Libri i dytë i Kronikave 5:1-14
5 Kështu Solomoni përfundoi gjithë punën që iu desh të bënte për shtëpinë e Jehovait.+ Pastaj Solomoni futi brenda gjërat që kishte shenjtëruar Davidi,+ ati i tij, dhe argjendin, arin e sendet i vuri në thesarin e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë.+
2 Atëherë Solomoni mblodhi pleqtë e Izraelit, pra gjithë krerët e fiseve dhe prijësit e shtëpive atërore të Izraelit. Ata erdhën në Jerusalem për të ngjitur arkën e besëlidhjes së Jehovait nga Qyteti i Davidit,+ domethënë nga Sioni.+
3 Tërë burrat e Izraelit u mblodhën para mbretit për festën* që mbahet në muajin e shtatë.+
4 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe levitët ngritën Arkën.+
5 Ata ngjitën Arkën, tendën e takimit+ dhe gjithë pajisjet e shenjta që ishin në tendë; këto i ngjitën priftërinjtë dhe levitët.*
6 Mbreti Solomon dhe tërë asambleja e Izraelit që ishte thirrur për t’u takuar me të, ishin para Arkës. Ata flijuan+ kaq shumë dhen e gjedhë, sa nuk mund të llogariteshin a të numëroheshin.
7 Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Jehovait në vendin e vet, brenda dhomës më të brendshme të tempullit, te Më e Shenjta, nën krahët e kerubinëve.+
8 Kështu kerubinët i kishin krahët të shtrirë mbi vendin e Arkës, prandaj e mbulonin Arkën dhe shufrat e saj.+
9 Shufrat ishin aq të gjata, sa majat e tyre dukeshin nga e Shenjta që ndodhej para dhomës më të brendshme, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë atje deri sot e kësaj dite.
10 Në Arkë nuk kishte gjë tjetër përveç dy pllakave që kishte futur Moisiu në Horeb+ kur Jehovai bëri një besëlidhje+ me popullin e Izraelit ndërsa dilte nga Egjipti.+
11 Kur priftërinjtë dolën nga vendi i shenjtë (sepse të gjithë priftërinjtë e pranishëm ishin shenjtëruar,+ pavarësisht ndarjes që i përkitnin),+
12 të gjithë levitët këngëtarë+ që i përkitnin Asafit,+ Hemanit,+ Jeduthunit+ dhe bijve e vëllezërve të tyre ishin veshur me pëlhurë cilësore dhe mbanin cimbale, instrumente me tela e harpa. Ata qëndronin në këmbë në lindje të altarit dhe bashkë me ta 120 priftërinj që u binin trumbetave.+
13 Sapo trumbetarët dhe këngëtarët nisën të lëvdonin dhe të falënderonin Jehovain njëzëri, të lëshonin tinguj me trumbeta, me cimbale e me instrumente të tjera muzikore dhe t’i jepnin lavdi Jehovait duke thënë: «Se ai është i mirë; dashuria e tij besnike zgjat përjetë»,+ atëherë shtëpia, shtëpia e Jehovait, u mbush me një re.+
14 Priftërinjtë nuk qëndronin dot për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Jehovait mbushi shtëpinë e Perëndisë së vërtetë.+