Libri i dytë i Kronikave 32:1-33

  • Senakeribi kërcënon Jerusalemin (1-8)

  • Senakeribi sfidon Jehovain (9-19)

  • Engjëlli godet ushtrinë asiriane (20-23)

  • Sëmundja dhe fodullëku i Hezekisë (24-26)

  • Arritjet e Hezekisë dhe vdekja e tij (27-33)

32  Pasi Hezekia i kishte përmbushur të gjitha këto gjëra me besnikëri,+ Senakeribi, mbreti i Asirisë, erdhi të sulmonte Judën. Ai rrethoi qytetet e fortifikuara, me qëllim që t’i pushtonte duke depërtuar nëpërmjet mureve të tyre.+  Kur pa se Senakeribi kishte ardhur për të luftuar kundër Jerusalemit,  Hezekia vendosi që të bllokonte ujërat e burimeve që ishin jashtë qytetit,+ pasi u konsultua* me princat dhe me luftëtarët e tij, të cilët e mbështetën.  Shumë njerëz u mblodhën dhe bllokuan të gjitha burimet dhe përroin që vërshonte përmes vendit, duke thënë: «Pse të vijnë mbretërit e Asirisë dhe të gjejnë tërë këtë ujë?»  Përveç kësaj, me vendosmëri rindërtoi gjithë murin e shembur. Mbi të ngriti kulla, kurse nga jashtë ndërtoi një mur tjetër. Gjithashtu meremetoi Bregoren*+ e Qytetit të Davidit dhe bëri shumë armë* e mburoja.  Pastaj caktoi krerë ushtarakë mbi popullin, i mblodhi në sheshin e portës së qytetit dhe i inkurajoi me fjalët:*  «Jini të fortë dhe guximtarë! Mos kini frikë, as mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë+ dhe nga gjithë turma që është me të, sepse ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me të.+  Me të është një krah prej mishi e gjaku,* por me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.»+ Dhe populli mori zemër nga fjalët e Hezekisë, mbretit të Judës.+  Pas kësaj, kur ndodhej në Lakish+ me gjithë forcat e tij mbretërore,* Senakeribi, mbreti i Asirisë, dërgoi shërbëtorët e tij në Jerusalem, te Hezekia, mbreti i Judës dhe te të gjithë judenjtë që ishin atje,+ për t’u thënë: 10  «Kështu thotë Senakeribi, mbreti i Asirisë: “Ku paskeni besim që rrini ende në Jerusalem, edhe pse është i rrethuar?!+ 11  A nuk po ju mashtron Hezekia dhe a nuk po ju lë të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: ‘Jehovai, Perëndia ynë, do të na shpëtojë nga dora e mbretit të Asirisë.’+ 12  A nuk është Hezekia ai që hoqi vendet e larta të Perëndisë tuaj*+ dhe altarët e Tij,+ e pastaj i tha Judës dhe Jerusalemit: ‘Vetëm para një altari duhet të përkuleni dhe mbi të duhet të paraqitni tym blatimesh.’+ 13  A nuk e dini çfarë u kam bërë unë dhe paraardhësit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera?+ A ishin vallë në gjendje perënditë e atyre kombeve ta shpëtonin vendin e tyre nga dora ime?+ 14  Cili nga perënditë e këtyre kombeve, që paraardhësit e mi i shkatërruan, arriti ta shpëtonte popullin e tij nga dora ime, që të arrijë t’ju shpëtojë Perëndia juaj?!+ 15  E pra, mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë a t’ju prishë mendjen në këtë mënyrë!+ Mos kini besim tek ai, sepse asnjë perëndi i ndonjë kombi a mbretërie nuk ishte në gjendje ta shpëtonte popullin e vet nga dora ime dhe nga dora e paraardhësve të mi. Prandaj, aq më pak do t’ju shpëtojë Perëndia juaj nga dora ime!”»+ 16  Shërbëtorët e tij thanë edhe gjëra të tjera kundër Jehovait, Perëndisë së vërtetë, dhe kundër Hezekisë, shërbëtorit të tij. 17  Madje ai shkroi letra+ për të poshtëruar Jehovain, Perëndinë e Izraelit,+ dhe për të folur kundër tij, duke thënë: «Ashtu si perënditë e kombeve të vendeve të tjera nuk i shpëtuan popujt e tyre nga dora ime,+ ashtu edhe Perëndia i Hezekisë nuk do ta shpëtojë popullin e tij nga dora ime.» 18  Ata bërtitnin me zë të lartë në gjuhën e judenjve, duke iu drejtuar popullit të Jerusalemit që ishte mbi mure, për t’i frikësuar dhe për t’i tmerruar, me qëllim që të merrnin qytetin.+ 19  Ata folën kundër Perëndisë së Jerusalemit, njësoj si për perënditë e popujve të tokës, që janë vepër e duarve të njeriut. 20  Por mbreti Hezekia dhe profeti Isaia,+ biri i Amozit, vazhduan të luteshin për këtë dhe të thërritnin drejt qiellit për ndihmë.+ 21  Atëherë Jehovai dërgoi një engjëll dhe zhduku nga faqja e dheut çdo luftëtar të fuqishëm+ e udhëheqës në kampin e mbretit të Asirisë, kështu që ai u kthye i mbuluar me turp në vendin e vet. Më vonë, ai hyri në shtëpinë* e perëndisë së tij dhe atje, disa nga djemtë e vet, e vranë me shpatë.+ 22  Kështu Jehovai e shpëtoi Hezekinë dhe banorët e Jerusalemit nga dora e Senakeribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e të gjithë të tjerëve, e u dha paqe në çdo anë. 23  Shumë veta i sollën dhurata Jehovait në Jerusalem, si dhe gjëra të zgjedhura Hezekisë, mbretit të Judës.+ Pas kësaj, mbreti Hezekia fitoi shumë respekt në sytë e të gjitha kombeve. 24  Ato ditë Hezekia u sëmur për vdekje dhe iu lut Jehovait,+ i cili iu përgjigj dhe i dha një shenjë.+ 25  Por Hezekia nuk u tregua mirënjohës për të mirën që i ishte bërë, sepse zemra e tij u bë fodulle. Prandaj indinjata e Perëndisë ra mbi të, mbi Judën dhe Jerusalemin. 26  Megjithatë Hezekia e përuli zemrën e vet fodulle,+ si edhe banorët e Jerusalemit, kështu indinjata e Jehovait nuk ra mbi ta në ditët e Hezekisë.+ 27  Hezekia pati shumë pasuri dhe lavdi;+ bëri depo+ për argjendin, për arin, për gurët e çmuar, për vajin e balsamit, për mburojat dhe për të gjitha sendet me vlerë. 28  Bëri edhe depo për drithin, për verën e re, për vajin, si dhe stalla për tërë llojet e ndryshme të kafshëve e bagëtive. 29  Ndërtoi qytete dhe pati bagëti të imëta e të trasha me bollëk, pasi Perëndia i dha shumë e shumë të mira. 30  Hezekia mbylli burimet e sipërme të ujërave+ të Gihonit+ dhe i drejtoi poshtë në perëndim për në Qytetin e Davidit.+ Hezekia pati sukses në çdo gjë. 31  Mirëpo, kur princat e Babilonisë dërguan zëdhënës që ta pyetnin për shenjën+ që kishte ndodhur në vend,+ Perëndia i vërtetë e la vetëm që ta vinte në provë+ dhe të shihte gjithçka që kishte në zemër.+ 32  Pjesa tjetër e historisë së Hezekisë dhe veprat e tij të dashurisë besnike+ janë shkruar në vegimin* e profetit Isaia,+ birit të Amozit, në Librin e Mbretërve të Judës dhe të Izraelit.+ 33  Në fund Hezekia u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në të përpjetën që të çon te varret e bijve të Davidit.+ Kur vdiq, gjithë Juda dhe banorët e Jerusalemit i bënë nderime; në vend të tij u bë mbret i biri, Manaseu.

Shënimet

Ose «u këshillua».
Ose «Milon». Një fjalë hebraike që do të thotë «mbush».
Ose «shigjeta».
Fjalë për fjalë «u foli zemrës së tyre».
Ose «Ai mbështetet te forca njerëzore».
Ose «me gjithë forcën dhe shkëlqimin e tij ushtarak».
Fjalë për fjalë «së tij».
Ose «tempullin».