbretëror».
^ Quhet edhe Ahaziah.